Depërtimi i spahinjve në krahinat autonome nën sundimin Osman

Depërtimi i spahinjve në krahinat autonome nën sundimin Osman

Në vitet 70 të shek. XVI u rritën më shumë përpjekjet e pushtetit osman për të vënë malësitë e vetëqeverisura nën administrimin e saj të drejtpërdrejtë. Duke përdorur forcën e madhe ushtarake, ai mundi të fuste spahinjtë dhe të rriste numrin e timareve në malësitë, duke copëzuar haset e dikurshme të sanxhakbejlerëve. Kjo u shpreh qartë në të dy regjistrimet e tokave që u kryen në vitin 1571 dhe 1590.
Hasi i madh i sanxhakbeut të Shkodrës, që ishte krijuar më 1485, u zvogëlua shumë dhe pjesa më e madhe e tij u nda në timare më të vogla. Krahina e Hotit u përfshi në ziametin e dy spahinjve: ajo e Pipërit u kthye në dy timare e në një ziamet, krahina e Kelmendit iu dha në zotërim dy spahinjve, krahina e Kuçit u bë timar i garnizonit të kështjellës së Medunit, Palabardhi u copëtua në pesë timare, kurse tokat e Pultit të sotëm, të Shalës e të Shoshit u përfshinë në trembëdhjetë timare, në dy zeamete dhe në hasin e sanxhakbeut. Edhe krahina fushore e Tejbunës, që gëzonte dikur statusin e florixhinjve, në atë kohë u copëtua në 25 timare e në një ziamet.
Më 1582 në sanxhakun e Shkodrës numri i timareve u rrit në 298, kurse ai i ziameteve në 22. Me fjalë të tjera, numri i timareve u rrit 70 për qind më shumë se gjysmëshekulli më parë.
Si rrjedhim i këtyre ndryshimeve, në gjysmën e dytë të shek. XVI statusi i florixhinjve mori fund, kurse ai i derbendxhinjve u kufizua së tepërmi. Sipas kanunamesë së Shkodrës të vitit 1570, secili prej ish-florixhinjve duhej të paguante tani të dhjetën, sipas pjellorisë së tokës. Normat e zakonshme të timarit u vendosën mbi një pjesë të rëndësishme të malësorëve dhe e keqësuan së tepërmi gjendjen ekonomike të tyre. Në kushtet e varfërisë së tokave dhe të vështirësive shumë të mëdha për shtimin e sipërfaqeve të mbjella, apo të numrit të bagëtive, pesha e detyrimeve ishte për ta më e rëndë sesa për rajatë e fushës. Më të rëndë e bëri atë edhe ngritja e taksave që u krye në gjysmën e dytë të shek. XVI. P.sh., kelmendasit detyroheshin të paguanin dyfishin e shumave që u ishin caktuar më 1497. Edhe kuçasit, megjithëse kishin një pakësim në numrin e shtëpive, pësuan të njëjtin fat, kurse banorëve të Pultit të sotëm, të Shalës dhe të Shoshit iu trefishuan detyrimet në krahasim me atë periudhë.

Në vitin 1570 kushte më të rënda u vendosën edhe mbi katër malësitë e sanxhakut të Dukagjinit: të Dibrës, të Spasit, të Pukës dhe të Iballës. Ndryshe nga krahinat e tjera të këtij sanxhaku, duke bërë pjesë në hasin e sanxhakbeut, këto katër malësi kishin mundur të ruanin gjer në këtë kohë vetëqeverisjen. Mirëpo tashmë edhe mbi to ishte vendosur pagimi i të gjitha detyrimeve të zakonshme të rajave, sikurse xhizja, ispenxha, taksa e çiftit, e dhjeta, nijabeti etj.

Më 1590 këtyre detyrimeve të malësorëve iu shtua edhe taksa e dhenve, veçse në malësitë e Dukagjinit e të Mbishkodrës, në përgjithësi, nuk vileshin taksat e jashtëzakonshme. Tashmë nuk zbatohej as devshirmeja.
Krahina e Mirditës gjer në vitin 1570 i qëndroi ende presionit osman dhe nuk ishte nënshtruar. Por edhe banorët e kësaj krahine më 1590 ishin nënshtruar dhe tokat e tyre ishin kthyer në timare të garnizonit të kështjellës së Lezhës, ato të Iballës dhe Fanit të Madh në timare të garnizonit të Kalasë së Dukagjinit, kurse tokat e tjera u përfshinë në hasin e sanxhakbeut.

Krahinat e Dibrës, të Pukës dhe të Spasit tashmë ishin shkëputur nga hasi i sanxhakbeut dhe ishin ndarë gjithashtu në timare e ziamete. Në fshatrat e Dibrës e të Pukës ishin vendosur nga dy spahinj, kurse në Spas një zaim e një spahi. Kështu, nga fundi i shek. XVI, spahinjtë, dhe bashkë me ta edhe sundimi i tyre, u vendosën në malësitë e Veriut e të Verilindjes. Megjithëkëtë, pavarësisht se toka e tyre ishte shpallur pronë shtetërore, prapë se prapë sistemi i timareve nuk u zbatua sikurse në trevat e tjera të tokave shqiptare. Qeveritarët osmanë nuk vunë dot në jetë ndarjen e tokës me tapi, prandaj forma e pronësisë nuk pësoi asnjë ndryshim. Sistemi i timareve nuk mund të hidhte rrënjët e veta dhe të ushqehej në këto malësi ku mbizotëronte ekonomia blegtorale dhe ku prodhimi i tokës nuk plotësonte as nevojat më të domosdoshme të malësorëve që e punonin. Për këtë arsye, por edhe për shkak të qëndresës së ashpër të këtyre malësorëve, detyrimet, edhe pse kaluan nga duart e sanxhakbeut në ato të spahinjve, u lanë të nxirreshin përsëri në formë globale. Si pasojë, varësia e malësorit ndaj feudalit mbeti e zbehtë në timaret e spahinjve të veçantë dhe nuk u vu fare në jetë në timaret e tjera që u ishin dhënë kolektivisht garnizoneve të kështjellave në malësi. Malësorët e vazhduan pa ndërprerje qëndresën e tyre kundër çdo orvatjeje të sunduesve për të përforcuar pushtetin osman dhe për t’u imponuar sistemin e timarit në krahinat e tyre.
Në ecurinë e ndryshimeve ekonomike e shoqërore që po kryheshin në zonat e sistemit të timarit edhe shoqëria e lirë malësore e krahinave të vetëqeverisura nuk mbeti në vend.

Edhe pse banorët e këtyre krahinave kishin vështirësi ngaqë nuk e reshtën qëndresën sa herë që spahinjtë osmanë u orvatën për t’i nënshtruar, lidhjet e tyre me krahinat e tjera të vendit, e veçanërisht lidhjet ekonomike, nuk u ndërprenë. Malësorët e lirë vazhduan të shkëmbenin prodhimet blegtorale me prodhime bujqësore, sidomos me drithëra buke, dhe të shtegtonin me tufat e bagëtive në kullotat dimërore, duke u paguar pronarëve feudalë detyrimet përkatëse. Madje një pjesë e tyre vazhdoi të shkonte nëpër qytete e prona bujqësore për punë stinore, kurse disa të tjerë u shkëputën kohë më kohë nga malësitë dhe u vendosën përfundimisht nëpër çifligje. Kështu banorët e malësive të lira jo vetëm që nuk mbetën të izoluar, por pësuan ndikimin e zhvillimit ekonomik të zonave nën sistemin e timarit dhe të çifligut.

Duke pasur në themelin e vet kryesisht pronën private, shoqëria e lirë malësore hyri në shek. XVII e ndarë, nga njëra anë, në krerë të pasur fshatrash e fisesh, dhe, nga ana tjetër, në malësorë të thjeshtë e në përgjithësi të varfër. Krerët ndryshonin prej masës së malësorëve si nga pasuria e fuqia, ashtu dhe nga veshja. Malësorët e thjeshtë, që nuk kishin as tokë, as bagëti të mjaftueshme, detyroheshin të ushqeheshin për muaj të tërë me gështenja e barishte të egra dhe të visheshin më shumë me lëkurë se me rroba. Krerët zotëronin sasi të mëdha gjëje të gjallë, jetonin e visheshin mirë, madje mbështillnin kokën me pëlhurë mëndafshi dhe në xhamadanet e tyre mbanin, sipas pozitës shoqërore, nga një, dy ose tri sumbulla argjendi të praruar. Disa prej tyre e mbanin veten për pasardhës shtëpish të vjetra aristokrate, kinse të njohura me patenta të lëshuara prej perandorëve bizantinë. Të tjerë krenoheshin duke mbajtur titullin kalorës apo gradën kapedan, që ua kishin dhënë oborret e shteteve evropiane, ku shërbenin ose kishin shërbyer si ushtarakë. Që të gjithë kishin grumbulluar pasuri dhe, sikurse thotë Frang Bardhi, ishte kjo pasuri që përcaktonte pozitën e privilegjuar të secilit prej tyre në shoqëri. Këta krerë përbënin shtresën e kamur malësore, e cila vinte pjesërisht para pushtimit osman dhe pjesërisht ishte formuar në bazë të pasurimit nga rekrutimi për luftë i malësorëve të varfër.

Në krahinat e vetëqeverisura vazhdonte të ekzistonte prona e përbashkët (kujria): bjeshkët, meratë, mali etj. Nga ana tjetër ishte ngastra private e çdo familjeje. Aty zbatoheshin disa norma për shitjen e saj. Një nga këto ishte e drejta e parapëlqimit të blerjes. Sipas saj pronari i tokës ishte i detyruar të pyeste kushërinjtë, vëllazërinë e fisin e pastaj fqinjin para se të shiste tokën. Vëllazëria kishte të drejtë ta blinte më lirë. Kjo frenonte shitblerjen e tokës.

Me toka buke të pakta e në përgjithësi jopjellore dhe të punuara me vegla pune primitive, bujqësia u siguronte shumicës së banorëve të malësive të lira vetëm bukën e disa muajve të vitit. Në tokat e malësisë së Dukagjinit mbillej vetëm thekra dhe kjo në ara të sapoçelura, që ishin plehëruar me hirin e drurëve të djegur dhe që nuk shfrytëzoheshin më shumë se 3-4 vjet. Edhe blegtoria, që përbënte degën më të rëndësishme të ekonomisë së malësive të lira, nuk arrinte të plotësonte nevojat për ushqim të banorëve të tyre. Kjo gjendje i detyronte masat e malësorëve të thjeshtë të gjenin rrugëdalje për të siguruar jetesën e tyre. Të tilla ishin largimi nga malësia për punë stinore, vendosja nëpër fusha dhe shërbimi ushtarak me rrogë pranë autoriteteve osmane. Këto burime të ardhurash ishin njëkohësisht edhe burimet kryesore të pasurimit e të pozitës së privilegjuar të krerëve, të cilët i inkurajuan me çdo mjet e mënyrë.

Të detyruar nga vështirësitë e mëdha për të siguruar jetesën e tyre, malësorët e varfër i ndiqnin krerët edhe kur këta viheshin në shërbim të shteteve fqinje dhe rekrutonin ushtarë me rrogë. Gjatë shek. XVII ata hynë për të shërbyer veçanërisht me forcat e armatosura të Republikës së Venedikut dhe të Mbretërisë së Napolit. Komandantët matjanë, kelmendas, himariotë e suliotë, të cilët i rekrutonin dhe i udhëhiqnin, përveç të ardhurave të rëndësishme që nxirrnin nga rekrutimet, gëzonin edhe pensione të rregullta për gradat ushtarake dhe për titujt që u jepnin oborret e interesuara për t’i pasur kurdoherë të gatshëm sa herë që kishin nevojë për forcën e malësorëve shqiptarë.
Më së fundi, dëshmitë e kohës bëjnë fjalë edhe për një burim tjetër pasurimi të krerëve të pasur. Ky burim ishte huaja me kamatë.

 Historia shqiptare
 Sundimi Osman

 

[cite]