Algat  Algat formojnë një grup të madh bimësh me shumë lloje që, në më të shumtën e rasteve, jetojnë në ujë, në ujë deti ose në ujë të ëmbël. Por ka edhe alga që jetojnë në vende me lagështirë. Algat janë të pajisura me klorofil, prandaj janë të afta të kryejnë procesin e fotosintezës.            Në disa grupe algash, ngjyra e gjelbër e klorofilit mbulohet nga ngjyra të tjera. Këto alga kanë disa pigmente të posaçme që u japin atyre ngjyrë të verdhë, të kuqe, blu ose edhe ngjyrë vjollcë. Në sajë të këtyre ngjyrave që marrin. këto alga mund të zhvillojnë fotosintezën edhe në thellësi të detit.    Deri më sot janë përshkruar nga botanistët rreth 20 mijë lloje algash. Ndër to ka alga të vogla mikroskopike, por ka edhe alga të mëdha, si p.sh. alga varec, e cila arrin edhe deri në 50 metra gjatësi.       Algat janë bimë me rëndësi të madhe ekonomike, sepse gjatë procesit të fotosintezës ato pasurojnë ujin e deteve e të liqeneve me oksigjen. Në mungesë të këtyre bimëve do të ishte e pamundur jeta në dete e në liqene e shumë organizmave, si p.sh. e celenteratëve, e peshqve etj. Algat e detit, në disa vende, pasi përpunohen përdoren edhe si lëndë ushqyese për kafshët bujqësore.

 

Në botën e bimëve

[cite]