MEMORANDUMET


MEMORANDUMET
✤ Dokumente ku paraqiten pikëpamjet, kërkesat e një qeverie, organizate, shoqërie, kuvendi apo të personave të veçantë për çështje të caktuara. M. shoqëruan lëvizjet popullore kundër sunclimit osman dhe u bënë më të shpeshta në fazat kulmore të luftës çlirimtare. Të tillë ishin vitet e Lidhjes së Prizrenit, fundi i shek. XIX, kryengritjet e mëdha antiosmane të vitit 1910-1912 dhe Shpallja e Pavarësisë, fundi i Luftës Parë Botërore dhe Konferenea e Paqes etj. Në këto faza, organizma, kuvende, organe shtypi ose veprimtarë të veçantë të saj formuluan në mënyrë tërësore ose të pjesshme kërkesat e lëvizjes dhe ua drejtuan, si rregull, Portës së Lartë në Stamboll dhe qeverive të Fuqive të Mëdha. Shumica e këtyre memorandumeve të fundit shprehnin kërkesën për autonominë territoriale administrative të Shqipërisë. M. së bashku me thirrjet, protestat, vendimet etj., përbëjnë një burim historik të rëndësishëm. Ato na njohin me mendimin politik e shoqëror të autorëve të tyre. Me to u krijua një gjini e veçantë e literaturës politike.

(S. Po.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Memorandumet


[cite]