DRINI Riza
(Person i dënuar nga regjimi komunist)

Politikan i lartë, i biri i patriotit Dehar Struga-Drini, nga parësia e trevës. Lindi në qytetin e Strugës, më 30 dhjetor të vitit 1895. Kreu Shkollën Normale në Elbasan dhe studimet e larta ushtarake në Stamboll. Pas kryerjes së studimeve, e braktisi karrierën ushtarake dhe nisi veprimtarinë politike. Në vitet 1919-1921 është anëtar drejtues i Komitetit Mirëbërës të Kolonisë së Stambollit (Kolonisë së shqiptarëve të Turqisë), të drejtuar nga Fuat Dibra. Themeloi shoqërinë Djelmënia për ‘’bashkim e përpjekje në punëra atdhesie” dhe për “përhapjen e gjuhës shqype dhe e arësimit’. Ngriti disa shkolla shqipe, ku mësuan rreth 500 nxënës. Botoi gazetën E Vërteta, në shqip e frengjisht, që kishte program kombëtaretnik dhe mbronte vetëqeverimin e shqiptarëve kundër ndërhyrjeve të huaja. Në fund të vitit 1921 u kthye në Shqipëri. Më 1923 u zgjodh kryetar i Shoqërisë Bashkimi për degën e Durrësit. Pas vrasjes së Avni Rrustemit, në gazetën Politika botoi kryeartikullin “Gjaku i Kombit”. Mori pjesë në ngjarjet e Qershorit 1924. Gjatë kësaj kohe bashkëpuoi dhe me Bajram Currin e Hasan Prishtinën. Në qershor 1924 u emërua nënprefekt në Krumë. Pas dështimit të Revolucionit të Qershorit, emigroi me opozitën në Itali dhe prej andej në Austri. Më 1925, në Vjenë, është mis i grupit demokrat të Nolit. Bashkë me të afërmin e tij, Abdullah Efendi Strugën-Gojëdrinin etj., përkrahu idenë dhe organizimet për Çështjen Mbarëkombëtare, duke mbështetur Komitetin për Lirinë e Shqipërisë. Shkroi në shtyp një seri analizash politike, ku shtrohet çështja e Shqipërisë Etnike, si shkrimi “Shqypnija pa Kosovë, ashtë trup pa duer e kambë”. Më 1932 u zgjodh kryetar i komunës së Voskopojës, ku vuri në jetë një “revolucion të vërtetë urbanistik, po dhe në mendësinë e njerëzve”. Krijoi rrjetin infrastrukturor të komunës, duke lidhur të gjithë fshatrat malore me rrugë automobilistike. Ndërtoi një bulevard me trotuare dhe me ndriçim, një park shumë modern me eksteriere ujore, krijoi rrjetin e furnizimit me ujë të pijshëm në qytezën e Voskopojës, projektoi dhe filloi unazën e Voskopojës, projektoi dhe nisi punën për një spital të madh dhe një hotel turistik. Shtypi e evidentoi me entuziazëm punën e tij (Nebil Çika, në revistën “Minerva”, 16 janar 1934). Sot një rrugë në Voskopojë mban emrin e tij. Më 7 prill 1939, kur tashmë ushtronte funksionin e Nënprefektit në Kolonjë, bëri thirje për qëndresë. Në vitet 1940-’41 është Prefekt në Shkodër, kurse nga shkurti deri në shtator 1942 Prefekt në Prishtinë, ku si parashikoi humbjen e Boshtit dhe rikthimin e serbëve në Kosovë, i ftoi shqiptarët të përgatiteshin për rezistencën e vështirë të së nesërmes [kujtime të H. Tërprezës]. Shpëtoi shumë hebrenj, duke i nisur drejt Shqipërisë. Në janar 1942, u emërua Prefekt në Tiranë. Pas vrasjes së Sh. Dishnicës nga karabineria italiane, protestoi duke marrë pjesë bashkë me popullsinë e Tiranës në ballë të demonstratës. Italianët e kaluan në dispozicion. Shpëtoi jetë të rinjsh atentatorë kundër italianëve dhe liroi me dhjetëra të burgosur politikë nga burgjet. Si nacionalist, bashkëpunoi me Ballin Kombëtar dhe, pas Konferencës së Pezës, në shtator 1942, qe nga ata që e nxitën Ballin për luftë më aktive. Ishte i pranishëm në Mukje. Pas dështimit të saj, në shtator 1943 shkon në Dibër, ku organizohet Komiteti për Lirinë e Pavarësinë Etnike (Bashkimi Dibran). U zgjodh nënkryetar i Komitetit. Aty u arrit një marrëveshje edhe me N. Çl. për luftë kundër forcave naziste, që mund të quhet si përpjekje për një Mukje rajonale, që përsëri u tradhëtua nga N. Çl., kur Brigada III u urdhërua “të bëjë spastrime […] ’’në radhët e reaksionarëve”. Në bisedime i paraqiti Gjeneralit Davies kërkesat për Qeverinë Britanike: – Njohjen e Shqipërisë me një qeveri të sajën; njohjen e kufijve të vitit 1913; mbajtjen e një referendumi në trojet shqiptare; njohjen e Shqipërisë si partnere e barabartë krahas Serbisë dhe Greqisë. (H. Neuwirth, 96.) Mori pjesë në Lidhjen II të Prizrenit. Bashkëpunoi dhe me kolonel Fuat Dibrën- Xhaferin, që luftonte për mbrojtjen e Kosovës. Më 23 dhjetor 1944 u arrestua në Shkodër. Gjatë kontrollit iu gjet korrespondenca me M. Frashërin, H. Dostin, R. Mitrovicën, që do t’i “shërbente” akuzës. Më 26 gusht 1945, Gjykata Ushtarake e Tiranës e deklaroi fajtor se “… ka qenë iniciator dhe organizator i Komitetit për Shpëtimin e Shqipnisë Etnike, i organizatës së Ballit Kombëtar”, dhe e dënoi me 15 vjet burg, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e të drejtave civile dhe politike.” Me ulje dënimi në pesë vjet, u lirua në dhjetor 1949. Pas ngjarjeve në Hungari, u internua për periudhën 1956-1958. I lënë pa punë, si njohës i gjashtë gjuhëve të huaja, kërkoi të merret me përkthime historike, por iu mohua edhe e drejta e përkthimit. Vdiq në Shkodër, më 25 maj të vitit 1966. Vepra në dorëshkrim: Analiza politikohistorike të periudhave para 1920-ës, esetë Mendja ime tortura ime; Drejtësia që ekziston vetëm në përfytyrimin njerëzor; etj., vëllime me poezi Vetmia, miku im, një seri shkrimesh publicistike, si dhe përkthimet e disa veprave të letërsisë botërore, mbetur në dorëshkrim, për shkak të ndalimit të botimit.

Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI III
Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit

[cite]