Kongresi i Dibrës (23-29 korrik 1909)
Ngjarjet në Shqipëri e vunë qeverinë xhonturke në një pozitë të vështirë, nga e cila ajo u përpoq të dilte duke thirrur një kongres në Dibër më 23 korrik 1909, ditën e përvjetorit të shpalljes së kushtetutës.
Kongresi u organizua me nismën e Komitetit Qendror “Bashkim e Përparim”, i cili për të krijuar përshtypjen se ky tubim ishte thirrur nga shqiptarët, ia ngarkoi shpërndarjen e ftesave një komisioni kushtetues vendas, të formuar posaçërisht për këtë qëllim në Dibër. Ndërkaq xhonturqit nuk hoqën dorë nga synimi për t’i dhënë këtij Kongresi një karakter të përgjithshëm osman, prandaj shpallën se qëllimi kryesor i kësaj mbledhjeje do të ishte përcaktimi i “qëndrimit që do të mbahej kundrejt projekteve të Fuqive të Mëdha për copëtimin e Maqedonisë dhe të Shqipërisë”, si edhe forcimi i “veprimtarisë së përbashkët për lulëzimin e Perandorisë dhe për mënjanimin e shkaqeve të pakënaqësisë dhe të ftohjes” midis elementëve të saj. Në Kongres u ftuan të marrin pjesë jo vetëm shqiptarët, por edhe kombësitë e tjera të gjashtë vilajeteve të Turqisë Evropiane.Në të vërtetë, duke thirrur Kongresin e Dibrës, xhonturqit synonin të realizonin atë detyrë që nuk mundën ta kryenin me anë të ekspeditave ushtarake: të nënshtronin shqiptarët dhe t’i detyronin të hiqnin dorë nga lufta për çlirimin kombëtar ose, siç thuhej në dokumentet e kohës, “për pavarësinë e Shqipërisë”. Valiu i provincës së Manastirit, Fahri Pasha, vetëm dy ditë para hapjes së Kongresit, u kumtoi përfaqësuesve të huaj konsullorë në Manastir se “qëllimi i thirrjes së Kongresit të Dibrës është që të ndikohet me mjete paqësore te shqiptarët për t’i qëndruar besnik kushtetutës dhe qeverisë turke”. Me këtë Kongres xhonturqit shpresonin gjithashtu të forconin lidhjet me parinë e Shqipërisë dhe të krijonin para botës së jashtme përshtypjen se turqit e rinj dhe shqiptarët kishin qëllime të përbashkëta dhe se ndërmjet tyre ishte vendosur një bashkëpunim i ngushtë. Ata shpresonin gjithashtu që me tubime të tilla të fitonin kohë dhe, pasi të stabilizonin gjendjen në vend, të shtypnin me dhunë Lëvizjen Kombëtare Shqiptare.
Për të tërhequr në Kongres vetëm përkrahësit e tyre dhe për të mos u dhënë kohë klubeve shqiptare, sidomos atyre të viseve të Shqipërisë së Jugut, që ishin më larg Dibrës, të dërgonin përfaqësuesit e vet në këtë mbledhje, xhonturqit i shpallën ftesat e tyre vetëm 5-6 ditë para Kongresit. Ftesat iu dërguan kryesisht parisë e krerëve klerikë myslimanë, nga radhët e të cilëve komitetet xhonturke dhe valinjtë shpejtuan të zgjidhnin si delegatë të Kongresit ithtarët e tyre. Megjithatë, klubet shqiptare, sidomos ai i Manastirit dhe i Selanikut, që në atë kohë po përgatisnin thirrjen e Kongresit kombëtar të Elbasanit, ndonëse u gjendën të papërgatitur, vepruan në mënyrë energjike, zhvilluan një veprimtari të dendur organizative për të dërguar në Kongresin e Dibrës delegatët e tyre nga radhët e intelektualëve atdhetarë, disa prej të cilëve do të shkonin drejtpërdrejt nga Dibra në Elbasan.
Në Kongres morën pjesë 325 delegatë nga qytetet e ndryshme të vilajeteve shqiptare dhe nga viset e tjera të Turqisë Evropiane. Shumica e tyre ishin shqiptarë, myslimanë e të krishterë. Por krahas tyre kishte edhe delegatë turq, 16 sllavo-maqedonë, 15 grekë, disa serbë e vllehë. Përbërja e Kongresit qe heterogjene: një pjesë e mirë qenë klerikë të lartë dhe çifligarë turkomanë, nëpunës, mësues e drejtorë shkollash (turke e të huaja) dhe intelektualë me prirje xhonturke, ndërsa disa ishin oficerë xhonturq të veshur civilë. Por në Kongres morën pjesë edhe mjaft përfaqësues të forcave atdhetare të lëvizjes kombëtare, laikë e klerikë, të dërguar kryesisht nga klubet e shoqëritë atdhetare, midis të cilëve qenë Vehbi efendi Dibra, Sotir Peci, Fehim Zavalani, Dervish Hima, Loni Logori, Hafiz Ali Korça, Llambi Kota, Abdyl Ypi (Starja), Aqif pashë Elbasani, Beniamin Nosi, Andrea Ballamaçi, Qazim Beu (kryetar i klubit “Bashkimi” të Dibrës), Jusuf Karahasani (nga Malësia e Dibrës), Haxhi Hafiz Ibrahim efendiu (nga klubi i Shkupit), Murat Aga (nga Gjakova) etj.
Për t’iu përgjigjur qëllimeve që shtruan xhonturqit dhe për shkak të përbërjes së tij, kuvendi mori emrin “Kongresi kushtetues i përbashkët shqiptaro-osman”.
Kryetar i Kongresit u zgjodh Vehbi efendi Dibra, myfti i këtij sanxhaku, një nga personalitetet me ndikim në trevat shqiptare dhe i njohur njëherazi për atdhetarizmin e tij. Qysh në fillim të punimeve të Kongresit, xhonturqit u orvatën t’u impononin delegatëve programin e vet prej 4 pikash, të përgatitur qysh më parë nga Komiteti Qendror “Bashkim e Përparim”, që kishte për qëllim të detyronte shqiptarët dhe përfaqësuesit e kombësive të tjera joturke të pranonin doktrinën e “osmanizmit”, të shprehnin, krahas besnikërisë ndaj kushtetutës, edhe gatishmërinë për të mbrojtur Perandorinë Osmane nga rreziku i jashtëm dhe nga çdo lëvizje e brendshme kryengritëse.
Më 24 korrik, ditën e dytë të Kongresit, kryetari i tij, i detyruar të zbatonte rendin e ditës të përcaktuar qysh më parë nga Komiteti Qendror “Bashkim e Përparim”, parashtroi rezolutën prej 4 pikash, që ishte paraparë të nënshkruhej pa diskutim nga gjithë delegatët dhe t’i dërgohej në formën e një peticioni parlamentit turk. Por këto përpjekje të xhonturqve për t’i kufizuar punimet e Kongresit vetëm me miratimin e kësaj rezolute, hasën në kundërshtimin e vendosur të atdhetarëve shqiptarë, “të delegatëve nacionalistë”, siç thuhet në dokumentet bashkëkohëse, të cilët nuk pranuan të nënshkruanin verbërisht dhe pa diskutim programin e paraqitur nga Komiteti.
Për shkak të qëndresës së atdhetarëve shqiptarë, xhonturqit dhe përkrahësit e tyre u detyruan të tërhiqeshin, pranuan që punimet e mëtejshme të Kongresit të vijonin nëpërmjet një Komisioni prej 40 delegatësh, të cilëve, me qëllim që të neutralizohej grupi i atdhetarëve shqiptarë, iu shtuan edhe pesë funksionarë osmanë, të caktuar nga Komiteti “Bashkim e Përparim”. Komisioni, që zgjodhi si kryetar Vehbi Dibrën, u ngarkua të hartonte vendimet përfundimtare të Kongresit të Dibrës.
Punimet e mëtejshme të Kongresit (të Komisionit), që zgjatën disa ditë me radhë dhe u zhvilluan në gjuhën shqipe, u karakterizuan nga një konfrontim i ashpër midis dy grupimeve politike, atij proturk, që përkrahte programin e paraqitur nga Komiteti “Bashkim e Përparim”, dhe grupit të atdhetarëve shqiptarë, që kërkonin të përfshiheshin në program kërkesa të tilla kombëtare, si futja në shkolla e mësimit të detyrueshëm të gjuhës shqipe dhe themelimi i shkollave shqipe në gjithë Shqipërinë. Këto kërkesa, si edhe ajo e mësimit të shqipes me alfabetin e Kongresit të Manastirit, ndeshën në kundërshtimin e xhonturqve dhe të delegatëve turkomanë shqiptarë, sidomos të disa klerikëve të lartë myslimanë të dërguar nga valiu i Shkodrës e i Kosovës.
Megjithatë, në saje të këmbënguljes së atdhetarëve shqiptarë, Kongresi, në mbledhjen e tij të fundit më 28 korrik, miratoi një program tjetër prej 17 pikash, të përgatitur nga Komisioni e të përbërë prej dy pjesësh: pjesa e parë, prej 5 pikash, që gjatë diskutimeve u quajtën “nene të bashkimit” ose “bashkimtare”, përfaqësonte programin e paraqitur nga xhonturqit me disa ndryshime që iu bënë në Kongres, nën trysninë e delegatëve shqiptarë. Në këtë pjesë shprehej uniteti i të gjithë osmanllinjve dhe besnikëria e shqiptarëve ndaj osmanizmit, vendosmëria e tyre për të respektuar regjimin kushtetues, për të mbrojtur me armë në dorë qeverinë kushtetuese, në rast se do të kërcënohej nga jashtë ose nga ata që brenda vendit do t’u shërbenin ideve të huaja; kërkohej gjithashtu që gjithë shqiptarët të kryenin shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Kjo pjesë e programit, me gjithë ndryshimet që pësoi në Kongres, ruajti në thelb karakterin e saj xhonturk. Në pjesën e dytë të programit, të përbërë nga 12 pika, të cilat gjatë punimeve të Kongresit u quajtën “nenet dytësore ose të nevojshme” (për shqiptarët – shën. i aut.), megjithëse në mënyrë mjaft të moderuar, u përfshinë disa nga kërkesat e parashtruara nga përfaqësuesit e rrymës kombëtare shqiptare. Një pjesë e mirë e masave që përfshiheshin këtu kishin të bënin me zhvillimin e përgjithshëm ekonomik e kulturor të vilajeteve të Turqisë Evropiane. Parashikohej ndërtimi në këto vilajete i hekurudhave dhe i rrugëve automobilistike; tharja e kënetave dhe sistemimi i lumenjve; krijimi në Turqinë Evropiane i shkollave normale turke për mësues dhe i shkollave të larta për tregti e mjeshtëri (profesionale), në të cilat të mësohej filozofia fetare, morali islam e Kurani; ngritja në një nga qendrat e Turqisë Evropiane e një universiteti turk; likuidimi i menjëhershëm i “Shoqërisë së duhanit të Perandorisë Osmane” (“Régie des tabacs…”) etj.
Krahas këtyre përfshiheshin edhe disa masa të veçanta për Shqipërinë. Kërkohej që të “hapeshin në Shqipëri, ku arsimi është më i prapambetur, shkolla fillore, të mesme dhe të larta për tregëti e mjeshtëri, ku gjuha shqipe të mësohej lirisht në kufijtë e dëshëruar”. Mësimi i gjuhës shqipe dhe sasia e orëve për të i liheshin për t’i caktuar çdo lokaliteti të veçantë. Një masë e tillë, edhe pse krijonte mundësinë për mësimin e gjuhës shqipe, ishte larg kërkesës së Lëvizjes Kombëtare Shqiptare për themelimin e shkollave kombëtare shqipe dhe për futjen e mësimit të detyruar të shqipes në shkolla. Vendimi që u mor në lidhje me alfabetin e gjuhës shqipe, për të përdorur “lirisht alfabetin turk ose shqiptar”, ishte gjysmak dhe u çelte rrugën xhonturqve e gjithë kundërshtarëve të alfabetit shqip për të penguar e për të luftuar përhapjen e shkrimit shqip.
Në këtë pjesë të programit, po me këmbënguljen e shqiptarëve, kërkohej që “në emërimin e nëpunësve t’u jepet përparësi banorëve vendas që njihnin karakterin dhe zakonet e vendit”, që të hiqeshin shkollat fetare (të krijuara për shqiptarët ortodoksë e për vllehët) nga administrimi i kishës dhe t’i jepeshin Ministrisë së Arsimit, si dhe të njihej gjuha e vendit në komunitetet fetare.
Duke qenë i organizuar nga xhonturqit dhe duke pasur në përbërjen e vet një shumicë delegatësh turkomanë, si edhe delegatë nga kombësitë e tjera të Turqisë Evropiane, Kongresi i Dibrës, me gjithë përpjekjet e atdhetarëve shqiptarë, sikurse theksohet në dokumentet bashkëkohëse, nuk arriti të kthehej në një manifestim të pavarur dhe kombëtar shqiptar. Në vendimet e botuara në formën e një broshure të veçantë në Manastir më 1909 (1325), ky tubim mbante emrin “Kongresi kushtetues i përbashkët shqiptaro-osman”. Po këtë emërtim do të kishin edhe kongreset e tjera, të cilat, sipas vendimit që u mor në Dibër, do të thirreshin çdo vit në një nga qytetet e Turqisë Evropiane?. Po kështu, komisionet, që Kongresi rekomandonte të krijoheshin në qendra të ndryshme të Rumelisë, “për të bashkuar të gjitha kombet e Perandorisë Osmane” do të quheshin “Bashkimi i Kombeve” (“Ittihad-i Anasir”).
Megjithatë, ka rëndësi të veçantë fakti që atdhetarët shqiptarë e shndërruan Kongresin e Dibrës në një arenë të luftës kundër reaksionit xhonturk, mbrojtën të drejtat kombëtare të popullit shqiptar dhe i detyruan organizatorët e tij xhonturq të pranonin disa nga kërkesat e tyre, të cilat, ndonëse nuk shprehnin në mënyrë të plotë aspiratat e kombit shqiptar, binin ndesh me politikën e osmanizimit të ndjekur nga xhonturqit. Prandaj Komiteti Qendror “Bashkim e Përparim” dhe ithtarët e tij në Shqipëri, si myftiu i Manastirit, Rexhep efendi Tetova etj., i dhanë popullaritet, me anën e shtypit, të mitingjeve e të mjeteve të tjera, asaj pjese të vendimeve që bënte fjalë për unitetin e shqiptarëve, si “osmanllinj”, me turqit dhe nuk përfillën aspak masat që parashikonin mësimin, qoftë edhe me kufizime, të gjuhës shqipe në shkolla.
Por as vendimet e Kongresit të Dibrës, as propaganda xhonturke për bashkëpunimin e shqiptarëve me Komitetin “Bashkim e Përparim” nuk mundën të mbulonin kundërshtitë e kombit shqiptar me regjimin turqve të rinj.
Historia shqiptare
Rilindja Kombëtare