BETEJA E SHTIMJES DHE E SLIVOVËS


BETEJA E SHTIMJES DHE E SLIVOVËS
✤ (1881). Beteja më e rëndësishme që zhvilloi ushtria e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit më 1881 kundërushtrisë osmane. Afër 4000 vullnetarë shqiptarë, patën përballë 20 batalione të armatës së Dervish pashës me rreth 15.000 ushtarë e oficerë të pajisur me armatimin më të mirë të kohës. Forcat osmane morën në fund të marsit Shkupin dhe marshuan drejt Ferizajt për të nënshtruar fushën e Kosovës. Forcat shqiptare me Mic Sokolin dhe Ali Ibrën zunë vend afër Shtimjes, ndërsa një pjesë tjetër pranë fshatit Slivovë.

Luftimet u zhvilluan prej 18 deri më 20 prill, Ushtria osmane u hodh në mësymje në front të gjerë, e mbështetur nga zjarri i dendur i artilerisë. Luftëtarët e Lidhjes i thyen më se një herë sulmet e saj dhe kundërsulmuan disa herë, Në një nga këto kundërsulme Mic Sokoli (shih) bllokoi me trupin e tij një grykë topi të armikut. Më 21 prill shqiptarët, për shkak të epërsisë së armikut, u tërhoqën. Më 22 dhe 23 prill ata zhvilluan ndeshje në Dukël dhe Suharekë, për të penguar osmanët të hynin në Prizren. Në maj u bënë përleshjet e fundit me osmanët në thellësi të Rrafshit të Dukagjinit dhe të Kosovës, (Q.Z.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Beteja E Shtimjes Dhe E Slivovës


[cite]