Kaktacetë Kaktacetë janë bimë dythelbore. Ato i kanë kërcejtë në formë cilindrike, në formë rruzulli ose dhe në formë të sheshtë. Këto bimë nuk kanë fare gjethe ose kanë gjethe në trajtën e gjembave. Bimët e kësaj familjeje e kanë vendprejardhjen nga krahinat e Amerikës, në një zonë që shtrihet nga Kanadaja deri në Patagoni. Lloje të kësaj familjeje rriten edhe në vende të tjera të botës. Sot njihen rreth 1500 lloje kaktacesh. Disa lloje kaktacesh, sidomos në Meksikë, përdoren si bimë ushqimore. Degëzat e këtyre bimëve hahen të ziera ashtu si hamë edhe barbunjat e njoma, Po kështu hahen edhe frutat edhe lulet e tyre. Frutat e disa lloje kaktacesh, si p.sh. të fikut të detit, mund të hahen të freskëta, të thata ose mund të bëhen edhe reçel. Në Meksikë, me lëngun e tulit të frutave të tyre, përgatiten pije alkoolike të ndryshme e të ëmbla. Por ndërmjet llojeve të ndryshme të kaktaceve, ka ndonjë që mund të jetë edhe helmuese. Kaktacetë përdoren edhe si bimë zbukurimi; ato rriten mirë edhe në mjedise të mbyllur, në serra dhe në dhoma. Këto bimë japin lule të bukura. Madje ka disa lloje kaktacesh që janë bimë shkurtabiqe, që mund të mbahen mirë në një enë ose në një vazo të vogël, jo të thellë. Zakonisht këto bimë kultivohen në serra të ngrohta, por, në vendet me klimë mesatare dhe në ato vende që mund të mbrohen nga të ftohtit e dimrit, mund të mbillen edhe jashtë, në natyrë, nëse temperatura e natës nuk zbret nën + 10°C. Kur kultivohen në serra, për zhvillimin e mirë të tyre, temperatura duhet të mbahet në kufijtë +10°— 12°C, ndërsa në dhomat e shtëpive ajo nuk duhet të ngrihet më lart se +18°C. Kaktacetë që rriten nëpër dhoma, me: temperaturë deri +18°C, duhet të ujiten dy herë në muaj, ndërsa ato që rriten në serra vetëm një herë në muaj. Uji me të cilin ujiten kaktacetë duhet të ketë temperaturën e dhomës; nuk këshillohet që këto bimë të ujiten me ujë të ftohtë. Kur kultivohen jashtë në natyrë, gjatë verës duhet të ujiten më shpesh.