ALEKSANDËR MOLOSI
✤ (362-330 p.e.r.). Mbret nga fisi i molosëve në Epir, biri i Neoptolemit dhe vëllai i Olimpisë. Sundoi më 342-330 p.e.r. Erdhi në krye të mbretërisë molose me nclihmën e kunatit të vet, Filipit II, i cili më 342 p.e.r. ndërhyri ushtarakisht në Epir dhe dëboi nga froni Arrybën, që kishte filluar të orientohej nga Athina. A. M. ndoqi politikën e aleancës me Maqedoninë, të cilën e forcoi më tej duke u martuar me Kleopatrën, të bijën e Filipit II. Gjatë sundimit të A. M. Lidhja Molose i zgjeroi shumë kufijtë drejt krahinave J e VP të Epirit, duke përfshirë edhe Tesprotinë, që i siguroi daljen në det. Për interesat e klasave sunduese, sidomos të tregtarëve ndërhyri aktivisht në çështjet e qyteteve greke të Italisë së Jugut. Përfitoi nga kërkesa për ndihmë që i dërgoi Tarenti, i kërcënuar nga lukanët më 334 p.e.r. Korri fitore në Herakle, Tarent, Sipont e Apulje, por forcat e A. M. më të pakëta në numër u thyen në dimrin e viteve 331-330 nga lukanët e bashkuar me samnitët, pas një beteje të përgjakshme pranë Pandosisë, jo larg Kozencës. Në betejë u vra edhe vetë A. M.
(F. D.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Aleksandër Molosi
[cite]