ORGANIZATAT E MASAVE


ORGANIZATAT E MASAVE
✤ Organizata politike shoqërore, që bashkojnë në gjirin e tyre klasa e shtresa të ndryshme të vendit. Janë pjesë e rëndësishme e sistemit të diktaturës së proletariatit, leva të fuqishme të lidhjes së PPSH me masat punonjëse. Gjithë veprimtarinë e tyre O. e M. e zhvillojnë nën udhëheqjen e në bazë të direktivave të PPSH. Ato punojnë për edukimin e masave me ideologjinë marksiste-leniniste dhe mobilizimin e tyre për zbatimin e programit të Partisë për ndërtimin e socializmit në Shqipëri. O. e M. çojnë te masat në forma të ndryshme vijën e direktivat e PPSH dhe sjellin në Parti zërin e masave, mendimet e sugjerimet e tyre. Në RPS të Shqipërisë ushtrojnë veprimtari këto organizata masash: Fronti Demokratik, vazhdim i drejtpërdrejtë i Frontit NÇ që u krijua gjatë Luftës ANÇ. Është organizata më e madhe politike e masave në vendin tonë. Ai bashkon në gjirin e vet klasën punëtore, fshatarësinë kooperativiste, inteligjencien popullore, të rinjtë dhe gratë e Shqipërisë. Në F. D. mishërohet uniteti i çeliktë moralo-politik i popullit shqiptar rreth PPSH. Baza e pathyeshme e F. D është aleanca e klasës punëtore me fshatarësinë punonjëse.

Bashkimet Profesionale, janë organizata politike shoqërore që bashkojnë në radhët e tyre punëtorët e nëpunësit. Ato shpien te klasa punëtore orientimet e direktivat e PPSH, i organizojnë dhe mobilizojnë punëtorët për realizimin e tyre. Si shkolla të komunizmit, ato bëjnë një punë të madhe për edukimin e klasës punëtore me ideologjinë e Partisë dhe për kalitjen revolucionare të saj me tiparet e moralit komunist. B. P.

ushtrojnë kontroll për zbatimin e Kodit të Punës dhe itë legjislacionit socialist nga administratat e ndërmarrjeve dhe ato shtetërore. Bashkimi i Rinisë së Punës të Shqipërisë është bashkimi vullnetar i të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë, të lidhur midis tyre nga idealet e komunizimit dhe lufta për ndërtimin e mbrojtjen e atdheut socialist. BRPSH është repart i organizuar i masave revolucionare të rinisë të RPS të Shqipërisë, ndihmës besnik dhe rezervë luftarake e PPSH. Bashkimi i Grave të Shqipërisë është organizata politike masive, revolucionare që bashkon me vullnet të lirë masat e gjera të grave në luftë për ndërtimin e socializmit e mbrojtjen e vendit, për emancipimin e plotë të gruas shqiptare. Organizata e Veteranëve të Luftës së Popullit Shqiptar është një organizatë patriotike, vullnetare që ka për qëllim të ruajë dhe të zhvillojë traditat e shkëlqyera patriotike e revolucionare të popullit shqiptar dhe në frymën e tyre të edukojë masat punonjëse, sidomos brezin e ri, për të rrënjosur te ata patriotizmin socialist, besnikërinë ndaj popullit, Partisë dhe socializmit. Organizatat e masave në RPS të Shqipërisë ndërtohen sipas parimit të centralizmit demokratik dhe tërë veprimtarinë e jetën e brendshme të tyre e zhvillojnë në bazë të statuteve përkatëse. Organi më i lartë është Kongresi dhe midis kongreseve Këshilli i Përgjithshëm (për FD, BP dhe BGSH) ose Komiteti Qendror (për BRPSH). Secila prej tyre ka organin qendror të shtypit: «Bashkimi» (për FD) «Puna» (për BP), «Zëri i rinisë» (për BRPSH) dhe «Gruaja shqiptare» (për BGSH), si dhe zhvillojnë një veprimtari të gjerë botuese. Mbajnë lidhje me organizatat përparimtare e antiimperialiste të vendeve të ndryshme, duke dhënë ndihmesë në luftën e klasës punëtore e të popujve për liri e pavarësi kombëtare e çlirim shoqëror.

(A. Ja.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Organizatat E Masave


[cite]