DUHANI
✤ (Nicotiana tabacum, L.). Bimë barishtore njëvjeçare e kultivuar, e familjes solanore (Solanaceae) me rrënjë boshtore, me kërcell deri 3 m të lartë, me gjethe të thjeshta eliptike gjatore deri 50 cm, me lule të shumta të bardha të vendosura në melth që lulëzojnë në qershor-shtator. Bën fryt një kapsulë me shumë fara. D. e ka prejardhjen nga vendet e nxehta të Amerikës Qendrore. Në Shqipëri mbillet kryesisht në Gjirokastër, Tepelenë, Vlorë, Fier, Berat, Shkodër, Elbasan, Pogradec me tri lloje: D. oriental, gjysmëoriental e gjethemadh. Mbillet në temp. 12°C, është bimë që pëlqen dritën e nxehtësinë. Gjethet vihen në disa duar e thahen. Instituti i duhanit (shih) bën studime dhe punë gjenetike-seleksionuese, për trajtimin, gjetjen dhe përhapjen në prodhim të kultivarëve e të hibrideve me prodhimtari të lartë. Sipërfaqja e mbjellë me D. në v.1983 zinte 3.7% të sipërfaqes së mbjellë me kulturat e arave. Prodhimi i tij në v.1983 kundrejt v. 1938 është rritur 8 herë, kundrejt v. 1960 2 herë, kundrejt v. 1970 .rreth 1,3 herë. Përbërësit kryesorë të D. janë lëndët proteinike, nikotina dhe alkaloidet e tjera shoqëruese, karbohidrate, polifenole, vajra eterike etj. Nikotina është lënda e dëmshme që përmban D. Përdoret kryesisht për ta tymosur në mënyra _dhe forma të ndryshme; cigare, duhan për llullë, puro etj. Sipas vetive të tymit D. ndahet në acide e bazikë. D. acide përdoren kryesisht për prodhimin e cigareve (shih), D. bazike përdoren për prodhim purosh. Për të përmirësuar treguesit fizikokimikë e shijen e D. ai fermentohet në mënyrë natyrore që zgjat 1-2 vjet ose industriale (fermentim artificial) që zgjat vetëm disa ditë. D. është i dëmshëm për organizmin e njeriut dhe mund të shkaktojë sëmundje të tilla si: kanceri i mushkërive, bronkite ‘kronike me ndërlikime, infarkte të miokardit, hipertension arterial, gastrite dhe pagjumësi.
(N. Ç.— M. Shi.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Duhani
[cite]