AKSIONI PËR ÇLIRIMIN E LIBOHOVËS


AKSIONI PËR ÇLIRIMIN E LIBOHOVËS
✤ (10-11 shkurt 1943). Morën pjesë çeta partizane «Koto Hoxhi* dhe njësiti gueril i Libohovës dhe ai i Nepravishtës. Forcat italiane përbëheshin prej një toge karabinierësh dhe një toge të Rojës së Financës. Një pjesë e forcave partizane rrethoi garnizonin armik, që vazhdonte të bënte qëndresë, ndërsa pjesa tjetër organizoi pritë në hyrje të Libohovës ku luftoi rreth një orë e gjysmë me një kompani ushtarësh të përforcuar me një autoblindë që u vinte për ndihmë nga Gjirokastra. Forcat partizane përballë epërsisë së armikut u tërhoqën mbi qytet. Natën u erdhën në ndihmë çetat territoriale, duke e rritur numrin e partizanëve në 300. Armiku që e ndjeu shpejt rrezikun, u tërhoq me nxitim drejt Gjirokastrës, duke lënë armë, municione e materiale të tjera në duart e partizanëve. Në mëngjesin e 11 shkurtit Libohova u çlirua, ajo ishte e treta qendër nënprefekture që u çlirua nga forcat partizane dhe me të u zgjeruan edhe më tepër zonat e lira në qarkun e Gjirokastrës.

(M. li.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Aksioni Për Çlirimin E Libohovës


[cite]