DEMI MUSA
✤ (1872-1971). Atdhetar e luftëtar për çlirimin e Shqipërisë nga zgjedha osmane. Lindi në Filat të Çamërisë. Bashkëpunoi në shtypin shqiptar të Rilindjes dhe ishte kryeredaktori i parë i gazetës «Zgjim i Shqipërisë» (shih). Botoi me pseudonimet Ushtari, Damo Lasko, M. Çami, M. D., Musa Mulati etj. Punoi si mësues në shkollën e çelur prej shoqërisë «Vëllazëria» të Filatit. Morl pjesë aktive në kryengritjen e viteve 1910-1912 si luftëtar në çetën e Muharrem Rushitit në Shqipërinë e Jugut. Ishte anëtar i përfaqësisë së kryengritësve të Jugut në bisedimet me përfaqësuesit e qeverisë osmane (gusht 1911). Nëpunës i lartë në qeverinë e përkohshme shqiptare pas Shpalljes së Pavarësisë, në vitet 1912-1913 punoi për të shtrirë pushtetin e qeverisë së Vlorës në gjithë Shqipërinë e Jugut. Pas dorëheqjes së qeverisë së Ismail Qemalit, u kthye në Filat, ku luftoi për mbrojtjen e të drejtave kombëtare të pakicës shqiptare në shtetin grek. U burgos dhe u internua disa herë prej qeverisë greke. Vdiq në Tiranë.
(I.H.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Demi Musa
[cite]