BORA Sadik
(Person i dënuar nga regjimi komunist)

Veprimtar i lëvizjes kombëtare shiptare. Lindi më 16 dhjetor të vitin 1900, në fshatin Vajzë të Vlorës. Arsimin fillor e kreu në shkollën e fshatit. Më vonë, gjyshi i tij e dërgoi për të vazhduar studimet në Vlorë e pastaj në Labovë të Gjirokastrës. Detyrën si mësues e filloi më 1919 në disa fshatra të Vlorës: Gorisht, Kaninë, Vajzë, Ramicë, Sevaster, Mavrovë, Velçë etj. Mori pjesë aktive në krijimin e klubit patriotik «Mbrojtja Kombëtare», që organizoi luftën e Vlorës. Në vitin 1924 i ofroi shërbimet e tij qeverisë Noli. Gjatë periudhës së Mbretërisë, mori pjesë në tre përbetimet e viteve 1932, ’35 dhe ’37. Pushtimi fashist e gjeti tek të 40-at, me përvojë dhe kontribut të madh në lëvizjen kombëtare. U fut në radhët e organizatës nacionaliste «Balli Kombëtar». U arrestua që më 1944 dhe u dënua me pushkatim, por mbrotja që i bënë në gjyq bashkëfshatarët dhe qytetarët e Vlorës, të cilët ngulnin këmbë në pafajësinë e tij, i detyruan autoritetet t’ia ulnin dënimin në 10 vjet heqje lirie. Më 5 shkurt 1946, Komiteti Ekzekutiv i Nënprefekturës Qendër Vlorë vendosi sekuestrimin e gjithë pasurisë së tij. Pas lirimit nga burgu, si pasojë e dhunës dhe terrorit që u ushtrua ndaj tij, familjes dhe rrethit të tij familijar, u çmend. Vdiq në javën e parë të korrikut të vitit 1976. Pas rënies së Komunizmit, me Dekret të Presidentit të Republikës, u dekorua me urdhërin «Naim Frashëri» i klasit të parë, për kontributin e dhënë në shtrirjen e arsimit dhe për edukimin e rinisë me ndjenja patriotike, liridashëse dhe demokratike. Gazeta Zyrtare, nr. 48, 30 maj 1946, fq. 7.

Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI I
Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit

[cite]