BOSHNJAKU Kostandin
(Person i dënuar nga regjimi komunist)

Veprimtar politik, deputet i legjislaturës së parë, Drejtor i Përgjithshëm i Bankës së Shtetit (17 janar 1945-2 prill 1946), bankier, diplomat. Lindi në vitin 1888 në fshatin Gjatë të Lunxhërisë. U diplomua në Institutin Tregtar të Pireut, në Greqi. Nga 1908 deri më 1914 punoi si bankier në Odesë dhe Shën Petërburg, kurse nga 7 marsi deri më 3 shtator 1914 shërbeu si drejtor i Thesarit dhe Borxhit të Shtetit në qeverinë e princ Vidit. Po këtë vit u kthye në Shën Petërburg si drejtor banke. Në janar 1922 shkoi në Moskë, duke vënë kësisoj kontaktet e para shqiptare me Rusinë Sovjetike. Po këtë vit u caktua përfaqësues i Shqipërisë në Hagë dhe i ngarkuar me punë në Stamboll. Më 1923 u kthye në Shqipëri. Pas dështimit të Revolucionit të Qershorit emigroi në Austri, Zvicër etj. Bënte pjesë në delegacionin shqiptar të kryesuar nga Fan Noli në Konferencën e Miqve të Bashkimit Sovjetik (1927). Po këtë vit, qeveria shqiptare e dënoi me vdekje në mungesë. Në vitet 1925-1939 ishte një nga përfaqësuesit e Kominternit për Ballkanin. Më 1939 u kthye në atdhe. Punoi në Këshillin Kontrollues të Bankës së Shtetit deri në shtator 1943, kur u bashkua me Lëvizjen Nacional-Çlirimtare. Nga 17 janari 1945 deri më 2 prill 1946 ushtroi funksionet e Drejtorit të Përgjithshëm të Bankës së Shtetit. Në legjislaturën e parë u zgjodh deputet i qytetit të Shkodrës. U arrestua më 15 maj të vitit 1947, si pjestar i grupit të deputetëve. Disa muaj më vonë, më 31 dhjetor të vitit 1947, Këshilli i Gjykatës së Lartë Ushtarake e dënoi me burgim të përjetshëm. Ndaj dhe më 3 mars të vitit 1948, Komiteti Ekzekutiv i Rrethit të Tiranës vendosi sekuestrimin e pasurisë së luajtshme të tij. U lirua më 27 prill 1949 si viktimë e Koçi Xoxes. Vdiq në Durrës, më 1953. Vladimir Misja, Ana Lalaj, boshnjaku Kostandin, në «Fjalor Enciklopedik Shqiptar», 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2008, f. 284; Gazeta Zyrtare, nr. 37, 7 prill 1948, f. 1.

Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI I
Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit

[cite]