POJANI ORHAN
✤ (1846-1913). Udhëheqës i Lëvizjes për çlirimin kombëtar nga zgjedha osmane në trevën e Korçës. Lindi në Pojan të Korçës. Mori pjesë në lëvizjen kombëtare që në moshë të re. Me Jovan Cico Kosturin dhe Thimi Markon (shih) themeloi më 1886 në Korçë Komitetin e Fshehtë që u mor me përhapjen e ideve kombëtare. U shqua për organizimin e lëvizjes arsimore, për përhapjen e gjuhës dhe shkrimit shqip, ndihmoi pë çeljen e Mësonjëtores së Parë Shqipe në Korçë më 1887 dhe në mbarëvajtjen e saj. Për veprimtarinë e tij patriotike më 1903 u arrestua dhe u internua në Anadoll’. Pas shpalljes së kushtetutës (1908) punoi për organizimin e shoqërive dhe klubeve patriotike në Korçë, u zgjodh kryetar i Klubit «Dituria», delegat i Korçës në Kongresin e Elbasanit dhe kryetar i shoqërisë qendrore shkollore «Përparimi». Përkrahu kryengritjet e viteve 1910-1912 dhe përshëndeti Kuvendin Kombëtar të Vlorës. Në shtator të vitit 1913 shkoi në Vlorë për të takuar Ismail Qemalin. Pas disa ditëve vdiq dhe u varros në Vlorë. (F.X.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Pojani Orhan
[cite]