BULMETI
✤ Qumështi e prodhimet që bëhen me përpunimin e tij. Në blegtorinë tradicionale ndahej në tri lloje: i leshtë, i dhirtë dhe i lopërt. Qumështi (ose tamli siç quhej në Shqipërinë V e VP) përpunohej në shtëpi, në stane dhe në punishtet e njohura me emrin haxho. Prej tij nxirrej gjalpë (tëlynë), djathë, gjizë, kos, dhallë, salcë kosi, hirrë (që quhej në V e VP kumësht) etj. Për të nxjerrë gjalpin qumështi rrihej në tundës druri (dybek, fti), i cili kishte përmasa të ndryshme: në shtëpi më i vogël e në stane më i madh (tundës me krahë). Në Labëri qumështi rrihej edhe në kacek lëkure, që futej në një gropë dhe tundej me këmbë. Në disa krahina qumështi i ngrohtë hidhej në korita druri të cekëta e lihej në vende të freskëta (në çarranik), pastaj i rnerrej cipa që formohej (maza), prej së cilës përgatitej gjalpi. Nga djathërat më i pëlqyeri ishte djathi i bardhë e vetëm në shekullin tonë hyri kaçkavalli. B. ruhej në enë druri, lëkure e më rrallë në enë balte.
Me përpunimin e qumështit në shtëpi zakonisht merrej një grua që quhej stanore, bulmetore ose baçice (Shqipëri e Veriut, Kosovë), dhe shpreshë (Shpat Elbasan). Në stane me B. merreshin edhe burrat. Nga fundi i shek. të kaluar në Shqipërinë e J u përhapën edhe baxhot, si ndërmarrje me tipare kapitaliste. Pas Çlirimit qumështi (shih) për të plotësuar kërkesat gjithnjë në rritje të popullit, përpunohet në sasi të mëdha nga industria e qumështit (shih).
(S. Sh.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Bulmeti
[cite]