MARRËVESHJA E RAIHSHTADIT


MARRËVESHJA E RAIHSHTADIT
✤ (8 korrik 1878). U lidh midis Rusisë dhe Austro-Hungarisë në Raihshtad (Çeki) që t’i dalë përpara zhvillimit të ngjarjeve pas acarimit të ri të Krizës Lindore dhe fillimit të luftës midis Malit të Zi e Serbisë nga njëra anë dhe Turqisë nga ana tjetër. Me M. e R. palët ranë në ujdi që të rimëkëmbej gjendja që ishte para luftës (status quo-ante), në rast se Serbia e Mali i Zi do të mundeshin. Në qoftë se këto do të delnin fitimtare, Austro-Hungaria dhe Rusia angazhoheshin t’i caktonin bashkërisht ndryshimet territoriale. Pika më thelbësore e marrëveshjes ishte ajo që paracaktonte se nuk do të krijohej një shtat sllav i madh në Ballkan pas një disfate të mundshme të Turqisë. Palët ranë në ujdi që Serbia të zgjerohej në drejtim të Kosovës (e ashtuquajtura «Serbi e vjetër»). Rreth përmbajtjes së M. së R. ka dy variante ku shprehen kontradiktat midis dy palëve nënshkraese. Në M. e R. çështja shqiptare gjen shprehje për herë të parë në plan ndërkombëtar. Aty bëhej fjalë për një «Shqipëri autonome» që mund të krijohej krahas Bullgarisë e Rumelisë gjithmonë në rast disfate të Turqisë. Edhe pse nuk pasqyrohej në variantin rus (gjë që tregon kundërshtimin e Rusisë), kjo ishte një shenjë se çështja shqiptare po fillonte të llogaritej si një element i situatës së re në Ballkan.

(A. Pu.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Marrëveshja E Raihshtadit


[cite]