PALEOZOIKU


PALEOZOIKU
✤ Erë e historisë gjeologjike ;të Tokës, që vijon pas parakembrianit e deri në fillim të mesozoikut (shih), që zgjatet në kohë 345 milionë vjet (nga para 570 milionë deri para 225 milionë vjet) dhe gjatë së cilës janë formuar shkëmbinjtë që përbëjnë eratemin paleozoik. Ndahet në periudhat (sistemet): kembrian, ordovikan, silurian, devonian, karbonifer dhe permian.

Në P. kishte një vendosje të kontinenteve dhe deteve shumë të ndryshme nga ajo e sotmja, me mbikontinentin e Laurazisë në hemisferën veriore e atë të Gondvanës në hemisferën jugore. Gjatë P. kanë ndodhur dy malformime të mëdha, ai kaledonian dhe ai hercinian. Ky i fundit përfshin edhe sektorë të trevës mesdhetare e të Albanideve. Në këtë erë dolën kafshët e para detare nga të cilat u zhvilluan edhe amfibët e zvarranikët që në silurian kaluan në stere, ku dolën ndërkohë edhe bimët e para tokësore të ulëta e të ngjashme me alga. Në det u zhvilluan fillimisht kafshët e ulëta jokërbishtore, por me skelet të fortë, e mandej peshqit e parë. Zhvillim pati bimësia, veçanërisht ajo kënetore gjatë karboniferit, kur edhe insektet arritën përmasa të mëdha. Në mbarim të P. u zhduk pothuajse gjysma e klasave të organizmave që jetuan gjatë kësaj ere.

Gjatë P. në Albanidet, që ishin mbuluar nga deti, ashtu si dhe treva mesdhetare, janë formuar kryesisht shkëmbinj sedimentarë terrigjenë e më pak shkëmbinj karbonatikë, të cilët i shohim sot në sipërfaqe sidomos në zonën e Korabit e më pak në atë të Gashit e të Alpeve Shqiptare. Në zonën e Korabit P. përfshin shkëmbinj terrigjenë ranorë, konglomerate, rreshpe deltinore të metamorfizuara si dhe shkëmbinj gëlqerorë të mermerizuar. Takohen edhe shkëmbinj vullkanikë bazikë e acidë. Në zonën e Gashit P. përfshin gjithashtu rreshpe të metamorfizuara, ndërsa në atë të Alpeve Shqiptare, veç rreshpeve përfshin edhe shtresa gëlqerorësh me fusulina.

(V.Me.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Paleozoiku


[cite]