Bazat për lindjen e shtetit dardan vërehen në protohistorinë dardane gjatë shek. VI-IV p.e.sonë. Në këtë fazë protourbane fuqizohet aristokracia fisnore, e cila akumulon pushtetin, duke krijuar kështu bazë për një shtresë të ardhshme skllavopronare.
Lidhjet me jugun e zhvilluar, gjatë shek. VI-V p.e.sonë shpejtuan procesin e diferencimit shoqëror. Tregtarët sollën në trojet dardane importe të shumta luksoze për të plotësuar nevojat e aristokracisë vendëse gjithnjë në rritje.
Prodhimtaria e mjeshtërve dardanë u intensifikua nga mesi i shek.V p.e.sonë. Zejtarët poçarë, prodhonin enë me çark sipas traditës vendëse dhe sipas modeleve helene.
Vendbanimet e fazës protourbane gjenden ende në kodra, por me elemente më të avancuara arkitektonike, siç janë themelet me gurë e me lidhje të thatë. Ato zgjerohen në shpate kodrash, me tendencë të vendosjes së tyre rrëzë kodrave apo në rrafsh, gjë që bëhet tipike në fazën vijuese, me krijimin e qendrave urbane.
Nekropolet e shek. VI-IV p.e.s. vazhdojnë të jenë të tipit tumular duke qenë pjesë e traditës së hershme ilire.