BRIGADA VII SULMUESE E UNÇSH


BRIGADA VII SULMUESE E UNÇSH
✤ U formua më 17.3.1944 në Vlush të Skraparit. Në ditën e përurimit kishte 420 luftëtarë, të ndarë në tri batalione. Gjatë zhvillimit të Mësymjes pranverore të UNÇSH (shih) Br. VII S veproi në qarkun e Beratit dhe në krahinat përreth tij. Në maj 1944 u ngarkua për të mbrojtur Kongresin I ANÇ të Përmetit. Me fillimin e Mësymjes së përgjithshme armike të qershorit 1944 (shih) luftoi me sukses për mbrojtjen e rrugës Berat-Përmet. Pas kësaj, nga qershori deri në shtator, në bashkëveprim me forcat partizane të qarkut të Beratit, luftoi për çlirimin e këtij qyteti. Më vonë, sipas urdhrit të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH, Br. VII S u dërgua në Veri, duke kaluar përmes Sulovës, Belshit, Çermenikës, malësisë së Tiranës, krahinës së Matit dhe të Mirditës. Në tetor 1944 u rreshtua në D II S të UNÇSH (shih). Në përbërjen e tij ajo zhvilloi luftime të ashpra, sidomos në Shpal, në Gëziq e në rrugën Milot-Lezhë, ku çliroi Lezhën, zonën e Zadrimës dhe mori pjesë në luftimet për çlirimin e qytetit të Shkodrës.

Me çlirimin e Shkodrës dhe pas spastrimit të mbeturinave reaksionare të Ballit Kombëtar e të bajraktarëve të Veriut në Dukagjin, në Theth e në Lekbibaj, Br. VII S e rreshtuar në D VI S të UNÇSH (shih) dhe sipas urdhrit të Komandantit të Përgjithshëm të UNÇSH sh. Enver Hoxha, kaloi në tokat e Malit të Zi, për të ndihmuar në çlirimin e këtyre krahinave nga gjermanët. Prej 12.12.1944 e deri më 7.2.1945, tok me Br. VI S (shih) dhe Br. XII S (shih) kreu një varg luftimesh të përgjakshme kundër armikut, gjer në çlirimin e plotë të Vishegradit. Po me këtë heroizëm ajo luftoi edhe në Bosnjë, Sanxhak, Kosovë e Maqedoni, duke fituar dashurinë dhe respektin e popujve të këtyre krahinave. Në këtë kohë Br. kishte 6 batalione me 1200 partizanë. Br. VII S ka kryer më se 120 luftime të ndryshme dhe ka përshkuar rreth 3200 km marshime, nga radhët e saj ranë dëshmorë 232 partizanë. Në kryerjen me sukses të detyrave të saj politike e ushtarake një rol të rëndësishëm kanë luajtur shokët Ramiz Alia (shih) e Adil Çarçani, (shih) kuadro drejtues të saj.

(P. Ha.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Brigada Vii Sulmuese E Unçsh


[cite]