BALLI KOMBËTAR


BALLI KOMBËTAR
✤ Organizatë politike reaksionare e krijuar në nëntor 1942, si kundërveprim ndaj Frontit Nacionalçlirimtar (shih), për të luftuar e shkatërruar Lëvizjen ANÇ të popullit shqiptar, Frontin NÇ dhe PKSH që i udhëhiqte ato, Në këtë organizatë tradhtare bënin pjesë çifligarë e tregtarë të mëdhenj, klerikë reaksionarë, fshatarë të pasur, intelektualë borgjezë e politikanë të falimentuar të çdo regjimi. Në krye u vu pseudopatrioti Mithat Frashëri. B.K. deklaronte se nuk e njihte Konferencën e Pezës (shih). Ai shpalli programin e vet prej 10 pikash (dekaiogu), që kish karakter demagogjik e mashtrues, dhe me të gjithë veprimtarinë ndihmoi pushtuesit fashistë në luftën kundër Lëvizjes ANÇ të popullit shqiptar. Për të mashtruar masat popullore e për t’i shkëputur ato nga PKSH, në fazën fillestare Balli u përpoq ta maskonte bashkëpunimin me pushtuesit fashistë, të paraqitej në opinionin publik sikur ishte për luftë kundër tyre etj. Ai krijoi të ashtuquajturat çeta e këshilla për t’i përdorur për realizimin e objektivave të tij antikombëtare. Parulla kryesore e B.K. ishte «Të presim kur të vijë koha».

Dalja e B.K. me program demagogjik e ndërlikoi gjendjen në vend. Në këto rrethana, PKSH veproi në mënyrë shumë të matur, me urtësi dhe largpamje. Në fillim ajo ndoqi taktikën e demaskimit të parullës disfatiste të B.K. se nuk kishte ardhur koha për luftë kundër italianëve, i bëri thirrje atij që të hynte në luftë kundër pushtuesve dhe të rreshtohej në Frontin NÇ, në të cilin bënin pjesë të gjitha forcat antifashiste të vendit. Pika më e dobët e B.K. ishte çështja e pjesëmarrjes në luftën me armë kundër pushtuesve. Pikërisht këtu iu dha edhe goditja kryesore nga Partia, me qëllim që të bëhej diferencimi në radhët e tij, të tërhiqeshin në luftë ata që ishin gënjyer, të demaskohej qëndrimi tradhtar i krerëve të B.K, e të dënoheshin të gjithë ata që pengonin bashkimin e popullit shqiptar në luftë kundër pushtuesit të huaj dhe tradhtarëve. Me pushtimin e vendit nga nazistët gjermanë në vjeshtë të v,1943 B.K. i hoqi maskat, doli sheshit në shërbim të tyre dhe u hodh në luftë të hapur kundër Lëvizjes NÇ. Në këto kushte Partia iu përgjigj Ballit Kombëtar me luftë të armatosur deri në shkatërrimin e tij të plotë së bashku me pushtuesit gjermanë.

(M.De.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Balli Kombëtar


[cite]