Lule shqiponje (monstera) Lule shqiponja ose monstera është një bimë shumëvjeçare, që zhvillohet mirë edhe në dhomat e banesave. Kjo bimë ka shumë rrënjë të vogla dhe gjethe të trasha të mëdha me ngjyrë të gjelbër dhe buzë të çara thellë, pothuaj deri në afërsi të dellit kryesor. Bimët e reja të lule shqiponjës i kanë gjethet buzëplota; vetëm më pas bima fillon të nxjerrë gjethet buzëçara. Lule shqiponja, që të zhvillohet mirë, duhet të mbahet në vazo të mëdha, të ujitet rregullisht dhe me mjaft ujë, por jo jashtë masës. Megjithatë, sado mirë që të kultivohet, brenda në dhoma ajo rrallëherë lulëzon Gjatë rritjes së kësaj bime, duhet pasur kujdes që të mos dëmtohen rrënjët mitake, kurse gjethet e saj duhet të pastrohen nga pluhurat me leckë të lagur. Lule shqiponja e kalon dimrin në qetësi; gjatë kësaj kohe ajo nuk nxjerr gjethe të reja.