Fitoret e para ushtarake (1444-1447)
Vendimet e Kuvendit të Lezhës i dhanë një bazë të gjerë e të fuqishme organizative, juridike e morale forcimit të aftësisë mbrojtëse dhe të gatishmërisë luftarake të vendit. Barrën kryesore për realizimin e saj Kuvendi ia ngarkoi Skënderbeut.
Pas mbylljes së Kuvendit Skënderbeu iu përkushtua organizimit të ushtrisë dhe sistemit mbrojtës të vendit. Ai udhëtoi nëpër të gjitha fshatrat e zotërimeve të Kastriotëve për të regjistruar ushtarë, vëzhgoi shtigjet, grykat e luginat nga mund të sulmonte ushtria osmane, caktoi informatorë që të vëzhgonin e të njoftonin menjëherë lëvizjet e armikut, ndërmori meremetimin e kështjellave dhe pajisjen e tyre me luftëtarë e armatime. Vëmendje të veçantë i kushtoi mbrojtjes së ballit lindor të viseve të çliruara, prej nga mund të futeshin për në thellësi të tyre ushtritë osmane. Në fund të pranverës së vitit 1444 mbaruan përgatitjet ushtarake dhe Skënderbeu kishte mobilizuar me mijëra luftëtarë që ishin të gatshëm për të mbrojtur vendin.
Çlirimi i rajoneve të gjera të Shqipërisë Qendrore e të Sipërme, që formonin një nga zonat më strategjike të Ballkanit Perëndimor, si dhe bashkimi politik dhe ushtarak i fisnikëve shqiptarë, përbënin një ngjarje shumë të rëndësishme, e cila i kalonte kufijtë e botës shqiptare. Zhvillimet politike në Shqipëri tërhoqën kudo vëmendjen e qarqeve drejtuese të vendeve evropiane dhe shkaktuan shqetësim në oborrin osman.
Për të rivendosur sa më shpejt pushtetin osman në tokat shqiptare, tregon Marin Barleci, që është burimi kryesor për njohjen e këtyre ngjarjeve, sulltani ngarkoi Ali Pashën, një nga komandantët e tij më të shquar. Ky duhet të ketë qenë subashi i Shkupit, Ali Beu. Në krye të disa mijëra vetave, në qershor të vitit 1444, ai iu drejtua rajonit më të pasur të çliruar nga Skënderbeu dhe që ishte më afër Shkupit, Dibrës së Poshtme.
I informuar me kohë për lëvizjen e trupave osmane, Skënderbeu, sipas M. Barlecit, përgatiti një ushtri prej afro 8 mijë kalorësish e 7 mijë këmbësorësh dhe e drejtoi për në Dibrën e Poshtme. Në afërsi të tyre erdhën dhe u vendosën trupat e Ali Beut. Ishte beteja e parë, guri i provës për forcat e bashkuara shqiptare dhe për komandantin e tyre.
Beteja u zhvillua në formacion të rregullt luftimi në një fushë të palokalizuar të Dibrës së Poshtme. Qysh nga shek. XVIII nëpërmjet veprës së Xh. Biemit, ajo njihet në historiografi me emrin simbolik beteja e Torviollit dhe po kështu si datë të saj ai përmend 29 qershorin e vitit 1444.
Skënderbeu e vendosi ushtrinë në fushë të hapur dhe e rreshtoi në formë harku të ndarë në tri pjesë. Në rreshtat e parë të çdo grupimi vendosi kalorësinë dhe pas tyre këmbësorinë. Për të drejtuar zhvillimin e betejës, ai qëndroi me luftëtarët e grupimit të qendrës. Forcat e grupimit të djathtë i komandonte Moisi Arianiti (Golemi), kurse ato të grupimit të majtë Tanush Topia. Mbrapa trupave të qendrës ishin vendosur edhe dy grupime luftëtarësh nën drejtimin e Ajdin Muzakës dhe të Kont Uranit. Në pyjet aty pranë qëndronin të fshehura forcat e rezervës të komanduara nga Gjin Muzaka e Hamza Kastrioti.
Beteja filloi me sulmin e luftëtarëve shqiptarë të dy grupimeve anësore, të cilët u përpoqën ta çanin ushtrinë osmane në dy pjesë, në kohën kur forcat e grupimit të qendrës me Skënderbeun në krye sulmuan trupat e Ali Beut. Kur armiku ende nuk kishte hedhur në betejë të gjitha forcat, trupat e tij u sulmuan befasishëm nga pas prej luftëtarëve të Gjin Muzakës e të Hamza Kastriotit. E goditur nga të gjitha anët, së fundi edhe nga forcat e freskëta të komanduara nga Kont Urani, ushtria osmane u copëtua, pësoi humbje të rënda dhe u shpartallua plotësisht. Ajo la në fushën e betejës shumë të vrarë e robër. Shqiptarët luftuan heroikisht dhe arritën një fitore të shkëlqyer. Në atë betejë, shkruante M. Barleci, “luanët komanduan luanët”.
Fitorja e Torviollit pati jehonë të thellë në Shqipëri si dhe në vendet e tjera. Ajo përforcoi besimin e shqiptarëve te Skënderbeu e ushtria e Besëlidhjes dhe te lufta e drejtë e tyre për mbrojtjen e lirisë. Ajo i dha shtysë luftës antiosmane të popujve të Ballkanit, që filloi të fuqizohej, dhe shkaktoi shqetësim të madh në oborrin e sulltanit.
Në këto rrethana Murati II u përpoq të rregullonte marrëdhëniet me mbretin e Hungarisë e të Polonisë, Vladislavin IV, të cilit i kërkoi paqe, dhe më 12 korrik 1444 u nënshkrua në Seged traktati i saj me një afat dhjetëvjeçar. Por paqja vazhdoi vetëm gjashtë javë, sepse, i nxitur nga papa dhe forca të tjera antiosmane, Vladislavi IV e shkeli traktatin e paqes. Ky përgatiti një ushtri prej 14 000 vetash dhe në krye të tyre marshoi në thellësi të Ballkanit deri në Varna. Vladislavi IV e filloi betejën në kundërshtim me mendimin e Janosh Huniadit dhe më 10 nëntor 1444 ushtria e tij u shpartallua prej trupave osmane. Vladislavi mbeti i vrarë në këtë betejë, kurse J. Huniadi mundi të shpëtonte me mbeturinat e ushtrisë hungareze. Fitorja pranë Varnës i dha mundësi sulltanit t`i përdorte ushtritë e veta për të shtypur lëvizjet antiosmane të Ballkanit.
Në vjeshtë të vitit 1445, sipas M. Barlecit, kundër Shqipërisë u sulën njëra pas tjetrës dy ushtri osmane, të cilat u pritën prej shqiptarëve në një luginë të ngushtë në rajonin e Mokrës, me sa duket në luginën e lumit Treskë, përgjatë të cilit kalonte traseja e një prej rrugëve më të shkurtra për lëvizjen e ushtrive osmane nga Shkupi në thellësi të tokave të lira shqiptare. Skënderbeu lejoi ushtrinë e parë osmane, që sipas M. Barlecit e komandonte Ferizi, të hynte në luginë dhe pastaj e sulmoi befasisht dhe e shpartalloi. Pa kaluar shumë kohë erdhi po në atë luginë një ushtri e dytë e komanduar nga Mustafai. Pasi ngritën fushimin, trupat osmane filluan plaçkitjen dhe shkretimin e vendit. Në kohën kur një pjesë e tyre ishte larguar për të plaçkitur, Skënderbeu goditi kampin armik, ku ndodhej shumica e ushtarëve osmanë dhe arriti një fitore të re të shkëlqyer. Po këtë fat pësoi në vitin 1447 një ushtri tjetër osmane, e komanduar po nga Mustafai, të cilën forcat e Skënderbeut, të radhitura përballë saj, e thyen në Oronik të Dibrës së Sipërme, në lindje të Strugës, dhe zunë rob komandantin osman.
Fitoret e para ushtarake të Besëlidhjes Shqiptare nën udhëheqjen e Skënderbeut patën rëndësi të madhe për jetën politike të vendit. Ato forcuan besimin e shqiptarëve se të bashkuar mund të përballonin me sukses fuqinë ushtarake të Perandorisë Osmane, rritën autoritetin e Skënderbeut si komandant i talentuar, si dhe dashurinë e shqiptarëve ndaj tij. Në rrafsh ndërkombëtar ato i dhanë Skënderbeut dhe qëndresës së tij një rol të veçantë në luftën kundër pushtuesve osmanë dhe e vunë atë në lidhje me forcat e tjera antiosmane të kohës, si me Hungarinë, me shtetet italiane dhe me vende të tjera. Jehona e luftës fitimtare të shqiptarëve filloi të ndihej kudo, duke zënë vend edhe në letërkëmbimin e personaliteteve politike të larta të kohës, si papa Nikolla V, mbreti Alfonsi V i Napolit etj.