MAKINAT PESHËNGRITËSE E TRANSPORTUESE


MAKINAT PESHËNGRITËSE E TRANSPORTUESE
✤ Makina për ngritjen e ngarkesave dhe zhvendosjen e tyre në largësi jo të mëdha. Përdoren kryesisht për mekanizimin e punëve me pesha të rënda dhe për rregullimin e proceseve teknologjike që kanë vijueshmëri, në industri. në ndërtim, në transport etj. Në M. P. e T. përfshihen makina për ngritjen e ngarkesave, si mekanizmat e thjeshta ngritëse (polispastet, krikot, arganot), makinat e vërteta ngritëse (vinçat, ngritësit ose ashensorët, autovinçat, ekskavatorët dhe shumë makina speciale), si dhe makinat transportuese si makinat me veprim të vazhdueshëm (transportierët e çdo lloji) konvejerët, shnekët, elevatorët. Ind. mekanike e vendit ka sot disa ndërmarrje të specializuara, që kanë përvetësuar prodhimin e një numri të madh M. P. e T. Prodhohen mjaft tipa vinçash ngritës për ndërtim, transportierë, shnekë, elevatorë etj. Prodhimi i elektrovinçave të porteve, i mekanizmave ngritëse për HEC-et, i ngritësve për anijet etj. janë ndër realizimet e rëndësishme të ind. mekanike të vendit.

(M. Gj.-P. Ka.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Makinat Peshëngritëse E Transportuese


[cite]