Përhapja e farave Në natyrë farat e bimëve të ndryshme përhapen me anën e erës, të ujit, të kafshëve dhe të vetë njeriut. Farat e luleshtrydhes, p.sh., janë bartur nga era 4-5 km nga vendi ku janë prodhuar e deri 1000 metra mbi nivelin e detit; edhe farat e pambukut, megjithëse janë të rënda, në sajë të disa qimeve të gjata 5-8 cm që kanë e që i mbështjellin ato, mbarten nga era disa km larg nga vendi ku u prodhuan. Farat e plepit, nga mesi i prillit të çdo viti, i shikojmë se si era i përhap andej-këtej dhe porsi një borë e bardhë mbulojnë me një shtresë të hollë rrugët dhe trotuaret. Farat përhapen në forma të ndryshme. Kështu ndodh që, në stepat, nga mbarimi i vjeshtës, shumë bimë thahen. Degët e tyre, të shtyra nga era, mbështillen në formë rruzulli dhe përshkojnë, duke u rrotulluar, hapësira të mëdha. Gjatë këtyre rrotullimeve, farat e tyre shkoqen dhe ndodh shpesh që të përhapen dhjetëra e dhjetëra kilometra larg nga vendi ku u prodhuan. Farat përhapen edhe me anë të rrymave detare, p.sh. nga Amerika në Evropë. Në, kepin e Evropës Veriore mblidhen ndonjëherë farat e bimës së kokosë, që i bartin deri aty rrymat detare.