BRIGADA
✤ Njësi taktike që përbëhet nga disa reparte. Në ndërtimin ushtarak është më e vogël se divizioni dhe më e madhe se batalioni (grupi). B. si njësi luftarake ka lindur në gjysmën II të shekullit XVI në ushtrinë spanjolle. Në Shqipëri ndeshet për herë të parë në Ushtrinë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878-1881), e cila përbëhej nga dy regjimente me gjithsej rreth 4.000 veta.

Gjatë Luftës ANÇ u formuan Brigadat Sulmuese të UNÇSH (shih) të përbëra nga 3-5 batalione. Pas Çlirimit B. mbeti në strukturën e UP si njësia kryesore taktike. Ka pasur edhe B. të Mbrojtjes së Popullit, të përcaktuara për asgjësimin e bandave të armatosura dhe mbeturinave të reaksionit. Në trupat tokësore B. zakonisht përbëhet nga disa batalione (grupe) të llojeve të armëve, nënreparte të trupave speciale dhe të prapavijës. B. mund të jetë këmbësore, tankiste, artilerie, xheniere, ndërlidhjeje etj. Në forcat luftarake-detare mund të jetë B. e anijeve mbiujëse, nëndetësesh etj.

(A. Çe.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Brigada


[cite]