DUKE LEXUAR NE SHKËMBINJTË

DUKE LEXUAR NE SHKËMBINJTË

Toka që shohim ne sot, ndryshon shumë nga Toka që kanë parë stërgjyshërit tanë, të cilët ngjarjet gjeologjike i quanin përgjithësisht punë të perëndisë. Bile edhe filozofët më të mëdhenj nuk kanë guxuar të parashtrojnë hipoteza për krijimin e botës dhe për shndërrimet që pëson ajo. Sot një nxënës shkolle mund të mësojë shpejt dhe të kuptojë në vija të përgjithshme fazat e mëdha të shndërrimeve gjeologjike dhe t’i shohë ato si një bashkëveprim të forcave të ndryshme të natyrës. Pikëpamjet tona, njohuritë tona të sotme nuk janë fryt i një mendjeje gjeniale; deri këtu është arritur nëpërmjet një pune të gjatë e këmbëngulëse kërkimore në zonat ku kanë ndodhur ngjarjet në fjalë. Njëherë e një kohë të gjitha ngjarjet gjeologjike paraqitnin një enigmë të madhe (disa edhe sot janë ende të tilla); vetëm nëpërmjet një vrojtimi të durueshëm dhe një arsyetimi të saktë, të mbështetur mbi të tilla vrojtime, është arritur të fitohen të tilla njohuri.

Cilat ishin, pra, idetë e vjetra për Tokën dhe në çfarë mënyre ka lindur dhe është zhvilluar shkenca e gjeologjisë? Në kohët e lashta nuk mungonin studiuesit që kërkonin sinë dhe pse-në e dukurive. Shumica e mendimeve të tyre kishin natyrë fetare; por disa prej tyre ishin shumë të interesuar për problemet thjesht tokësore, si formimi i maleve dhe i shkëmbinjve, i vullkaneve, i tërmeteve, i fosileve dhe i lumenjve.

Deri edhe para disa qindra vjetësh studiuesit besonin që Toka ishte e rrafshët. Ata pohonin se malet ishin formuar si rezultat i tërheqjes së yjeve, dyshonin se fosilet ishin mbishkrime të fshehta të shpirtrave mbi shkëmbinjtë dhe shkruanin shumë libra për të përshkruar se si formohen mineralet në trupin e kafshëve dhe të bimëve. Lumenjtë, thoshin asokohe studiuesit, janë formuar nga uji që buron nëpërmjet të çarave nga fundi i oqeaneve, udhëton nën tokë deri te malet, del mandej, rrjedh mbi tokë dhe kthehet në det. Ndërmjet shkencëtarëve të lashtë kishte edhe shumë të zgjuar; ata formulonin hipoteza të tilla absurde, sepse, në radhë të parë, kishin pak njohuri, mbi të cilat ata përpunonin teoritë e tyre dhe, përveç kësaj, nuk e kuptonin vlerën e vrojtimeve të kujdesshme; në vend që të përpiqeshin të zbulonin shkaqet e dukurive natyrore, i përfytyronin ato. Po kjo nuk është rruga e drejtë dhe e vërtetë e shkencës!

Toka – Planeti ku jetojmë

[cite]