BRESHKËZAT


BRESHKËZAT
✤ Insekte të rendit krahënjëjtë (Homoptera), megjithëse tek femëra mungojnë krahët, që parazitojnë mbi bimët e mbjella ose të egra. Pas vitit të parë larvat i humbasin këmbët dhe mbi shpinë kanë një shtresë dyllore me pulia si gualli i breshkës. B. janë dëmtues të rrezikshëm të bimëve bujqësore, që në periudha të veçanta kur gjejnë kushte të përshtatshme, shtohen e dëmtojnë mbi 60% të prodhimit dhe mund të shkaktojnë tharjen e pjesshme ose të plotë të drurëve frutorë. B. thithin lëngjet e bimëve dhe lëshojnë lëndë helmuese. B. në Shqipëri janë të përhapura në bimë të kultivuara dhe spontane. Më të rrezikshme janë B. e pemëve frutore (Quadriaspidiotus perniciosus); B. e ullirit (Seissetia oleae), B. e fikut (Ceroplastes rusci) etj. Luftohen duke i spërkatur me insekticide.

(T. Ka.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Breshkëzat


[cite]