Ekspeditat ushtarake të Xhavit Pashës në Kosovë dhe Kryengritja shqiptare e vitit 1909 (maj-tetor 1909)
Me rivendosjen e pushtetit të tij në kryeqytet dhe në provinca Komiteti “Bashkim e Përparim”, megjithëse edhe këtë herë fitoren mbi forcat e kundërrevolucionit hamitian të prillit 1909, ia detyronte në një masë të madhe mbështetjes që i dhanë shqiptarët, e vazhdoi më me ngulm e në mënyrë të dhunshme politikën e vet nacionaliste, për të forcuar Perandorinë “një e të pandashme” Osmane, duke i mohuar popullit shqiptar dhe popujve të tjerë joturq çdo të drejtë kombëtare.
Krahas goditjeve kundër lëvizjes arsimore e kulturore shqiptare, në acarimin e marrëdhënieve ndërmjet shqiptarëve e xhonturqve ndikuan fuqishëm edhe ekspeditat ushtarake të Xhavit Pashës në Kosovë dhe në Shqipërinë e Veriut në përgjithësi, të ndërmarra kryekëput me nismën e qeverisë së Stambollit.
Popullsia e Kosovës, edhe pse nuk kishte pranuar të paguante taksat (përfshirë edhe ato të prapambetura), të njihte shërbimin e detyrueshëm ushtarak dhe të dorëzonte armët, nuk pati ndërmarrë ndonjë qëndresë të armatosur kundër pushtetit xhonturk. Megjithatë, Komiteti “Bashkim e Përparim”, duke synuar t’i nënshtronte shqiptarët e Kosovës, t’i çarmatoste për t’i bërë të paaftë për të kundërshtuar, t’i detyronte të paguanin taksat e prapambetura dhe t’i rekrutonte me forcë në ushtrinë osmane, ndërmori ekspedita ndëshkimore të njëpasnjëshme, të komanduara nga Xhavit Pasha, që vazhduan nga pranvera e deri në muajin tetor të vitit 1909.
Për të mënjanuar çdo reagim të opinionit publik evropian dhe të Fuqive të Mëdha kundër dhunës mbi shqiptarët, qeveria turke deklaroi se ekspeditat ushtarake kishin për qëllim të qetësonin elementët “reaksionarë”, përkrahësit e sulltan Abdyl Hamitit dhe “kundërshtarët” e kushtetutës, edhe pse dihej se shqiptarët, duke përfshirë edhe ata të Kosovës, kishin luftuar kundër absolutizmit për vendosjen e regjimit kushtetues dhe për mbrojtjen e tij.
Në fillim të majit të vitit 1909 qeveria xhonturke nisi nga Shkupi drejt Gjakovës një ekspeditë të re ndëshkimore, të drejtuar nga Xhavit Pasha, komandant i Divizionit të 18 të Mitrovicës. Në krye të 10 batalioneve të këmbësorisë, të pajisura me 32 topa, Xhavit Pasha hyri më 16 maj në Pejë. Pasi la këtu tri batalione “për të mbajtur rregullin”, Xhavit Pasha u hodh në Gjakovë, ku kërkoi nga popullsia e qytetit të dorëzonte armët, të bëhej regjistrimi i popullsisë, të vileshin taksa të dyfishta për bagëtinë dhe të zgjeroheshin dritaret e kullave. Meqë krerët e Malësisë së Gjakovës që ishin thirrur në qytet, i kundërshtuan këto kërkesa, Xhavit Pasha u nis me pesë batalione këmbësorie dhe me dy bateri artilerie drejt Malësisë së Gjakovës.
Persekutimi i popullsisë dhe shkatërrimi i fshatrave (Ponoshec etj.) shkaktoi zemërimin e malësorëve, të cilët me forca të bashkuara sulmuan më 12 qershor ushtrinë e Xhavit Pashës në Qafën e Morinës. I goditur nga të katër anët nga kryengritësit, gjenerali turk u gjend në këtë zonë malore në një pozitë të vështirë, u thye keq dhe u detyrua të tërhiqej në Gjakovë.
Për të parandaluar vazhdimin e ekspeditës ushtarake në Shqipëri, deputetët shqiptarë Hasan Prishtina e Fuat Pasha, në fillim të qershorit, paraqitën një interpelancë në parlament, me të cilën kërkuan nga ministri i Brendshëm shpjegime rreth ngjarjeve në Kosovë. Por qeveria turke nuk hoqi dorë nga përdorimi i dhunës për nënshtrimin e shqiptarëve.
Pasi i erdhën përforcime të reja, Xhavit Pasha, në fundin e qershorit të vitit 1909, rifilloi ekspeditën, këtë herë kundër popullsisë së Pejës dhe të Rugovës. Gjatë kësaj fushate të egër ushtritë turke shkatërruan dhe kthyen në gërmadha fshatrat në të dyja anët e Grykës së Rugovës, vranë pleq e fëmijë dhe çnderuan vajza e gra.
Po ato ditë lëvizja u shtri edhe në trevën juglindore të Kosovës. Me nxitjen e krerëve të Malësisë së Gjakovës, të Pejës, të Ferizajt, të Prizrenit dhe të Lumës u mblodhën në Ferizaj rreth 3 000 veta, që kërkuan nga qeveria turke të kthente në detyrat e tyre gjithë nëpunësit shqiptarë të dëbuar si atdhetarë, të emëroheshin në administratën shtetërore vetëm nëpunës shqiptarë, të mos paguhej asnjë lloj takse e re, të ndërpritej çarmatimi i popullsisë së Lumës dhe t’u lejohej shqiptarëve të mbanin armë. Për të shtypur lëvizjen në Ferizaj xhonturqit dërguan forca ushtarake, me të cilat mundën të krijonin vetëm një qetësi të përkohshme.
Në fillim të korrikut Xhavit Pasha u kthye si “fitimtar” në Mitrovicë së bashku me ushtrinë e tij. Por ngjarjet e mëvonshme treguan se, me gjithë raprezaljet që bëri, pashai turk nuk arriti t’i nënshtronte shqiptarët. Kthimi i armëve, regjistrimi i popullsisë dhe mbledhja e taksave u ndërprenë sapo u largua ushtria. Ndërkaq, shqiptarët rindërtuan shumë shpejt kullat e shkatërruara.
Në gjysmën e parë të korrikut të vitit 1909, kur në Shqipërinë e Veriut vijonte ende qëndresa e armatosur kundër ekspeditave të Xhavit Pashës, Ismail Qemali, atë kohë i arratisur në Itali, publikoi thirrjen drejtuar “Vëllezërve shqiptarë!”, e cila, e botuar në formë manifesti në mijëra kopje, u shpërnda në të gjitha anët e Shqipërisë?. Shqiptarët, vinte në dukje Ismail Qemali në këtë thirrje, kanë 100 vjet që po luftojnë për të drejtat njerëzore dhe për lirinë, megjithatë sot rrezikohen të humbasin si komb. Duke njohur thelbin nacionalist të regjimit xhoturk, Ismail Qemali përpiqej të bindte shqiptarët të mos i mbështesnin shpresat te Komiteti “Bashkim e Përparim”. Pas shpalljes së lirisë (kushtetutës), theksonte ai, shqiptarët më shumë se çdo komb tjetër shpresuan se do të kishin mundësi të punonin për përparimin e gjuhës së tyre, por u gënjyen. Si dëshmi për këtë përmendeshin dhunimet në Shqipërinë e Poshtme, vrasjet që po bënte Xhavit Pasha në Shqipërinë e Sipërme, si edhe përçarjet që xhonturqit po mbillnin midis shqiptarëve.
Ismail Qemali arrinte në përfundimin se rruga e vetme, për shpëtimin e kombit shqiptar nga lakmitë e të huajve, do të ishte lufta për autonominë e Shqipërisë. “Shpresa e jonë, jeta e jonë, – shkruante ai, – lipset të jetë: Vetëurdhrimi i Shqipërisë, nën hijen e Perandorisë Osmane”. Ai parashtroi në këtë dokument programin e vet politik për zgjidhjen e çështjes shqiptare, të cilën e shihte në themelimin e një shteti autonom shqiptar. Për këtë duhej të bashkoheshin të gjitha viset ku flitej gjuha shqipe, të banuara nga popullsia shqiptare, në një vilajet të vetëm, i cili do të mbante emrin Shqipëri, “Vilajeti Shqiptar” (“Arnautlluk Vilajeti”) dhe do të kishte si kryeqytet Ohrin ose Elbasanin. Në kufijtë e Shqipërisë autonome do të përfshiheshin nga vilajeti i Janinës sanxhakët e qendrës (i Janinës), të Prevezës, të Gjirokastrës dhe të Beratit; nga vilajeti i Shkodrës sanxhaku i Shkodrës me Malësinë dhe sanxhaku i Durrësit; nga vilajeti i Manastirit sanxhaku i qendrës (i Manastirit), kazaja e Grebenesë nga sanxhaku i Selfixhesë, sanxhakët Dibrës, të Korçës dhe të Elbasanit; nga vilajeti i Kosovës sanxhakët e Shkupit, të Prishtinës, të Pejës dhe të Prizrenit.
Shqipëria autonome do të qeverisej nga një guvernator i dërguar nga Stambolli, pranë të cilit do të vepronte, po si organ ekzekutiv, Këshilli i Pleqve. Mësimi në të gjitha shkollat do të zhvillohej në gjuhën shqipe. Shqipja do të përdorej, bashkë me turqishten, edhe në shkollat e larta. Gjithë nëpunësit civilë e ushtarakë do të ishin shqiptarë nga kombësia. Ushtria, që do të përbëhej nga shqiptarët, do të shërbente brenda kufijve të Shqipërisë. Ashtu si Sami Frashëri, edhe Ismail Qemali mendonte që organizimi shtetëror i Shqipërisë autonome të ishte i tillë që, kur Perandoria Osmane të shthurej, Shqipëria të qëndronte në këmbë dhe të dilte prej saj si shtet i pavarur.
Ismail Qemali parashtroi në këtë thirrje programin më të plotë dhe më të përshtatshëm për zgjidhjen e çështjes shqiptare, rreth të cilit shpresonte të bashkonte jo vetëm krahun radikal të lëvizjes politiko-kulturore, forcat atdhetare që drejtonin klubet dhe shoqëritë shqiptare, por edhe kryengritësit e Kosovës e të Veriut të Shqipërisë, të cilët luftonin kundër ekspeditave ushtarake të Xhavit Pashës dhe kundër qeverisë xhonturke që i kishte organizuar ato.
Ndërkaq vijoi në Kosovë qëndresa kundërosmane, vatër e së cilës u bë Ferizaj me rrethinat e tij. Lëvizja kryengritëse në Ferizaj ishte e lidhur me veprimtarinë e një komiteti të fshehtë, që filloi të vepronte në këtë rreth në verën e vitit 1909. Me nismën e tij, më 20-22 gusht u mbajt në Ferizaj një manifestim i gjerë i shqiptarëve të armatosur, ku, përveç popullsisë së këtij qyteti dhe të rrethinave të tij, morën pjesë edhe banorë të rretheve të Gjilanit e të Prishtinës, që protestuan kundër taksave të reja, që vuri në atë kohë qeveria xhonturke. Më 22 gusht numri i demonstruesve u shtua duke arritur në 3 000 veta. Po në këtë ditë, forcat ushtarake osmane, të dërguara nga Shkupi e Selaniku, goditën shqiptarët e tubuar në Ferizaj dhe vranë 12 prej tyre e plagosën disa të tjerë. Konflikte të armatosura ndërmjet shqiptarëve e ushtrisë pati edhe në rrugën Ferizaj-Gjilan.
Në ditët e fundit të gushtit lëvizja u përhap në rrethin e Pejës, midis Gucisë e Beranës. Për të ndëshkuar popullsinë e kësaj ane u dërguan ato ditë nga Peja, Shkupi, Prizreni e Selaniku forca të tjera ushtarake, që goditën kryengritësit në hapësirën midis Gucisë e Beranës. Në të njëjtën kohë vijuan përpjekjet edhe me kryengritësit e Rugovës.
Në fund të gushtit dhe në fillim të shtatorit lëvizja përfshiu Lumën e Podrimën, në sanxhakun e Prizrenit. Lumjanët, ashtu si shumica e popullsisë së sanxhakut të Prizrenit, patën luftuar për shpalljen e kushtetutës turke, në korrik të vitit 1908. Qëndresa e tyre e armatosur nuk drejtohej kundër kushtetutës, por kundër politikës së xhonturqve, të cilët shkelën premtimet që u kishin bërë shqiptarëve gjatë revolucionit për të kufizuar taksat, për t’u dhënë të drejtat kombëtare, madje edhe autonominë, dhe kërkonin t’u hiqnin banorëve të këtyre krahinave edhe ato privilegje që i gëzonin prej shekujsh sipas venomeve të tyre, të njohura edhe nga sulltanët osmanë.
Më 3 e 4 shtator rreth 700-800 kryengritës lumjanë, të udhëhequr nga Ramadan Zaskoku, u përgatitën të hynin në Prizren për t’i paraqitur mytesarifit kërkesat e tyre. Megjithatë, për të shmangur konfliktin e armatosur me garnizonin e Prizrenit, që u përgatit të rezistonte, kryengritësit pranuan të shpërndaheshin dhe të dërgonin në Prizren një komision prej 20-30 vetash, i cili do të paraqiste kërkesat e tyre paqësore, që duhej t’u përcilleshin edhe deputetëve shqiptarë të parlamentit.
Por Stambolli ndërmori një fushatë të re ushtarake kundër shqiptarëve. Më 6 shtator 1909 Xhavit Pasha, në krye të 8 batalioneve të këmbësorisë dhe 2 baterive të artilerisë malore, u nis nga Mitrovica për në Prizren. Gjatë rrugës nga Ferizaj për në Prizren ushtria turke sulmoi e shkatërroi krejtësisht katundin Duhl dhe rrënoi gjithashtu 60 shtëpi të katundit Bllacë. Nga Prizreni Xhavit Pasha, në krye të 5 batalioneve, u hodh në Lumë, ku dogji e shkatërroi fshatra të tëra, duke i lënë lumjanët pa shtëpi e katandi. Për t’u shpëtuar masakrave popullsia e Lumës u tërhoq në Has e në zona të tjera malore, përtej Drinit të Bardhë.
Por, i goditur nga kryengritësit lumjanë në perëndim të Prizrenit, Xhavit Pasha, pasi shkatërroi me topa Bllacën e fshatrat e tjera të Lumës, u tërhoq përsëri në Prizren, ku tashmë qenë përqendruar rreth 3 500 ushtarë, me dy bateri malore.
Për të dalë nga gjendja e vështirë, pashai turk dërgoi në Lumë nga Shkupi deputetin shqiptar Nexhip bej Draga, një nga drejtuesit e klubit të atij qyteti, i njohur për ndjenjat atdhetare. Nexhip Draga, ashtu si shumë intelektualë të tjerë shqiptarë, e quante të parakohshme qëndresën e armatosur kundër regjimit xhonturk, prandaj hyri në bisedime me lumjanët dhe i bindi të mos u kundërshtonin ushtrive të Xhavit Pashës. Më 11 shtator Xhavit Pasha, në krye të 5 batalioneve dhe të një baterie malore, u dynd në Lumë. Lumjanët nuk e fshehën pakënaqësinë e tyre, megjithatë ruajtën për një kohë qetësinë. Ushtria e tij zuri katundin Bicaj, qendrën e kajmekamllëkut të Lumës, ku filloi të çarmatoste banorët. Më 15 shtator, kur u drejtua për në Kolesian, u sulmua gjatë rrugës nga kryengritësit, që vranë e plagosën disa ushtarë dhe e detyruan atë të kthehej përsëri në Bicaj, ku bëri raprezalje të mëdha. Sipas informatave të Xhavit Pashës, kryengritësit lanë në këtë përpjekje 100 të vrarë, ndërsa Bicaj u shkatërrua nga goditjet e artilerisë, që rrafshoi me tokën 37 kulla.
Më 16 shtator, kur ushtria osmane vazhdoi ekspeditën drejt jugut të Bicajt, u godit në pyjet e Kolesianit nga kryengritësit, që pas një përleshjeje të shkurtër u tërhoqën në zonën malore. Edhe këtu Xhavit Pasha shkatërroi krejtësisht fshatin Kolesian, duke përfshirë edhe kullën e udhëheqësit të lumjanëve, Islam Spahiut, si edhe katundet përreth, Nangë, Bushat, Gabricë, Mamëz, Pobreg etj. Gjatë këtyre përleshjeve u plagos edhe drejtuesi tjetër i kryengritësve, Ramadan Zaskoku. Gjithë kryengritësit, që ishin arrestuar gjatë luftimeve dhe qenë mbyllur në kazermat e Bicajt, u pushkatuan pa gjyq, kurse njerëzit u varfëruan deri në atë shkallë sa, sikurse pohojnë pjesëmarrësit turq të kësaj ekspedite, “u mbeti vetëm shpirti, të cilin e jepnin pa dhimbje”.
Xhavit Pasha nuk arriti të depërtonte, siç kishte parashikuar, drejt Drinit, sepse më 19 shtator u sulmua përsëri në Kolesian nga kryengritësit, që këtë herë i shkaktuan humbje edhe më të rënda dhe e detyruan të tërhiqej në Prizren. Së bashku me ushtrinë populli dëboi edhe nëpunësit e administratës osmane dhe gjykatësit e kajmekamllëkut të Bicajt.
Sado që Xhavit Pasha, në relacionet që i çonte Stambollit, i zvogëlonte së tepërmi humbjet e tij, ai pati në luftimet me shqiptarët shumë të vrarë e të plagosur. Shtypi shqiptar, duke u mbështetur në dëshmitë e ushtarëve turq, pjesëmarrës të këtyre luftimeve, shkruante se vetëm në Lumë Xhavit Pasha la rreth 1 000 ushtarë të vrarë (“Dielli”, Boston, 24 shtator 1909: “Pa komplimente”). Vështirë është të përcaktohen dëmet në njerëz të kryengritësve, megjithatë, po të gjykohet nga relacionet konsullore të kohës dhe të dhënat e Xhavit Pashës, arrihet në përfundimin se kryengritësit kanë pasur rreth 300-500 të vrarë, midis të cilëve edhe 8-10 komandantë.
Në intervistën që i dha më 20 shtator 1909 gazetës “Le Progrès de Salonique” (“Përparimi i Selanikut”), Xhavit Pasha deklaroi se qëllimi i ekspeditës ishte “të likuidonte disa rebelë shqiptarë”, megjithatë e pati të vështirë të justifikonte me këtë persekutimet masive e barbare që bëri gjatë fushatës ushtarake në Lumë e në vise të tjera të Shqipërisë së Veriut. Këto, siç i relatonte qeverisë së tij konsulli italian në Shkup, u kryen “me metodat e lashta të barbarisë turke, që turqit nuk i kishin harruar”. Këtë egërsi të xhonturqve e shprehu edhe Xhavit Pasha, kur u deklaroi gazetarëve anglezë, francezë etj., se “nuk do të prehej para se t’ua shtypte kokën shqiptarëve”.
Megjithëkëto mizori, Xhavit Pasha nuk arriti të shtypte qëndresën e shqiptarëve dhe të përballonte goditjet e tyre, rrjedhimisht nuk u largua nga Luma si fitimtar. Personalitetet shtetërore të kohës arritën, atëherë, në përfundimin se ekspedita e tij pësoi disfatë.
Ngjarjet e shtatorit të vitit 1909 në Shqipërinë e Veriut vunë në lëvizje shqiptarët që vepronin në Stamboll e sidomos grupin e deputetëve. Në promemorjen, që doktor Ibrahim Temoja nga Struga dhe doktor Zenel Abedini nga Gjilani i drejtuan nga Stambolli ministrit të Brendshëm, Talat Beut, më 21 shtator 1909, dënohej dhuna ushtarake ndaj shqiptarëve të viseve të veriut si një veprim krejtësisht i paligjshëm dhe i paudhë. Me shqiptarët që ndihmuan për shpalljen e kushtetutës, theksonin autorët e saj, duhet vepruar me këshilla e me urtësi dhe jo siç po bën qeveria, me topa dhe me dyfekë, që nxisin edhe më shumë pakënaqësinë e popullsisë së Shqipërisë. Në këtë dokument thuhej se ishte qeveria ajo që i detyroi shqiptarët të rrëmbenin armët, se ata po mbrojnë të drejtat e tyre të ligjshme, po ashtu siç luftuan për kushtetutën dhe për lirinë e përgjithshme. “Në vend që të përdorni armët kundër tyre, – thuhej në promemorje, – përhapni arsimin dhe zhdukni injorancën”. Por ministri i Brendshëm, Talat Beu, nuk ua vuri veshin as protestave të atdhetarëve shqiptarë, as edhe propozimeve të tyre për të ndaluar gjakderdhjen.
Edhe shtypi patriotik shqiptar e quante qëndresën e shqiptarëve një mbrojtje të ligjshme, të provokuar nga dhuna ushtarake e xhonturqve. “U ranë më qafë pa ndonjë shkak të vërtetë, – shkruante gazeta “Korça” më 14 shtator 1909, – Xhavit Pasha, sikur ndiqte armiqtë, preu e po pret eshtrat e vëllezërve tanë dhe ka lënë shumë etër e nëna pa bij, shumë motra pa vëllezër, shumë gra pa burra dhe foshnja nëpër rrugë”.
Ekspeditat ndëshkimore ashpërsuan marrëdhëniet e xhonturqve me shqiptarët në tërësi. Valiu i Kosovës, Masar Beu, i shkruante ato ditë Portës së Lartë se ekspedita e Xhavit Pashës, në vend që ta qetësonte gjendjen në Lumë, e acaroi edhe më shumë, shkaktoi pakënaqësinë e përgjithshme të popullsisë së Kosovës.
Për këtë u bind edhe Stambolli, që urdhëroi Xhavit Pashën të merrej vesh me kryengritësit. Më 2 tetor ai pranoi propozimet e Mustafa Litës, njërit prej udhëheqësve të kryengritësve, që në emër të të gjthë popullsisë së Lumës i premtoi se shqiptarët e kësaj zone do t’u nënshtroheshin urdhrave të qeverisë, me kusht që ekspedita e tij ushtarake të tërhiqej nga Luma. Pas kësaj ndodhi tërheqja e Xhavit Pashës dhe e ushtrisë së tij nga Luma e Prizreni, që shkaktoi habinë e bashkëkohësve të huaj në Turqi e jashtë saj. Më 5 tetor Xhavit Pasha ishte kthyer tanimë në Mitrovicë.
Por, pa përfunduar ende ekspedita ushtarake në Lumë, shpërtheu kryengritja në Malësinë e Dibrës, ku, përveç popullsisë vendase, ishin mbledhur edhe shumë nga kryengritësit kosovarë. Këtu u mbajt një tubim i gjerë, ku morën pjesë rreth 2 000 veta nga Malësia, Dibra e Poshtme, Mati e Mirdita, që vijoi dy ditë me radhë, më 14 e 15 shtator. Në tubim u kërkua që shqiptarët të luftonin për vetëqeverisjen e atdheut të tyre. Për të penguar shtrirjen e lëvizjes në gjithë sanxhakun e Dibrës, Porta e Lartë, përveç batalioneve që ndodheshin në qytetin e Dibrës, dërgoi më 27 shtator forca të tjera ushtarake nga Selaniku.
Megjithatë, lëvizja u shtri edhe në Dibrën e Poshtme, ku mori përmasa edhe më të mëdha. Shqiptarët braktisën fshatrat e zunë grykat malore për t’i bërë pritë ushtrisë osmane. Këtu u përqendruan, në dhjetëditshin e parë të tetorit, forcat kryesore ushtarake osmane. Komanda e ekspeditës kundër Dibrës së Poshtme iu besua Xhavit Beut, i cili më 26 tetor 1909, në krye të 300 ushtarëve të pajisur me topa, u fut midis fshatrave Dardhë e Rexhë, që njihej si zona ku kryengritësit zhvillonin tubimet e tyre, ndërsa një forcë tjetër ushtarake u dërgua në Mat dhe në rrethet e tij. Megjithatë, Xhavit Beu shumë shpejt u detyrua të tërhiqte ushtritë e tij nga Dibra e Poshtme dhe nga Malësia, pa arritur ta nënshtronte popullsinë e tyre.
Ekspeditat ushtarake e dhuna e ushtruar nga Xhavit Pasha mbi shqiptarët provuan se qëllimi i xhonturqve nuk ishte “të mbronin” rendin kushtetues, të kërcënuar gjoja nga “reaksionarët shqiptarë”, por të vendosnin një regjim të centralizuar të skajshëm në Perandorinë Osmane. Me këto masa Komiteti “Bashkim e Përparim” synonte të pengonte gjithashtu zgjerimin e lëvizjes kombëtare, kulturore dhe autonomiste në Shqipëri, pjesë e së cilës ishte edhe kryengritja që po zhvillohej atëherë në krahinat veriore të vendit.
Në memorandumin që kryengritësit e Gegërisë i dorëzuan qeverisë turke, në fundin e tetorit të vitit 1909, krahas amnistisë për pjesëmarrësit në kryengritje, parashtroheshin edhe kërkesa me karakter kombëtar, si futja e gjuhës shqipe si gjuhë mësimi në të gjitha shkollat e Shqipërisë dhe emërimi në Shqipëri i nëpunësve që e njihnin vendin. Shqiptarët e zonave malore u treguan gjithashtu të gatshëm të hiqnin dorë nga disa prej venomeve të tyre, por kërkuan që t’i jepej popullsisë së zonave të afërta me kufirin me Malin e Zi e drejta për mbajtjen e armëve, që të ndërtoheshin fortifikata në kufi dhe të ndryshonte mënyra e mbledhjes së taksave sipas gjendjes së vendit.
Kërkesa të njëjta me këto i parashtruan qeverisë turke edhe klubi shqiptar i Stambollit së bashku me klubet e tjera të Shqipërisë.
Dhuna ushtarake mbi shqiptarët u denoncua botërisht nga shqiptarët e Stambollit. Në fund të tetorit u formua një Komitet Nismëtar Kombëtar, i përbërë nga doktor Zenel Abedini, doktor Ibrahim Temoja dhe Mehmet pashë Dëralla (Tetova), i cili organizoi në Aksaraj të Stambollit dy tubime të rëndësishme, njërin më 27 tetor dhe një tjetër më 5 e 8 nëntor 1909. Si në mbledhjen e parë, ashtu edhe në të dytën morën pjesë dhjetëra veta, intelektualë të profesioneve të ndryshme dhe deputetë, që përfaqësonin të katër vilajetet shqiptare. Në mbledhjen e nëntorit u miratua një promemorje, në të cilën përshkruhej gjendja tragjike, që ishte krijuar në Shqipërinë e Veriut për shkak të operacioneve ushtarake të qeverisë. Vihej theksi në mënyrë të veçantë në ndihmesën e shqiptarëve për shpalljen e kushtetutës më 1908 dhe për mbrojtjen e saj gjatë ngjarjeve kundërrevolucionare të 13 prillit 1909. Ishin forcat ushtarake qeveritare, thuhej në promemorje, ato që përdorën të parat forcën, që ngjallën tmerr kudo ku shkelën dhe u bënë shkak për armiqësimin e popullsisë me qeverinë. Në këto rrethana, shqiptarët u detyruan të ngrenë flamurin e kryengritjes. Edhe për ngjarjet e Lumës bëhej fajtore qeveria që deshi t’i shtypte ato me ekspeditat ushtarake të Xhavit Pashës, që përdori armët dhe dogji fshatrat e Lumës e të Prizrenit. Edhe pse ushtria u tërhoq, ajo la pas zona të shkretuara dhe urrejtjen e popullit.
Me qëllim që në të ardhmen të mos ndodhnin ngjarje të tilla, atdhetarët shqiptarë të Stambollit i propozonin qeverisë të ndërmerrte këto masa: të dërgohej në Shqipërinë e Veriut një komision për të bërë hetimet në vend për shkaqet e ngjarjeve që u parashtruan më lart; të gjithë ata që kishin bërë veprime të këqija të dënoheshin sipas ligjeve; të ngriheshin organet e rregullta të drejtësisë; të emëroheshin në ato zona të Shqipërisë së Veriut nëpunës, që dinin gjuhën e vendit dhe që do të ndihmonin në përparimin e popullsisë; të ngriheshin fortifikime në kufirin me Malin e Zi për t’i mbrojtur ato vise nga sulmet e malazezëve; të mos shtrihej në vilajetet e Shkodrës, të Kosovës e të Manastirit shërbimi i detyrueshëm ushtarak, i cili nuk ka qenë njohur asnjëherë nga popullsia; të ndërtoheshin sa më parë rrugët, ku të gjenin punë banorët e varfër të atyre viseve, të cilët detyroheshin të shkonin në emigracion në Serbi, në Bullgari e në Hungari; të hapeshin shkolla fillore në fshatra e në ato qytete ku nuk kishte të tilla.
Promemorja iu dorëzua më 13 nëntor 1909 ministrit të Brendshëm, Talat Beut, për t’ia përcjellë qeverisë. Ajo u nënshkrua gjithashtu nga deputetët shqiptarë të parlamentit, të cilët kërkuan që Xhavit Pasha të largohej nga Rumelia dhe të hidhej në gjyq si shkaktar i trazirave në Gegëri.
Mbledhjet, që u organizuan nga atdhetarët shqiptarë e nga grupi i deputetëve, patën jehonë në Stamboll dhe në opinionin publik në përgjithësi; ato treguan, siç shkruante gazeta “Lirija” e Selanikut më 12 dhjetor 1909, se “shqiptarët qenkan të zotë dhe kur duan mund të mblidhen e të kuvendojnë për të mirën e kombit”.
Dhuna e ushtruar nga Xhavit Pasha dhe nga ushtria osmane mbi shqiptarët e thelloi edhe më shumë hendekun midis popullit shqiptar e xhonturqve, forcoi te shqiptarët bindjen se interesat e tyre si komb ishin krejt të veçantë nga ata të xhonturqve. Në një korrespondencë të dërguar nga Shkupi dhe të botuar në gazetën “Dielli” më 26 nëntor 1909, thuhej se “kombëtaria pati prej sjelljeve të turqve një fitim të madh”, se “pas ngjarjeve të Lumës filloi të gjallërohet edhe më tepër lëvizja kombëtare në Kosovë, u përhapën aq shumë idetë dhe dëshirat për vetëqeverimin e Shqipërisë, sa nuk ishte menduar kurrë e që as me një propagandë 20-vjeçare nuk do të kishim mundur t’i arrinim”.
Historia shqiptare
Rilindja Kombëtare