BILBILENJTË


BILBILENJTË
✤ Luftëtarë kaçakë kurveleshas, që vepruan në v. 1850-1870 në Shqipërinë J e në vise të tjera të Rumelisë kundër administratës së pushtuesve osmanë dhe bejlerëve. Sipas kujtimeve popullore «Çeta e Bilbilenjve» përbëhej prej 13 vetash. Emrin e mori prej udhëheqësit të saj Bilbil Sako (bari nga fshati Rexhin) dhe nënkomandantit Bilbil Resuli (nga Progonati). Si aksione të B. njihen thyerja e arkave financiare shtetërore në Janinë. djegia e ndërtesës qeveritare të Voshtinës, dëmtimi i karvaneve të postës. goditjet e shpeshta kundër njerëzve të administratës osmane dhe bejlerëve. Veprimet e B. dëmtonin prestigjin e administratës osmane. Për asgjësimin e tyre Stambolli dërgoi në vitet 70 në Kurvelesh një ekspeditë ushtarake e cila pas 8 muaj ndjekjesh mundi ta shtjerë në dorë çetën. Të 13 pjesëtarët e saj u dënuan me varje në Janinë. Populli i ka kënduar sidomos qëndrimit burrëror të tyre në çastin e vdekjes: Ngreu Bilbil, të hedh litarë!/Dale bej, të dredh cigarë,/ /se nuk jam çanak me dhallë,/po jam Bilbili me pallë!

(Q.H.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Bilbilenjtë


[cite]