Udha Egnatia
Udha Egnatia fillonte nga Durrësi dhe nëpërmjet Selanikut të shpinte në Kostandinopojë. Ajo luajti rol vendimtar për përhapjen e shpejtë të krishterimit në trevat e Ilirisë. Udha Egnatia me një gjatësi rreth 400 km, është thënë se e ka marrë emrin nga ndërtuesi i saj, i cili quhej Egnatium. Kurse sipas kumtimit gojor të gjuhëtarit Pavli Haxhillazi, Sami Frashëri emërtimin Udha Egnatia e ka lidhur me përcaktimin e bërë prej vetë shqiptarëve. Kjo udhë përshkon nga perëndimi në lindje trojet shqiptare (nga Durrësi në Selanik) dhe fjala “Egnatia” është mbiemri i shqipes (e gjatë), që latinët e shndërruan në trajtën Via Egnatia. Në gjuhët latine dhe greke pjesa e emërtimit Egnatia nuk është e motivueshme kuptimisht dhe kjo vjen se ata këtë emërtim e kanë huazuar prej shqipes “udha e gjatë” duke e dhënë në gjuhën e tyre “Udha (Via) Egnatia”. Udha Egnatia fillon nga Durrësi e Pojani, më pas këto dy degë janë bashkuar diku afër Elbasanit për të vazhduar nëpërmjet Ohrit e Manastirit dhe përfundon në Selanik. Në shekullin IV pas Krishtit, Udha Egnatia u zgjat deri në Bizant dhe ishte vazhdimi i rrugës së vjetër romake Via Apia. Kështu për nga rëndësia Udha Egnatia bashkonte Perëndimin me Lindjen. Një udhëtim që nga Roma për në Bizant zgjaste rreth 24 ditë.
Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)
Bibliografia:
1-Tajar Zavalani, Histori e Shqipnis, Phoenix, Tiranë 1998, faqe 37.