Akademia e Voskopojës
Akademia e Voskopojës (1750). Ndërtesa e Akademisë së Re në Voskopojë u ngrit në vitin 1750 kryesisht me ndihmën financiare të rufeteve të mëdha, por edhe atyre të vogla, ku së bashku dhanë 312 000 aspra. Nga të ardhurat e rufeteve janë paguar mësuesit e shkollave. Akademia pati emër të madh si brenda dhe jashtë vendit. Nismëtarë për ngritjen e saj qenë Patriku i Ohrit Joasafi dhe Theodhor Kavalioti. Sipas disa të dhënave nga Lambridhini thuhet se guri i themelit u vu më 1741 dhe se punimet përfunduan më 1750. Në përurimin e saj erdhi vetë Mitropoliti i Korçës Niqifori, i shoqëruar nga gjashtë arkondë. Drejtori i parë ka qenë Sevet Leontiadhi nga Kosturi, i laureuar në filozofi e në filologji në universitetin e Padovës (Itali). Në drejtimin e saj ka qenë edhe dijetari i shquar Theodhor Kavalioti, që shërbeu si arsimtar në vitin 1753. Në këtë Akademi mësuan shumë nxënës edhe nga vise të tjera të Shqipërisë si Korça, Elbasani, Përmeti, Gjirokastra, por edhe nga Greqia dhe Maqedonia. Gjuha që është përdorur ka qenë greqishtja si një gjuhë ndërballkanike për gjithë ortodoksinë. Disa nga lëndët që jepeshin në këtë Akademi ishin greqishtja e vjetër dhe ajo e re, gramatika, letërsia, logjika, filozofia, theologjia, fizika, matematika etj. Didaktika që ndiqej në këtë shkollë luhatej ndërmjet shkencës dhe fesë, arsyes dhe besimit.
Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)
Bibliografia:
1-Max demeter Peyfuss, Shtypshkronja e Voskopojës 1731- 1769, Shtëpia e librit dhe e komunikimit, Tiranë 1996.