MIOCENI
✤ Epoka e parë e nënperiudhës neogjenike, e përfshirë ndërmjet oligocen.it (shih) dhe pliocenit (shih), që ka zgjatur në kohë rreth 21 milionë vjet (nga para 26 milionë deri para 5 milionë vjet) dhe gjatë së cilës janë formuar shkëmbinjtë që përbëjnë seksionin miocenik. Ndahet në katet (shekujt gjeologjikë): akuitanian, burdigalian (që përbëjnë M. e poshtëm), helvecian, tortonian (M. i mesëm), mesinian (M. i sipërm).

Në Albanidet dhe në tërë trevën mesdhetare, në fillim të M. klima ishte e ngrohtë dhe e lagësht, por në fund të tij, gjatë mesinianit, u bë e thatë dhe solli si pasojë formimin e shtresnajave të trasha të evaporiteve. Filloi përtëritja e ngadalshme dhe afrimi me atë të sotmen i faunës dhe i florës. U zgjeruan shumë livadhet, dolën drithërat. Arritën zhvillimin më të lartë gjitarët dhe dolën primatët e parë, pitekët, nga të cilët rrodhi edhe njeriu. Vazhduan lëvizjet tektonike të ciklit malformues alpin, të cilat nga mesi i M. kthyen në stere pjesën më të madhe të trevës alpine mesdhetare dhe Albanidet. Rrudhaformimi kryesor përfshiu Zonën Jonike dhe atë të Sazanit. Vetëm pjesa më P e territorit, ultësira e sotme pranadriatike dhe ajo e Tiranës, mbetën pjesërisht nën det, ndërkohë që në Albanidet e brendshme u formuan disa pellgje liqenore, si ai i gropës së Burrelit etj. Në ultësirën paramalore të mbetur nën det, sidomos në ultësirën e Tiranës, u depozitua shtresnaja e trashë e molasës, në të cilën në nivelet e M. të poshtëm, sidomos të burdigalianit, spikasin mergelet, ndërsa në nivelet e M. të mesëm, sidomos të tortonianit, spikasin gëlqerorët litotamnikë, që përdoren gjerësisht si lëndë ndërtimi dhe shtresnajat qymyrmhajtëse, që shfrytëzohen në pellgun e Tiranës. Në Zonën Jonike u depozituan gjithashtu në fillim pjesa më e sipërme e flishit, e përfaqësuar nga pasflishi dhe shliri, kryesisht mergelor, në nivelet e M. të poshtëm, ndërsa në M. e mesëm (tortonian) filloi depozitimi i molasës së vërtetë në ultësirën pranadriatike, në të cilën spikasin gjithashtu gëlqerorët litotamnike e shtresnajat qymyrmbajtëse (Memaliaj, Manëzë, Galush etj.). Në ultësirën e brendshme gjatë M. u formua në fillim molasa detare me konglomerate, ranorë e mergele dhe mandej molasa kontinentale-liqenore herë-herë qymyrmbajtëse. (A.P.—H.Dal.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Mioceni


[cite]