MUZIKA VOKALE


MUZIKA VOKALE
✤ Gjini muzikore të kënduara që nga kënga, romanca, kantata, balada, oratorioja, suita korale etj. e deri te llojet përbërëse të operetës dhe të operës. M. V. shqiptare nis me këngën. Shembujt e parë të saj janë këngët e Rilindjes Kombëtare, këngët lirike qytetare dhe patriotike. Lufta ANÇ dhe periudha e ndërtimit të socializmit më pas sollën lindjen e llojeve të reja, si kënga partizane, kënga masive, kënga e lehtë etj. Në dhjetëvjetëshin e parë pas Çlirimit u krijuan vepra edhe me përmasa të mëdha. Gjatë viteve 60 u kultivuan me sukses edhe poema korale, balada, oratorioja (Tish Daija, Tonin Harapi, etj). Në vitet 70 M. V. shqiptare u pasurua me një numër veprash, kryesisht të gjinisë së kantatës, poemës, suitës. Në lëmin e interpretimit përveç koreve (shih) dhanë ndihmesën e tyre një radhë solistësh (Tefta Tashko-Koço, Marie Kraja, Kristaq Antoniu, Ibrahim Tukiçi, Avni Mula, Mentor Xhemali, Ramiz Kovaçi, Gaqo Çako etj), këngëtarë të këngës popullore (Luçie Miloti, Bik Ndoja, Fitnete Rexha, etj.), të këngës qytetare masive e lirike (Anita Take, Vaçe Zela, Nexhmie Pagarusha etj.).

(S. Ka.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Muzika Vokale


[cite]