MUZAKËT


MUZAKËT
✤ Familje sunduese feudale në Shqipërinë e J (shek. XIII-XV). Andre Muzaka (1280-1319) gjatë sundimit të Anzhuinëve (shih), ishte «mareshal i Arbërisë». Qendër e zotërimeve të M. ishin Berati dhe fushat e mëdha përreth, që morën emrin «Myzeqe» (Muzakia) prej emrit të zotëruesve. Në kulmin e fuqisë, nën Andrean II që mbante titullin «despot», zotërimet e M. shtriheshin që nga ana JP e fushës së Kavajës tfshati Gosë), duke përfshirë Myzeqenë e Madhe dhe të Vogël, deri në 1. e Vjosës duke arritur në Selenicë e në bregun e detit. Që nga 1. Devoll ato përfshinin Tomorricën, Skraparin, fshatrat Opar, Lavdar, Marjan etj., fushën e Korçës, Devollin e Madh e të Vogël. Më 1372 M. morën Kosturin ku një kishë e ndërtuar prej tyre, mban sot ende emrin e zotëruesve të vendit. Me aleancat e formuara me anë martese të Komita M. me Balshën II (shih) dhe të një pinjolleje tjetër me sunduesin e Ohrit nga familja Gropa, pushteti i M. u përforcua më tej. Më 1389 Teodori II M. me ushtrinë e vet mori pjesë, përkrah koalicionit të sundimtarëve shqiptarë e ballkanas, në Betejën e Kosovës (shih) dhe mbeti aty i vrarë. Prej v. 1394 M. u gjendën nën presionin e vazhduar të osmanëve, të cilët arritën t’u merrnin për disa kohë Beratin. Edhe si vasalë të sulltanëve, M. mbajtën marrëdhënie politike më vete me Venedikun e Raguzën, ndonëse disa pinjoj të tyre, duke përqafuar islamizmin, arritën të bënin karrierë në radhët e klasës sunduese osmane. Njëri prej tyre, Jakup beu, u bë në v. 30 të shekullit XV sanxhakbej i «sanxhakut shqiptar» dhe u vra mandej në luftimet e osmanëve në Hungari. M. mundën të ruanin një pjesë të zotërimeve të tyre jashtë sistemit të timareve, por pa Beratin. Ata u bashkuan më 1443 me kryengritjen e përgjithshme dhe Skënderbeun. Gjin M. mori pjesë në Lidhjen e Lezhës (shih) dhe qe një nga bashkëluftëtarët e afërt të Skënderbeut. I biri i tij, Gjon M. vazhdoi luftën edhe pas vdekjes së Skënderbeut, me gjithë premtimet e Mehmetit II që synonin ta shkëpusnin nga lufta. Pas rënies së kalave të fundit, Gjon M. u detyrua të mërgonte dhe kaloi jetën në Napoli, ku më 1510 shkroi përkujtesën «Historia dhe gjenealogjia e shtëpisë së Muzakajve» (shih), një burim i rëndësishëm për historinë e Shqipërisë.

(A. Bu.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Muzakët


[cite]