BLLOSHMI Vilson
(Person i dënuar nga regjimi komunist)

Poet, përkthyes, «Mësues i Popullit». Lindi më 18 mars 1948, në fshatin Bërzeshtë të rrethit të Librazhdit. Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes, kurse pedagogjiken në Normalen e Elbasanit (1966). Megjithë kërkesat e shumta bërë në Drejtorinë Arsimore të rrethit të Librazhdit, nuk u lejua të fillonte punë si mësues. Ndaj dhe u shtrëngua të punonte në Ndërmarrjen e Shfrytëzimit të Pyjeve në Stravaj. Pas kryerjes së shërbimit ushtarak, më 1970 filloi punë në kooperativë. U arrestua më 5 gusht të vitit 1976 në Librazhd. Që këtu u dërgua menjëherë në Tiranë. Pas një viti torturash në hetuesitë e Tiranës dhe të Librazhdit, më 6 qershor 1977 u nxorr përpara Gjykatës Popullore të Rrethit të Librazhdit, «akuzuar për krimin e agjitacionit e propagandës kundra pushtetit popullor». Një javë më vonë, më 13 qershor, gjykata e deklaroi fajtor dhe, së bashku me Genc Lekën [shih], e dënoi «me vdekje pushkatim, me konfiskimin e pasurisë dhe me humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë». Ky vendim u la në fuqi, si nga Gjykata e Lartë, ashtu dhe nga Presidiumi i Kuvendit Popullor. Dhe, më 17 korrik 1977 u zbatua urdhëri i Ministrit të Brendshëm për ekzekutimin e tij në orën 00. Në vitin 1994, ditën e rivarrimit, Presidenti i Republikës i akordoi medaljen «Martir i Demokracisë». Një vit më vonë, njërës prej shkollave 8 vjeçare në Librazhd iu vu emri «Vilson Blloshmi», dhe po këtë vit u dekorua «Mësues i Popullit». Më 30 qershor 2006, nën kujdesin e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe në prani të Presidentit të Republikës, në Librazhd u përurua memoriali i dy poetëve martirë të demokracisë, Genc Lekës e Vilson Blloshmit. Po këtë ditë ata u shpallën «Qytetarë Nderi» të Bashkisë së Librazhdit. Në janar 2009 iu dha çmimi «Lasgush Poradeci» për librin më të mirë poetik të vitit (postum). Në maj të vitit 2010, Presidenti i Republikës i akordoi urdhërin «Nderi i Kombit». Bedri Blloshmi, Rrëfime nga ferri komunist, Tiranë, 2011, f. 169, 173-175, 395-397.

Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI I
Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit

[cite]