Skandinavët e krishterë
Nëpër vendet skandinave krishterimi u përhap pas shekullit IX. Mjaft tregtarë nga këto vende ushtronin aktivitetin e tyre nëpër vendet e Evropës Perëndimore, ku u njohën me krishterimin. Gjithashtu vikingët lundronin me anijet e tyre drejt ishujve Britanikë. Në kontaktet që kishin me popullsinë kishin mundur të lidhnin martesa me gra të krishtera me origjinë kelte, kështu ata e pranuan pagëzimin pa ndonjë vështirësi, duke lënë mënjanë fenë e tyre idhujtare. Në vitin 823 kryeepiskopi i Remit, Ebbon, së bashku me dy shoqëruesit e tij, murgun Anzgar dhe episkopin e Vremit Vilerim, filluan aktivitetin misionar në Danimarkë duke kovertuar mjaft danezë në fenë e krishterë, por nuk arritën të fitonin mbështetjen e mbretit të tyre. Vite më vonë, kur mbreti Harold u shfronëzua nga kundërshtari i tij Harek, gjeti strehë tek frankët, ku mbreti Ludovik i vuri si kusht që të pagëzohej i krishterë dhe të mbështeste veprën misionare për kristjanizimin e danezëve. Kështu Haroldi në vitin 826, i shoqëruar nga murgu Anzgar (801-865), u kthye në Danimarkë me qëllim që të zinte fronin mbretëror, por dështoi dhe u kthye në Frizi për riorganizimin e një përpjekjeje tjetër misionare për në Danimarkë. Murgu Anzgar përgatiti 12 të rinj nga familjet e zgjedhura daneze që ndodheshin në Frizi, që kur të vinte momenti i përshtatshëm të ndërmerrnin udhëtime misionare, por me vdekjen e Anzgarit në vitin 865 u shua edhe ëndrra e tij. Vite më vonë Haroldi u kthye në Danimarkë dhe i ndihmuar nga kryeepiskopi i Hamburgut Adaldalo (937-988), bëri të mundur kristjanizimin e danezëve. Në sinodin e Indelamit në vitin 948 morrën pjesë dhe episkopët e parë danezë të episkopatave të Jutlandës, Slesvik, Arhur e Ribe. Kristjanizimi i tyre i plotë u realizua vetëm në kohën e mbretit Knut i Madh (1015-1035). Përhapja e krishterimit në Norvegji ka lidhje të ngushtë me kishën e Anglisë. Gjatë mbretërimit të Haakon I (935- 961) kristjanizimi i norvegjezëve u mbështet në inisiativat misionare të mbretit danez Harold. Gjatë viteve të mbretërimit të Olaf Haroldsonit (995-1030) kristjanizimi i norvegjezëve arriti kulmin. Olaf Haroldsoni kishte lindur në vitin 955 në Juglindje të Norvegjisë. Që në moshë të re ai shërbeu si viking në Britani dhe në Normandi, ku u njoh me besimin e krishterë dhe u pagëzua. Pas vitit 1015 u kthye për të pretenduar fronin e Norvegjisë. Me vete mori mjaft episkopë anglezë me qëllim që të bënte krishterimin e norvegjezëve. Shën Olafi siguroi një bazë të qëndrueshme të besimit të krishterë me ndërtimin e kishave dhe me organizimin e klerit. Gjithë jetën e tij ia kushtoi krishterimit, derisa u martirizua më 29 korrik 1030 në qytetin e Stikleshtatit. Ky shenjtor nderohet me repekt të veçantë në vendet nordike. Në përkujtim të tij janë ngritur rreth 340 kisha e kapela. Në Norvegji ekzistojnë 52 të tilla, në Suedi 75 etj. Përhapja e krishterimit në Suedi është e lidhur me inisiativën misionare të kryeepiskopit të Hamburgut Anzgar. Në vitin 829 një përfaqësi e suedezëve mbërriti në Normandi dhe kërkoi nga mbreti që të interesohej për kristjanizimin e popullsisë. Kjo detyrë iu ngarkua murgut Anzgar, i cili në shoqërinë e disa tregtarëve skandinavë pas shumë peripecive mbërriti në Birka, ku mori garanci nga mbreti Bjorn të predikonte krisherimin. Aktiviteti misionar u kurorëzua me krijimin e komuniteteve të krishtera, por Anzgari në vitin 832 u detyrua të largohej nga Suedia, sepse u fronëzua nga papa Grigori IV kryeepiskop i Hamburgut. Papa e ngarkoi Anzgarin të kishte në kujdestari kishat daneze dhe suedeze. Anzgari përfaqëson për skandinavët atë çka ishte Bonifaci për gjermanët, prandaj ai u quajt Apostull i Veriut. Megjithë zellin misionar, Anzgari shënoi vetëm fillimin e kristjanizimit të popujve skandinavë.
Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)
Bibliografia:
1-Andrea Llukani, Kristjanizimi i skandinavëve, Ngjallja, mars 2001, faqe 4.