BASHKIMI I RINISË ANTIFASHISTE SHQIPTARE


BASHKIMI I RINISË ANTIFASHISTE SHQIPTARE
✤ (BRASH). Organizatë që bashkonte masat e gjera të rinisë antifashiste shqiptare në luftën kundër pushtuesve fashistë e veglave të tyre. U krijua me iniciativën e PKSH, në bazë të orientimeve e direktivave të saj dhe nën kujdesin e drejtpërdrejtë të sh. Enver Hoxha, në përputhje me vendimet e Konferencës I të Vendit të PKSH (shih). Konferenca shtroi detyrën për bashkimin, organizimin dhe hedhjen e tërë brezit të ri në luftë për një Shqipëri të lirë, të pavarur e demokratike. Një rol të rëndësishëm luajti Konferenca I e Vendit e Aktivit të RKSH (shih) që shqyrtoi në mënyrë të posaçme këtë problem. Konferenca II NÇl (shih) e njohu BRASH-in si organizatën e rinisë antifashiste shqiptare që do të bënte pjesë në Frontin NÇ. Pas shtatorit 1943 nisën të krijoheshin kudo organizatat e BRASH-it, duke filluar një fazë e re në organizimin dhe mobilizimin e masave të gjera të rinisë dhe në forcimin organizativ të BRASH. Në konferenca të gjera në qarqet u krijuan komitetet e qarkut të BRASIi, pothuaj në të gjithë Shqipërinë. Në gusht 1944 u mbajt Kongresi I i Rinisë Antifashiste Shqiptare (shih). BRASH drejtohej në tërë veprimtarinë e vet nga organizata e Rinisë Komuniste Shqiptare (shih) dhe rolin kryesor në gjirin e saj e luanin të rinjtë komunistë, që ishin anëtarë të kësaj organizate.

BRASH zhvillonte në çdo krahinë, fshat e lagje një veprimtari të gjerë dhe të suksesshme për të bashkuar e mobilizuar gjithë rininë në Luftën ANÇ dhe ndihmonte në përmbushjen e detyrave politike, shoqërore, ushtarake, ekonomike, kulturore etj. që shtronte Partia. Pas Çlirimit të vendit, në përputhje me programin e saj, në kushtet e zhvillimit të mëtejshëm të revolucionit dhe të ndërtimit fë shoqërisë socialiste në Shqipëri, kjo organizatë mori emrin Rinia Popullore dhe në Kongresin e Unifikimit (shih) u shkri në Bashkimin e Rinisë së Punës të Shqipërisë (shih).

(Sh.A.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Bashkimi I Rinisë Antifashiste Shqiptare


[cite]