BARDHI KER


BARDHI KER
✤ (Keri i Sadri Bardhit, ? — 1941). Atdhetar e demokrat, luftëtar i dalluar i krahinës së Rugovës. Së bashku me kryengritësit e Rugovës e të Pejës mori pjesë në kryengritjen e përgjithshme të v.1912 kundër sundimit osman; Në vjeshtën e v.1918 udhëhoqi forcat vullnetare të Rugovës në luftën kundër pushtuesve austro-hungarezë. Gjatë dimrit 1918-1919, duke qenë anëtar i komitetit «Mbrojtja Kombëtare e Kosovës» për Plavën, Gucinë e Rugovën, udhëhoqi qëndresën popullore kundër forcave serbo-malazeze. Ishte ndër drejtuesit e lëvizjes së armatosur të malësorëve të Veriut më 1922 kundër forcave qeveritare zogiste në prefekturën e Kosovës (Krumës). Gjatë viteve 1922-1923 luftoi për mbrojtjen e «Zonës neutrale» të Junikut, që shërbente si bazë e forcave kryengritëse çlirimtare e demokratike të Kosovës e të Malësisë së Gjakovës. Deri më 1924 udhëhoqi grupin e kryengritësve të Rugovës, që luftonin kundër sundimit të mbretërisë serbo-kroate-sllovene. U vendos në Shqipëri më 1925 në fshatin Gorë, ku edhe vdiq,

(A.Ha.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Bardhi Ker


[cite]