ONOMASTIKA


ONOMASTIKA
✤ Degë e gjuhësisë që studion emrat e përveçëm të vendeve dhe të njerëzve. Përfshin dy fusha kryesore: toponiminë dhe antroponiminë. O. shqiptare ndihmon për sqarimin e mjaft çështjeve nga fusha e historisë së Shqipërisë, e arkeologjisë, e etnograflsë, e folklorit, e gjeografisë e topografisë etj. si në rrafshin historik (diakronik) ashtu edhe në rrafshin bashkëkohor (sinkronik).

Para Çlirimit ka pasur disa përpjekje të veçanta për kërkime e studime në lëmin e O. Disa autorë të huaj, edhe ndonjë vendës janë marrë me mbledhje e botime materialesh kryesisht nga fusha e toponomastikës. Vëzhgime për toponime të veçanta janë bërë edhe në punime të ndryshme historike e gjuhësore. Pas Çlirimit kërkimet onomastike u vunë mbi baza shkeneore të organizuara. Pranë disa sektorëve të shkencave shoqërore (të etnografisë, të gramatikës dhe të leksikologjisë) u ngritën edhe kartotekat e para të O. shqiptare. Për mbledhjen e toponimeve janë organizuar ekspedita shkencore në të gjitha rrethet e Shqipërisë. Deri më sot janë grumbulluar mbi 150 mijë njësi toponimesh nga të gjitha krahinat e vendit. Krahas mbledhjes së materialit onomastik, janë kryer edhe një varg punimesh në rrafshin gjuhësor, historik etj. (sidomos nga E. Çabej, I. Ajeti, etj). Të dhënat e grumbulluara nga kërkimet dhe studimet në fushën e O, kanë dhënë një ndihmesë të rëndësishme për të ndriçuar probleme themelore të historisë së popullit shqiptar e të gjuhës shqipe, si p.sh. problemin e burimit të popullit shqiptar e të gjuhës shqipe, problemin e autoktonisë së shqiptarëve etj. Për t’i organizuar më mirë e për t’i zhvilluar më tej studimet edhe në fushën e O. më 1984 u ngrit pranë Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë Sektori i historisë së gjuhës dhe i onomastikës. Studiuesit shqiptarë janë anëtarë të «Komitetit Ndërkombëtar të Shkencave Onomastike». Ata , kanë marrë pjesë me referate e kumtesa në disa nga kongreset ndërkombëtare që organizon Organizata Ndërkombëtare e Onomastikës dhe bashkëpunojnë me revistën ndërkombëtare «ONOMA», ku botohet bibliografia themelore për fushën e onomastikës nga të gjitha vendet e botës.

(P. D.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Onomastika


[cite]