MBORJA HAKI


MBORJA HAKI
✤ (1861-1931). Mjek patriot, luftëtar për çështjen e Pavarësisë kombëtare dhe demokrat përparimtar. Lindi në Mborje (Korçë). Arsimin e mesëm dhe të lartë i kreu në Stamboll. Më 1907 u emërua mjek i bashkisë në Manastir, ku edhe u lidh me patriotë si Bajo Topuili, Gjerasim Qiriazi etj. Më 1909 u caktua mjek në Korçë. Mori pjesë në Lëvizjen kombëtare dhe në kryengritjen e armatosur. Anëtar i Komitetit të Korçës për lirinë e Shqipërisë (1911) dhe komandant i Çetës së formuar në qershor 1911, e cila veproi në malet e Gramozit, në luginën e Devollit e më vonë në fshatrat Bërzeshtë e Shpat të Elbasanit, u dallua si luftëtar trim. Pas shpalljes së Pavarësisë përkrahu qeverinë e Vlorës, më 1914 mori pjesë në qëndresën kundër bandave të andartëve grekë në malet e Moravës dhe në Kolonjë, luftoi kundër puçif shovinist grek të Korçës. Gjatë periudhës së «Krahinës autonome të Korçës» dha ndihmesë në përhapjen e arsimit shqip dhe të shkollave shqipe. Më 1919 mori pjesë në qëndresën kundër vendimeve antishqiptare të Konferencës së Paqes në Paris. Përkrahu vendimet e Kongresit të Lushnjës. Kundërshtar i vendosur i regjimit të A. Zogut, luftoi kundër vendosjes së monarkisë. Shërbeu gjithmonë si mjek i papërtuar. Vdiq në Korçë.

(K. X.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Mborja Haki


[cite]