BRIGADA XXIII SULMUESE E UNÇSH
✤ U formua në Zall-Mner të Tiranës, më 21.9.1944, nga batalionet «Krujë-Ishëm», «Dajti», e «Mati» me efektiv rreth 700 luftëtarë, që u organizuan në tri batalione. Që me krijimin u fut në përbërjen e D I S (shih) dhe mori pjesë në luftën e Tiranës (shih). Forcat e saj për afër dy muaj rresht goditën autokolonat gjermane në rrugën Vorë-Milot, si dhe garnizonet e fortifikuara të armikut në Krujë, Vorë e Ura e Zezë dhe u shkaktuan atyre humbje të rënda. Ndërkohë shpartalloi forcat e Legalitetit në zonën e Ishmit dhe me veprimet e saj luftarake bëri që 400 forca të tyre të dorëzoheshin. Në fund të muajit tetor organizoi mbrojtjen e bregdetit në zonën e Ishmit, për të ndaluar çdo zbarkim të mundshëm të forcave anglo-amerikane në atë drejtim. Pas goditjeve të ashpra e të vijueshme, më 1 nëntor çliroi Krujën. Me urdhër të Shtabit të Korparmatës I S më 17 nëntor Br.XXIII S në bashkëveprim me Br.XXIV S (shih), vazhdoi ndjekjen e forcave gjermane që po tërhiqeshin në rrugën Milot-Lezhë-Shkodër, duke i shkaktuar armikut humbje të ndjeshme; më 18 nëntor çliroi Milotin, më 23 nëntor Lezhën dhe së bashku me forcat e disa brigadave të tjera, mori pjesë në çlirimin e Shkodrës. Me urdhër të Komandës së Përgjithshme, kaloi kufirin shtetëror dhe vazhdoi veprimet luftarake në Mal të Zi bashkë me Br.VII S (shih) dhe Br.XXIV S (shih) për të ndihmuar në çlirimin e popujve të Jugosllavisë.
(K.C.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Brigada Xxiii Sulmuese E Unçsh
[cite]