Xhevat Lloshi

Prof. dr. Xhevat Lloshi ka lindur në Fier më 28 janar 1938. Është një nga personalitet e gjuhësisë shqiptare, gjithashtu një nga gjuhëtarët më në zë të shkencës shqiptare të albanologjisë, i shquar në veçanti në fushën e leksikologjisë dhe leksikografisë. Është diplomuar në degën e gjuhës dhe letërsisë ruse në Universitetin e Tiranës. Duke qenë i pasionuar pas gjuhëve të huaja, ka përvetësuar disa gjuhë dhe sot ai flet e shkruan në gjuhët anglisht, italisht, frëngjisht, rusisht e serbisht. Kjo prirje nga gjuhët e çoi atë me detyrën e punonjësit shkencor në Sektorin e Leksikografisë, në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë dhe në Akademinë e Shkencave (Tiranë 1961-1980). Më 1985 mori gradën doktor i shkencave me temën “Analiza stilistike e leksikut të shqipes“. Si drejtor i Qendrës së Enciklopedisë Shqiptare në vitet 1982-1999, ka organizuar punën për hartimin, për herë të pare, të veprës madhore akademike me titull:

– “Fjalorin Enciklopedik shqiptar “ 1985, ku ka qenë dhe redaktor përgjegjës i veprës. Në vitet 1992-1996 ka qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Një vend të veçantë në

 

shqetësimet e tij shkencore ka zënë dhe gjuha standarde shqipe, së cilës i ka kushtuar veprat:

– “Mbështetje për gjuhën letrare“ 1997 dhe

– “Si të shkruajmë shqip “ 2010.

– Më 1998 mori titullin “Drejtues kërkimesh”. Në Sektorin e Leksikologjisë, Xhevat Lloshi punoi për hartimin e fjalorëve dhe për trashëgiminë arkivore të thesareve gjuhësore të shqipes. Zbulimi arkivor e drejtoi nga vepra e Kristoforidhit, për të cilën shkroi shumë artikuj e më pas botoi librin “Kristoforidhi përmes dokumentimit“ 2005, si dhe veprën

– “Rreth alfabetit të shqipes“ 2008 etj. Interesimi për stilin e ka shtyrë të shkruajë shumë shkrime me karakter praktik e shkencor në shtypin letrar.

– Më 1977 botoi dhe librin “Gjuha, stili dhe redaktimi në shtyp“. Fusha kryesore studimore e tij mbeti leksikologjia dhe leksikografia, ka qenë bashkautor dhe redaktor shkencor në “Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe” të botuar në Tiranë më 1980 dhe i vitit 2006.

– “Fjalorit frazeologjik ballkanik në pesë gjuhë “ 1999. Xhevat Lloshi edhe sot vazhdon të sjellë vit pas viti vepra me vlerë shkencore dhe të jetë përfaqësues i shkencës shqiptare albanologjike në shumë konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare. Ai është bashkautor dhe redaktor i shumë veprave të tjera gjuhësore dhe leksikografik.

– Përgatitje për botim e veprës së K.Kristoforidhit “Bibla: (në gegërisht) Kriesa. Të dalëtë”, 1872. (Shoqëria Biblike, 2009).

– “Psalmet” gegërisht dhe toskërisht e Kostandin Kristoforidhit, 2015.

– “Përkthimi i V.Meksit dhe redaktimi i Grigor Gjirokastritit”, 1819 – 1827; Onufri, Tiranë, 2012, me 398 faqe.

– Si përkthyes ka mbi 30 botime1, midis të cilave veçohet botimi për William Martin Leake, “Kërkime për shqiptarët dhe për gjuhën shqipe”, 2006.

– Është autor i botimit enciklopedi “Kosova – në vështrim enciklopedik” (1999)

– “Antologji e fjalës së mençur” (1993).

– Përveç sa më sipër, prof.Xhevat Lloshi njihet përkthyes i veprave më poshtë:

– “Enigma, nga pellazgët te shqiptarët” e Robert d’Angely (1998).

– “Ekspresi i Kosovës” i James Pettifer-it (2005).

– “Përplasja e qytetërimeve dhe ribërja e rendit botëror” e S. P. Huntington-it (2004).

– “Mërgimi mbretëror. Mbreti Zog dhe mbretëresha Xheraldinë” i Neil Rees-it (2010).

– “Njeriu me të zeza” i Patrik Keselit (1971).

– “Pasqyra e bojës” e Jorge Luis Borges-it (2007).

– “Muri i madh kinez” i Franc Kafkës (2009).

– “Ndihma e Kathryn-it (2009).

– “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet” (2004) (b/përkthyes).

– “Dashuria e Telatit dhe Fitnetit” (2004).

– “Besa” (2004).

– “Gratë” (2004).

– “Qytetërimi islam” (2004)2.

– “Shqipja, si u është dukur”, Albas, Tiranë, 2016.

Ai është redaktor i përgjithshëm i opusit letrar e shkencor të 20 vëllimeve3 të rilindësit të madh, Sami Frashëri, Logos A, Prishtinë, 2004. Ai është sot studiuesi më i thelluar i veprës gjuhësore të K.Kristoforidhit. Profesor Xhevat Lloshi është sot një nga gjuhëtarët më aktivë dhe prodhues midis albanologëve shqiptarë.

Disa trajtime në veprat gjuhësore të prof.Xhevat Lloshit

Profesor Xhevat Lloshi është një gjuhëtar që ka ndihmesë të gjithanshme jo vetëm në një fushë a disiplinë të caktuar, por ai është autor i veprave nga historia e gjuhës shqipe, në leksikografi, në botime enciklopedike; ai njihet si studiues i stileve të gjuhës shqipe, studiuesi më i shquar i veprimtarisë gjuhësore të Konstandin Kristoforidhit, disa përkthyesve të Dhiatës së Vjetër e Dhjatës së Re, ka botime e shkrime të njëpasnjëshme për standardin e gjuhës sonë, si dhe autor i të vetëmës pragmatikë të gjuhës, që kemi në albanologji. Po japim shkurt disa përmbledhje të pak veprave të prof.Xhevat Lloshit, si:

  1. Stilistika e gjuhës shqipe – është i vetmi autor i të vetmit tekst universitar, që rreh të studiojë zhvillimet stilistike dhe përvijimet e tyre në gjuhën shqipe. Në këtë fushë- Analiza stilistike e leksikut të shqipes – ai ka doktoruar në vitin 1985, dhe pas tij ka bërë hulumtime për stilin e disa autorëve, si: për Lazgush Poradecin, Faik Konicën etj. Por në librin e tij për shkollat e larta ka shumë autorë, me të cilët ai ndërton tekstin universitar që përshkruam më lart, siç ësht, për shembull, verimtaria letrare e poetike e Gjergj Fishtës, të cilën autori ynë e ka përdorur aq dendur në botimet e fundit. Libri i Xhevat Lloshit ka pasur disa botime, prej të cilëve më të dalluarit janë botimi i vitit 2005 dhe ai i vitit 2012, kur prof. Lloshi, përveç stilistikës së shqipes, ka shtuar edhe disiplinën e re, për herë të parë në studimet tona: Pragmatikën,4 Albas, Tiranë (f. 285 – 366). Ndihmesë të dukshme ka dhënë ai, në mënyrë të veçantë, për secilin stil të shqipes, duke treguar fillimet historike kur janë përvijuar prej autorëve tanë si dhe fillesat e kësaj disipline në planin mbarëeuropian. Me stilistikën e shqipes të prof.Lloshit, në studimet tona gjuhësore hulumtues të ndryshëm, nuk janë ndalur vetëm në paraqitjen e gjuhës së autorëve tanë, por kanë vijuar edhe në stilin e tyre, duke krijuar individualitetin krijues në këtë profil. Analiza stilistike që i ka bërë shqipes prof.Xhevat Lloshi ka shërbyer gjithashtu, edhe për studimin në rrafshe stili të disa niveleve, si: për fonostilistikën, morfostilistikën, leksikostilistikën dhe sidomos, për sintaksostilistikën. Për herë të parë, në botimet pas viteve 1990. Xhevat Lloshi ka përfshirë në analizën e tij edhe stilin fetar, që është përvijuar para të gjithë të tjerëve në letërsinë shqipe, që nga dokumentet dhe librat e parë shqip.
  2. Në botime enciklopedike dhe normative leksikografike, d.m.th., për fjalorët shpjegues të gjuhës shqipe, prof.Xhevat Lloshi, ka një ndihmesë të veçantë, pasi ka qenë, vite me radhë, në shumë prej, tyre redaktor përgjegjës.
  3. Prof. Xhevat Lloshi njihet në shkencat tona albanologjike edhe si një polemik për mjaft probleme si ndaj veprave të ndryshme: të sotme e të traditës, por edhe me autorë që kanë hartuar vepra të lidhura me planifikimin e shqipes standarde, apo për çështje të ndryshme vlerësimi dhe diskutimi. Një prej tyre është vepra e njohur e vitit 1997

Mbështetje për gjuhën letrare5, ku autori hyn në polemikë dhe ia del të mbrojë shkencërisht rrugën që ka ndjekur planifikimi i shqipes së njësuar deri në Kongresin e Dretshkrimit, 1972, duke treguar paraqitjet e pathemelta të prof.Arshi Pipës në historinë e standardit të shqipes, sidomos në vepren “Politika e gjuhës në Shqipërinë Socialiste”, shkruar në gjuhën angleze.6 Nëntitulli i brendshëm i librit të prof.Lloshit është “Kultura shqiptare përpara shqetësimesh të reja” dhe ka 157 faqe.Për herë të parë në këtë libër polemit i bëhet një analizë e vërtetë rrugës që ka ndjekur politika gjuhësore në vendin tonë deri në vendosjen e njësisë kombëtare të gjuhës shqipe, duke u marrë për bazë dialekti i toskërishtes; aty i bëhet një analizë kritike edhe vetë politikës gjuhësore të drejtuar nga prof.Kostallari, të cilën autori ynë e përafron me A. Pipen, për të cilët shkruhet: “Pikërisht kundër versionit zyrtar, të përfaqësuar në punimet e A.Kostallarit, drejtohet monografia e A.Pipes. Janë dy kordhëtarë në një mejdan irreal, të denjë për një tablo surrealiste. Janë që të dy njësoj, sepse nisen nga i njëjti paragjykim subjektiv: gjuhën e kulturës së një kombi mund ta bëjë një njeri, me një teroi të veten, pa vepra që të jenë gurë themeli në kulturën e kombit.7

Pranë kësaj vepre polemike nuk mund të rrimë pa vënë edhe Hyrjen William Martin – Leake për shqiptarët dhe gjuhën shqipe, me rastin e përkthimit e botimit prej tij të veprës “Kërkimet për shqiptarët dhe për gjuhën shqipe”- një hyrje enciklopedike prej 115 faqesh, një monografi e vërtetë dhe vlerësim kritik për mjaft studime e botime që lidhen me Liku-n dhe kohën e veprimtarisë së tij në të mirë të vendit tonë e kulturës shqiptare.8

  1. Në vitin 2004, prof.Xhevat Lloshi ka qenë redaktor i përgjithshëm i botimit dhe ribotimit dhe përkthimit të opusit letrar e shkencor të rilindësit tonë të madh, Sami Frashëri, një seri e gjatë prej 20 vëllimesh, publikuar nga Shoqëria Botuese Logos –A.9 Në këtë seri janë përkthyer nga turqishtja edhe vepra të panjohura të rilindësit tonë të shquar dhe dijetarit të madh enciklopedist turk, Shemsedin Sami.
  2. Prej disa vitesh, qysh në vitin 1974, Xhevat Lloshi, i është kushtuar studimit të veprës së pavdekshme të rilindësit të madh, Babait të gjihës shqipe, K.Kristoforidhit, duke kërkuar deri në Arkivat e Londrës, lidhjet dhe veprimin e Kristoforidhit si përkthyes i Shoqërisë Biblike. Ai ka botuar për këtë autor:

Abetaren shqip gegërisht, 1872,

Gramatikën e gjuhës shqipe sipas dialektit toskë,

Gjahun e malësorëve (Hieja e Tomorrit), si dhe përmbledhjen aq të rëndësishme:

Të dhëna dokumentare mbi veprimtarinë e K.Kristoforidhit.10

  1. Nga ky autor, Xhevat Lloshi ka përgatitur dhe botuar:

Bibla në gegërisht, Kriesa, Të dalëtë,

Pesë libra të Dhiatës së Vjetër në versionin toskërisht, 1882-1884,

Historia e Shkrimit të Shenjtë (1870 e 1872) me

Kater Katekizma (1867 – 1872).11

  1. Një fytyrë të re paraqitjeje dhe botimi ka bërë prof. Xhevat Lloshi edhe për alfabetin e shqipes në veprën “Rreth alfabetit të shqipes”, Logos-A., duke sjellë edhe kontributin e Shoqërisë Biblike për publikimin e përkthimeve fetare me një alfabet të njësuar të gjuhës sonë.12
  2. Në vazhdim të studimeve për historinë e gjuhës së shkruar shqipe, në vitin 2012, prof.Xhevat Lloshi boton monografinë e gjerë me 400 faqe “Përkthimi i Vangjel Meksit dhe redaktimi i Grigor Gjirokastritit 1819-1827, ku hedh dritë me shumë dokumente për të vërtetën e shqipërimit të meksit dhe vazhdimin e punës së tij nga G.Gjirokastriti. Ai u sillet mjaft të vërtetave të panjohura në historinë e shkrimit shqip, duke mbajtur një qëndrim të caktuar për shumë autorë dhe data publikimi të librave të tillë, me nxitjen dhe mbulimin financiar të Shqoërisë Biblike të Londrës.
  3. Këtu do rreshtuar edhe një broshurë, që me të drejtë mund të ketë nëntitullin Leksioni në USh, Periudhat historike të shqipes”, mbajtur si ligjëratë e lirë me pedagogë e studentë në Universitetin e Shkodrës, më 2013.
  4. Një vepër e shënuar – përmbledhje me botime dhe intervista është edhe vëllimi me titull “Shqipja-gjuhë e hapur dhe dinamike”, ku lexuesi dhe studiuesi gjen shkrime për standardin e gjuhës sonë, për marrëdhënien e shqipes me gjuhët e huaj, qëndrimin që duhet mbajtur në kohën e globalizmit, për çështjen e huazimeve, rrethanat e dygjuhësisë, për gjuhën e shkencës, çështje të stilistikës, përkthimet dhe traditën e tyre në shqip.
  5. Në mbyllje të kësaj paraqitjeje të shkurtër, nënvizojmë se prof.Xhevat Lloshi ka edhe një numër të madh botimesh në shtypin shkencor si “Studime Filologjike”, “Gjuha jonë, “Gjuha shqipe” (Prishtinë), në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën shqiptare, si dhe jashtë vendit. Një studim aq të rëndësishëm ka hartuar ai për çështjen e rrymës së purizmit nga koha e Rilindjes Kombëtare deri në ditët tona,13 botuar në revistën e Institutit Albanologjik të Prishtinës, 1/2011.
  6. Në librin e tij të kohëve të fundit “Shqipja qysh u është dukur?”14 autori bën një pasqyrë të ndjesive që kanë pasur dhe vlerësimeve që i kanë bërë shqipes më së pari shqiptarët vetë, por edhe të huajt gjatë shekujve, që kur është shkruar gjuha jonë: 1460 – datë që lidhet me heroin tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotin – deri në vitin 2015, me një thënie të marrë nga gazeta sllovene “Delo”, ku thuhet: “Gjuha shqipe është e mrekullueshme. Ajo është gjuhë e vjetër ilire, që nuk ngjason me asnjë gjuhë tjetër. Ka disa fjalë, që për ne tingëllojnë të njëjta, si ‘plazh” e ‘autoshkollë’. Fjalët që i dëgjon shpesh janë ‘faleminderit’ dhe ‘mirupafshim’. Përveç kësaj, libri i prof.Xhevat Lloshit u vlen studiuesve dhe për të mbështetur me citime e karakterizime për shqipen, gjatë trajtesave të ndryshme shkencore15.

 

_______________________

1 Akademia e Shkemcave e Shqipërisë, Fjalor Enciklopedik Shqiptar, vëll. II, Tiranë, 2008, f. 1589 – 1590.

2 Për veprat origjinale dhe përkthimet e Xhevat Lloshit, shih edhe Shefkije Islamaj, “Gjuha teksti dhe konteksti”, Prishtinë, 2014.

3 Frashëri, Sami, Veprat 1 – 20, Fokus (Logos-A), Prishtinë, 2004.

4 Lloshi, Xh., Stilisitka e gjuhës shqipe dhe pragmatika, ALBAS, Tiranë 2012.

5 Lloshi, Xh., Mbështetje për gjuhën letrare, Toema, Tiranë, 1997.

6  Pipa, A., The politics of Language in Socialist Albania, by Arshi Pipa, New York, 1989. (Libri është përkthyer në dy variantet shkrimore të shqipes: gegërisht dhe toskërisht, nga dr. Primo Shllaku, Botimet princi, Tetor 2010, Tiranë.

7 Lloshi, Xh., Mbështetje për gjuhën letrare, Toena, Tiranë, 1997, f. 36.

8  Leake, William Martin, Kërkimet për shqiptarët dhe për gjuhën shqipe, Bota Shqiptare, Tiranë, 2006.

9 Frashëri, Sami, Vepra 1 – 20, Shtëpia Botuese Logos-A, Shkup-Prishtinë, 2004.

10 Lloshi, Xh., Konstandin Kristoforidhi, vepra I, Silver, Elbasan, 2001.

11 4 librat e Kristoforidhit të pikës 6, janë përgatitur për shtyp dhe paraqitur nga Xhevat Lloshi dhe

botuar nga Instituti për Studime Shqiptare dhe protestante, me redaktor përgjegjës David Hosaflook.

12 Lloshi, Xh., Rreth alfabetit të shqipes, Logos-A, Shkup-Prishtinë, 2008.

13 Lloshi, Xhevat, Dysorët e përftuar nga purizmi, Prishtinë, Gjuha shqipe, 1/2011,

14 Lloshi, Xhevat, “Shqipja qysh u është dukur”, albas, Tiranë, 2016 (me 240 faqe).

15 Karmen Lazri “Tipat e  fjalëformimit në fjalorin e emrave të bimëve dhe të kafshëve, shqip latinisht shqip” (Prof.dr. Xh. Lloshi) Tezë Doktorate Shkodër 2017, f. 10

 

[cite]