ORGANIZATA E KOMBEVE TË BASHKUARA


ORGANIZATA E KOMBEVE TË BASHKUARA
✤ (OKB). Organizatë ndërkombëtare universale, e krijuar më 24.10.1945, me nismën e fuqive të Koalicionit Antifashist. Qëllimi ishte që ajo të bëhej një instrument për ruajtjen e sigurimin e paqes në botë.

Selia e organeve qendrore të OKB u vendos në Nju-Jork të SHBA, ndërsa ajo e degës evropiane në Gjenevë të Zvicrës. OKB ka gjashtë organe kryesore, të cilat janë: Asambleja e Përgjithshme, Këshilli i Sigurimit, Këshilli Ekonomik e Shoqëror, Këshilli i Kujdestarisë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe Sekretariati. OKB është e lidhur dhe me një numër organizatash ndërkombëtare që përbëjnë sistemin e institucioneve të specializuara të Kombeve të Bashkuara. Gjuhët zyrtare që përdoren në Asamblenë e Përgjithshme të OKB janë: anglishtja. arabishtja, frëngjishtja, kinezishtja, rusishtja, spanjishtja. Numri i anëtarëve të OKB sot është 158.

Për shkak të kundërshtimit këmbëngulës të SHBA dhe të Anglisë, Shqipërisë iu mohua e drejta për të qenë anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara deri në vitin 1955. Qeveria Demokratike e Shqipërisë e konsideroi këtë qëndrim si një padrejtësi të madhe që ishte në kundërshtim me vetë parimet e OKB. Përpjekjet për njohjen e të drejtave të pamohueshme të Shqipërisë në OKB vazhduan për vite të tëra. Në vijim të tyre, më 15 dhjetor 1955 Shqipëria u pranua si anëtare e OKB së bashku me 15 shtete të tjera. Qysh nga viti 1956 delegacionet tona në Asamblenë e Përgjithshme të OKB kanë zhvilluar një luftë parimore për demaskimin e imperializmit amerikan dhe më vonë të soeialimperializmit sovjetik. Ato kanë dhënë ndihmesën e tyre për mbrojtjen e të drejtave të popullit tonë, të interesave dhe aspiratave të popujve, të lufës së tyre për liri e pavarësi, kundër politikës së luftës së imperializmit amerikan e më vonë edhe të socialimperializmit sovjetik. Jeta dhe veprimtaria e OKB dëshmon se ajo nuk ka mundur t’i bëjë gjithmonë ballë presionit të fuqive imperialiste e sidomos të dy superfuqive, SHBA dhe Bashkimit Sovjetik. Agresione dhe ndërhyrje imperialiste në rajone të ndryshme të botës janë kryer nën flamurin e OKB, siç ka ndodhur në Kore, në Kongo, në Lindjen e mesme etj.

(Al. Pa.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Organizata E Kombeve Të Bashkuara


[cite]