PALEOGJEOGRAFIA


PALEOGJEOGRAFIA
✤ Degë e shkencave gjeologjike, që studion kushtet fiziko-gjeografike të sipërfaqes së tokës në të kaluarën gjeologjike, si: përhapja e steresë dhe e detit, tiparet kryesore dhe trajtat e relievit të tyre, ndryshimet e klimës etj. Bazohet në studimin e përbërjes mineralogjike dhe të kushteve të formimit të shkëmbinjve e mineraleve të dobishme që lidhen me to, të ndryshimeve faciale që pësojnë shtresnajat njëmoshore, si dhe në studimin e kushteve të jetesës e të zhvillimit të organizmave që janë ruajtur në to në trajtë fosilesh. Përfshin hulumtime për ekologjinë, biogjeografinë, klimatologjinë, tektonikën, hidrogjeologjinë, gjeomorfologjinë, vullkanologjinë si dhe litologjinë, mineralogjinë, gjeokiminë etj. të periudhave të kaluara. Përfundimet pasqyrohen në hartat paleogjeografike e litologofaciale të përpiluara për njësi të ndryshme të kohës “gjeologjike, nëpërmjet të të cilave përfytyrohet e kaluara gjeologjike e trevave të ndryshme të kores së Tokës. Në Shqipëri janë kryer e kryhen studime paleogjeografike, veçanërisht për kërkimin e mineraleve të dobishme, që gjenden në shkëmbinjtë sedimentarë, sidomos për naftën e gazin, qymyrin, fosforitin, xeherorët e hekur-nikelit, boksitin etj. Këto studime shoqërohen me harta paleogjeografike të llojeve dhe shkallëve të ndryshme.

(L.P.—H.She.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Paleogjeografia


[cite]