Federatat fisnore

Federatat fisnore

Zhvillimi i pronës private, që çoi në thellimin e diferencimit social, u bë burim konfliktesh në shoqërinë ilire të shek. VIII-V p.e.sonë. Në këtë kohë morën përpjesëtime të mëdha luftërat ndërfisnore dhe inkursionet plaçkitëse për det e tokë, që arrinin deri në Greqi dhe në brigjet e përtejme të Adriatikut. Të tillë kanë qenë inkursioni i enkelejve për plaçkitjen e thesarit të Delfit ose ato të detarëve liburnë, të cilët me anijet e tyre të lehta dhe të shpejta zotëruan për një kohë brigjet e Adriatikut, që nga Korfuzi deri në brigjet italike.
Gjendja e krijuar nga këto luftëra dhe inkursione, që i sillnin aristokracisë fisnore ilire të ardhura të mëdha, gjen shprehjen e vet në veprimtarinë e gjerë të ndërtimit të vendbanimeve të fortifikuara dhe në zhvillimin e armatimeve, sidomos të armëve të reja, siç ishin shpatat, hanxharët dhe heshtat prej hekuri që janë gjetje të rëndomta në varret e luftëtarëve ilirë dhe të mburojave të paionëve, të përkrenareve e frerëve të kuajve që përbënin pajisjet e veçanta të aristokracisë luftarake.

Në procesin e këtyre konflikteve, fiset e vogla ilire filluan të lidhen dhe të formojnë gjatë veprimeve të tyre të përbashkëta në luftërat agresive ose mbrojtëse, aty nga fundi i shek.VII p.e.sonë, federatat e para. Një federatë e tillë ishte ajo e taulantëve, që nën mbretin Galaur dhe më pas, gjatë shek. VII-VI p.e.sonë invadoi disa herë Maqedoninë duke i shkaktuar asaj dëme të rënda dhe sakrifica të mëdha në njerëz. Gjatë shek. VI-V p.e.sonë federata të tilla formuan edhe disa fise të tjera, si molosët, thesprotët, kaonët, parauejtë, orestët, lynkestët, paionët, dardanët etj.

Në krye të federatës qëndronte mbreti, i cili në burimet quhet basileus. Në disa raste si tek kaonët e thesprotët vendin e tij e zinte një njeri i zgjedhur çdo vit nga gjiri i fisit sundues të federatës. Në burimet e fundit të shek.V vihet re se funksioni i basileut nuk i takonte më prijësit më të aftë ushtarak, por ishte bërë i trashëgueshëm dhe pushteti e autoriteti i tij ishte rritur mjaft si brenda fisit e lidhjes fisnore, ashtu dhe jashtë tij. Në bazë të këtij fuqizimi të prijësve ushtarakë dhe të basilejve qëndronte gjithnjë pasuria që vinte duke u shtuar përherë e më shumë në sajë të luftërave. Ata vinin nga shtresa e pasuruar e shoqërisë fisnore ilire, e cila dallohej nga pjesa tjetër e popullsisë së thjeshtë. Ajo e konsideronte si një gjë të turpshme të merrej me punimin e tokës, me mbarështimin e bagëtisë, me prodhimin zejtar etj. Në këto punë ishin të angazhuar vetëm prodhuesit e vegjël, masa e gjerë e fshatarëve të lirë ose gjysmë të lirë. Zanati më i nderuar për ta ishin lufta, gjuetia, garat sportive etj., skenat e të cilave na janë transmetuar përmes gjuhës së gjallë artistike në objektet e bronzta të zbuluara në krahinat veriore ilire apo në kallcat e Glasinacit.
Në gjysmën e dytë të shek. V p.e.sonë disa nga federatat ilire kishin arritur një stad mjaft të përparuar në zhvillimin e tyre politik. Taulantët, fiset ilire, fqinje të Maqedonisë dhe ato më jugore: kaonët, thesprotët e molosët merrnin pjesë në ngjarje të tilla politike të historisë së botës së Mesdheut siç ishte lufta e Peloponezit.

Taulantët ndërhyjnë me këtë rast në luftën civile që shpërtheu në Epidamn në vitin 436 p.e.sonë. Në këtë luftë ata morën nën mbrojtje oligarkët e dëbuar nga demosi i qytetit dhe qenë një nga ato forca që në aleancë me Athinën, kundër lidhjes së Peloponezit, ndihmuan aristokracinë epidamnase të rikthehet në pushtet. Kjo ngjarje shënoi një kthesë të rëndësishme në historinë e kësaj kolonie greke, sepse fatet e saj do të lidhen paskësaj gjithnjë e më shumë me botën ilire.
Dy njoftime të tjera kanë të bëjnë me ngjarjet e vitit 423. I pari bën fjalë për kaonët, thesprotët, molosët dhe disa fise të tjera më të vogla fqinje të molosëve, që marrin pjesë nga ana e lakedemonëve në fushatën për të nënshtruar Akarnaninë dhe për ta shkëputur atë nga aleanca me Athinën, fushatë që përfundoi pa sukses.

Njoftimi i dytë lidhet me luftën që zhvilluan ilirët e krahinave juglindore kundër maqedonëve. Fisi ilir i lynkestëve ishte prej kohësh në konflikt me sundimtarët maqedonë, të cilët synonin ta nënshtronin. Gjatë luftës greko-persiane mbreti maqedon i ndihmuar nga persët kishte mundur t’u impononte lynkestëve sovranitetin e tij. Në kushtet e reja të luftës së Peloponezit, kur shteti maqedon ishte ende i pakonsoliduar dhe sundimtari i tij Perdika II përplasej sa në njërën anë në tjetrën, duke u lidhur herë me Athinën e herë me Spartën, mbreti i lynkestëve, Arrabeu, shfrytëzoi këtë situatë për t’u shkëputur nga varësia maqedone. Në përpjekjet e tij për të rivendosur gjendjen e mëparshme, Perdika kërkoi ndihmën e aleatit të vet, komandantit të forcave lakedemone, Brasidës, të cilit i kishte besuar luftën kundër Athinës në teatrin halkidik të veprimeve ushtarake. Një ekspeditë e fuqishme e përbërë nga forcat e Perdikës dhe të Brasidës provoi të thyente Arrabeun me anën e bisedimeve dhe të bëhej aleat i lakedemonëve. Por përpjekjet dështuan dhe bashkë me to dështoi edhe ekspedita kundër lynkestëve. Në kundërshtim me vullnetin e Perdikës, Brasida nuk guxoi të sulmonte dhe vendosi t’i tërhiqte forcat.

Pak kohë më vonë Perdika e bindi përsëri Brasidën për një fushatë të re kundër lynkestëve; forcat maqedone e ato lakedemone të përbëra prej 3 000 hoplitësh, 1 000 kalorësish dhe një numër barbarësh sulmuan Arrabeun. Por këtë radhë lynkestët kishin siguruar ndihmën e vëllezërve të tyre ilirë. Forcat e bashkuara të ilirëve dhe lynkestëve e shpartalluan veçmas mbretin maqedon dhe e detyruan të largohej në pështjellim të plotë, duke braktisur aleatin e tij. Kështu Brasida u gjend i rrethuar keq dhe vetëm me përpjekje të mëdha mundi t’i shpëtojë forcat e veta nga asgjësimi i plotë. Kjo luftë ndryshoi krejt drejtimin që kishin marrë ngjarjet në frontin halkidik. “I detyruar nga rrethanat e rënda,- shkruan Tukididi, – Perdika u përpoq të hynte sa më parë në marrëveshje me athinasit dhe t’i hiqte qafe peloponezasit”.

Duke i përshkruar këto ngjarje të shek. V, Tukididi na ka lënë edhe një shënim me mjaft interes për vlerësimin e jetës social-politike të ilirëve. Prej fjalimit, që sipas tij Brasida u mbajti ushtarëve të tij para tërheqjes, ne mësojmë se shoqëria ilire ruan ende në fundin e shek.V mbeturina të theksuara të rendit fisnor. Por midis njoftimeve të autorëve që bëjnë fjalë vetëm për inkursionet e ilirëve dhe atyre të Tukididit, që i përmend ata si një forcë aktive, pjesëmarrëse në ngjarjet më të rëndësishme të kohës, ku luajti ndonjëherë një rol jo pa rëndësi, ka një ndryshim të dukshëm. E re në njoftimet e Tukididit është se lufta e federatave ilire si në rastin e ndërhyrjes në luftën civile të Epidamnit, ashtu dhe në luftën kundër maqedonëve dhe aleatëve të tyre peloponezas, nuk kishte më karakterin e një inkursioni grabitqar, por synime politike të caktuara dhe kjo nënkupton një stad mjaft të avancuar të organizimit të tyre politik qoftë edhe në kuadrin e një federate fisnore.

I gjithë ky zhvillim social-politik, që vihet re, veçanërisht tek fiset ilire të jugut në fund të shek.V p.e.sonë, pasqyron qartë një shoqëri, që jetonte etapën e fundit të organizimit fisnor, atë kalimtare për në rendin skllavopronar. Mbi bazën e kësaj shoqërie do të lindin në fundin e shek. V – fillimin e shek. IV p.e.sonë formacionet e para shtetërore ilire.

Historia shqiptare
Përgatitur nga prof. dr. Muzafer Korkuti

 

 

[cite]