Qitroja  I pari agrum që u përhap në pellgun e Mesdheut është qitroja. Kjo bimë, mendojnë studiuesit, u përhap në Mesdhe pas fushatës së Lekës së Madh në Azi. Në fillim qitroja nisi të kultivohet në Azinë e vogël, pastaj në Afrikën e Veriut dhe më pas në Greqi. Që qitroja është kultivuar në pellgun e Mesdheut që në kohën e lashtë, flet edhe fakti se atë e përmendin në shkrimet e tyre Teofrasti dhe poeti romak Virgjili. Në vendin tonë qitroja kultivohet në Himarë, në Borsh etj. Veçanërisht e përmendur është një lloj qitroje që vlerësohet shumë edhe në tregun e jashtëm për cilësitë e saj të larta.      Fruta e qitros përdoret për qëllime të ndryshme. Kështu, p.sh., lëkura e qitros (20-50 gr lëkurë e përzier me 200 gr ujë) përdoret për të bërë infuzione; esenca e qitros, 1-5 pika të trasha në sheqer, ndihmon për tretjen e ushqimeve dhe për mënjanimin e gazrave te njerëzit që gromësijnë. Uji i qitros mund të përdoret nga ata njerëz që kanë dhimbje stomaku dhe që janë me kolit. Por vlerat e kësaj frute nuk mbarojnë me aq: me lëkurën e qitros përgatiten reçelra dhe ëmbëlsira të shijshme; esenca që nxirret nga lëkura e saj përdoret në parfumeri ose edhe për të përgatitur shurupe; lëngu i frutës, i përzier me sheqer, është një pije freskuese shumë e kërkuar.

 

Në botën e bimëve

[cite]