MALI I SKËNDERBEUT


MALI I SKËNDERBEUT
✤ Mal në kufirin midis rrethit të Krujës dhe atij të Matit me lartësi më të madhe 1724 m (Maja e Liqenit). Shtrihet nga lugina e I. të Matit në V dhe deri te Qafa e Shtamës në J, me gjatësi 22 km e gjerësi 2-5 km. Bën pjesë në Vargmalet Perëndimore (shih). Mendohet që është mali i Tumenishtit, që, sipas Marin Barletit (shih), për shkak të pozitës gjeografike e strategjike shumë të përshtatshme, ishte një nga bazat më të rëndësishme të prapavijës së Skënderbeut, ku ai rigruponte forcat e kishte punishte për përgatitjen e materialeve ushtarake. Në M. e S. janë gjetur disa gropa artificiale që do të kenë shërbyer si furra primitive për shkrirjen e metaleve. Emrin e sotëm e ka marrë vonë për nder të Heroit. M. i S. është i ndërtuar kryesisht nga shkëmbinj magmatikë, e pjesërisht nga gëlqerorë mesozoikë. Relievi është shumë i copëtuar nga përrenjtë, degë të 1. të Matit (Zalli i Shtamës, Zalli i Germenit) dhe të Ishmit (Droja, Zeza, Tërkuza, 1. i Tiranës). Shpatet janë të rrëpirta, kurse relievi i valëzuar, vende-vende me forma akullnajore e karstike. Në anën VL, rreth 200 m poshtë majës më të lartë gjenden dy liqene të vogla akullnajore, në tharje e sipër, që i kanë dhënë emrin edhe majës. Është i veshurme bimësi të dendur (makje e dushqe në pjesën e ulët, ahishte e halorë në pjesën e mesme e të lartë, kullota verore në majat). Nga kafshët e egra takohet derri i egër, shqarthi, dhelpra, thëllëza e malit.

(Me. K.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Mali I Skënderbeut


[cite]