MUZEU HISTORIK KOMBËTAR


MUZEU HISTORIK KOMBËTAR
✤ Institucioni më i rëndësishëm muzeal në Shqipëri. U përurua më 28.10.1981 në Tiranë. Paraqet në mënyrë të përmbledhur dhe sipas kriteresh shkencore historinë e popullit shqiptar që nga periudha e fundit e paleolitit të mesëm para erës së re deri në vitet 80-të të këtij shekulli. Është ndjekur një periodizim që dallon dy ndarje të mëdha; lashtësia e kombit shqiptar dhe qëndresa e tij për liri deri në vitin 1912 dhe epoka nga ky vit deri në ditët tona. Në hollin e muzeut lartësohet shtatorja e sh. Enver Hoxha. Nga e rnajta nis salla e parë me periudhën më të lashtë, vijohet me historinë e qytetërimit ilir e deri te mesjeta e hershme dhe kultura arbërore. Vend të gjerë zënë periudha e luftërave të Skënderbeut, kryengritjet për liri e pavarësi, në veçanti Lidhja Shqiptare a themeluar në Prizren dhe Rilindja Kombëtare deri te arritja e Pavarësisë. Në ndarjen e dytë janë pasqyruar gjerësisht Lufta ANÇ dhe periudha e ndërtimit të socializmit nën udhëheqjen e PPSH. Kjo histori dokumentohet me shkrime, akte, objekte të kulturës materiale e shpirtërore, fotografi, makete, grafike, harta, sende e dëshmi personale etj. Pasuri me vlerë përbëjnë fondet e muzeut ku ruhen objekte dhe dokumente të shumta, që shërbejnë për përtëritjen. e herëpashershme të ekspozitës muzeale, për studime të ndryshme dhe për ekspozita të përkohshme. Mjedise të tjera shërbejnë për laboratorin e restaurimit dhe fotografik, sallat e leksioneve, të bibliotekës dhe dy sallat të ekspozitave të përkohshme, mjediset e administratës. Me vlera janë mjaft vepra arti origjinale që nga lashtësia e deri te kompozimet figurale të krijuara posaçërisht e të lidhura me përmbajtjen e muzeut. Muzeu është vendosur në V të sheshit «Skënderbeg» dhe përbën elementin kryesor të ansamblit urbanistik dhe arkitekturor të qendrës së Kryeqytetit. Arkitektura e jashtme me prirje për monumentalitet ka forma të thjeshta që japin përfytyrimin e një kështjelle që rrethon oborrin e brendshëm. Një brez i gdhendur me stilizimin e shqiponjës dhe me motive të tjera kombëtare e qarkon ndërtesën. Në qendër të fasadës kryesore është mozaiku «Shqipëria», më i madhi në vendin tonë. Arkitektura e brendshme është në përputhje me kronologjinë historike dhe plotësohet me punime të arteve të zbatuara, si panodekorative, tablo murale, relieve me materiale të ndryshme etj. Ndriçimi është funksional dhe estetik.

(K. D.—S. Mo.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Muzeu Historik Kombëtar


[cite]