FJALOR FILOZOFIK
![]() |
Fjalori Filozofik |
GERMA A
ABSOLUT
Që nuk varet dhe nuk kushtëzohet nga diçka tjetër; që merret a që
vështrohet në vetvete, pa u lidhur e pa u krahasuar me diçka tjetër
E vërteta absolute.
Ide absolute.
AGNOSTICIST
Pasues dhe mbrojtës i pikëpamjeve të agnosticizmit.
AGNOSTICIST
Që ka të bëjë me agnosticizmin; që ndjek e mbron parimet e
agnosticizmit. Teori (rrymë, pikëpamje) agnosticiste. Qëndrim
agnosticist.
AGNOSTICIZËM
Rrymë filozofike idealiste, që mohon mundësinë e njohjes së botës
objektive dhe të ligjeve të zhvillimit të saj.
ATRIBUT
Veti thelbësore, e domosdoshme dhe e përhershme e një
sendi a e një dukurie; cilësi që karakterizon një send a një dukuri.
Atribut i brendshëm i materies. Atribut i një shoqërie.
GERMA B
BUKUR
Veti objektive e sendeve dhe e dukurive, që janë të
zhvilluara në mënyrë të harmonishme e të përkryera në llojin e
tyre, që u përgjigjen idealeve tona socialiste e pikëpamjeve
estetike përparimtare dhe që të japin kënaqësi e të bëjnë t’i
admirosh; të qenët i bukur, bukuria; kund. e shëmtuara. E bukura
dhe e shëmtuara. E bukura dhe e dobishmja. Ndjenja e së
bukurës. Ligjet e së bukurës. Njohja e së bukurës.
GERMA C
CILËSI
Tipari thelbësor ose tërësia e tipareve thelbësore që
tregojnë se ç’është një send, një dukuri a një proces dhe që e
dallojnë atë nga një send, një dukuri a një proces tjetër; tipari a
tërësia e tipareve që përbën të veçantën e një sendi, dukurie a
procesi,që e bën atë të jetë ai ose ajo që është, të shquhet nga
sendet, dukuritë e proceset e tjera dhe të lidhet me to. Cilësia dhe
sasia. Kalimi (shndërrimi) i sasisë në cilësi. Ndryshime në cilësi.
CINIK
1. Pasues i cinizmit, ithtar i cinizmit në Greqinë e vjetër.
2. Njeri që përbuz e tall normat e moralit të shoqërisë, njeri cinik.
CINIZËM
1. Doktrinë filozofike (në Greqinë e vjetër), e cila predikonte
mospërfilljen dhe përbuzjen e hapët të zakoneve, të
normave të njohura shoqërore e të kulturës, pavarësinë e njeriut
nga bota që e rrethon, kthimin në gjendjen primitive dhe
asketizmin, për të ruajtur, sipas kësaj doktrinë, virtytin.
2. Qëndrim mospërfillës, përbuzës e tallës kundrejt normave të
moralit e zakoneve të shoqërisë dhe kundrejt çdo gjëje që është
pranuar e që nderohet nga shoqëria; qëndrim i vrazhdë e i pacipë.
GERMA D
DEIST
Ithtar i deizmit.
DEIST
Që mbështetet në deizmin; që ka të bëjë me deizmin. Filozofi
deiste. Filozof deist. Pikëpamje deiste.
DEIZËM
Doktrinë filozofike që e quan zotin krijuesin e parë të botës, por që
pranon se, pas krijimit, bota zhvillohet sipas ligjeve të veta. Deizmi
i shekujve XVII-XVIII. Përfaqësuesit e deizmit.
DETERMINIZËM
Doktrinë sipas së cilës të gjitha dukuritë e ngjarjet kanë karakter
ligjësor e kushtëzohen nga lidhje shkakësore objektive.
Determinizmi materialist (dialektik). Determinizmi metafizik
DIALEKTIK
Që ka të bëjë me dialektikën si shkencë e si metodë shkencore, që
i përket dialektikës, i dialektikës; që mbështetet në dialektikën si
shkencë a si metodë shkencore, që zbaton dialektikën; që bëhet
sipas dialektikës. Materializmi dialektik. Filozofia dialektike.
Metoda dialektike. Logjika dialektike. Zhvillim dialektik.
Mendimi dialektik. Lidhje dialektike. Njësi dialektike. Në mënyrë
dialektike.
DIALEKTIKË
Shkencë që studion ligjet më të përgjithshme të lëvizjes e
të zhvillimit të natyrës, të shoqërisë dhe të mendimit; metodë
shkencore e njohjes që i sheh sendet dhe dukuritë në lidhje e
varësi reciproke, në lëvizje, në ndryshim e në zhvillim të
pandërprerë, që pranon kontradiktat unitetin e luftën e të
kundërtave dhe i sheh këto si burimin e brendshëm të lëvizjes e të
zhvillimit në natyrë, në shoqëri e në mendimin njerëzor. Dialektika
materialiste. Dialektika e njohjes. Kategoritë e dialektikës.
DOMOSDOSHËM
Që është i lidhur me shkaqe thelbësore e objektive dhe që
buron nga vetë natyra e brendshme e sendit a e dukurisë, që ka
karakter ligjësor, që nuk është i rastit; që në kushte të caktuara
ndodh në mënyrë të pashmangshme, që bëhet kështu dhe
kurrsesi ndryshe. Lidhje e domosdoshme. Dukuri e
domosdoshme.
DOMOSDOSHMËRI
Lidhja e sendeve a e dukurive, si edhe zhvillimi i tyre që
rrjedh nga shkaqe thelbësore e objektive, që buron nga vetë
natyra e brendshme e këtyre sendeve a dukurive e ka karakter
ligjësor; diçka që ndodh në mënyrë të pashmangshme në disa
kushte të caktuara, ajo që bëhet kështu dhe kurrsesi ndryshe.
Domosdoshmëri objektive (historike, jetësore). Domosdoshmëria
dhe rastësia. Shfaqje të domosdoshmërisë.
DUALIST
Ithtar a përkrahës i dualizmit.
DUALIST
Që ka të bëjë me dualizmin ose me dualistin, që i përket
dualizmit ose dualistit; që mbështetet në dualizëm. Teori dualiste.
Filozofi dualiste.
DUALIZËM
Doktrinë filozofike, e cila pohon se gjoja bota e të gjitha
dukuritë e kanë burimin e tyre te dy baza fillestare të pavarura, që
mohojnë njëra-tjetrën (te materia e ideja, te qenia e ndërgjegjja)
dhe përpiqet të pajtojë kështu materializmin me idealizmin; kuptimi i
botës sipas kësaj filozofie;
DUKURI
Shprehja e jashtme a shfaqja e thelbit të sendeve e të
proceseve të realitetit. Thelbi dhe dukuria.
DYZOJ
Pranoj e predikoj dualizmin.
GERMA E
ELEMENT
Secila nga katër pjesët përbërëse të natyrës (zjarri, uji,
ajri, toka), që sipas filozofëve materialistë të Greqisë së lashtë janë
baza e të gjitha sendeve e dukurive të gjithësisë.
EMPIRIK
1. Ndjekës i empirizmit.
2. Ai që mbështetet në praktikën dhe në përvojën e tij dhe
nënvlerëson njohuritë e përgjithësimet teorike shkencore ose që
nuk ka njohuri të tilla.
EMPIRIOKRITICIZËM
Rrymë reaksionare idealiste subjektive në fund të shek. XIX, e cila
mohonte qenien objektive të botës materiale dhe e quante këtë një
tërësi ndijimesh. Përfaqësuesit e empiriokriticizmit.
EMPIRIZËM
1.Rrymë filozofike që pranon si të vetmin burim të dijes
perceptimin me anë të shqisave, përvojën e praktikën dhe që
nënvlerëson ose mohon krejt rëndësinë e të menduarit abstrakt
dhe të përgjithësimeve teorike. Empirizëm materialist (idealist).
2. Metodë pune ose prirje për të vepruar duke u mbështetur
vetëm në përvojën a në praktikën dhe jo në njohuritë e në
përgjithësimet teorike; veprimtari empirike.
ENERGJI
Një nga vetitë themelore të materies, masa e përgjithshme
e formave të ndryshme të lëvizjes së materies. Teoria e energjisë.
Energjia është e pashkëputur nga materia.
ESTETIK
1. Që ka të bëjë me estetikën, që i përket estetikës, i
estetikës. Teori (pikëpamje) estetike. Kategori estetike. Mendim
(gjykim) estetik. Kërkesa estetike.
2. Që lidhet me ndjenjën e së bukurës; që i përket së bukurës; që
lind a që ngjallet nga e bukura në art e në jetë; plot me shije,
artistik, i bukur. Edukatë estetike. Ndjenja estetike. Shije estetike.
Kënaqësi estetike. Vlerë estetike. Paraqitje estetike.
Në mënyrë estetike.
ESTETIKË
1. Shkenca që studion të bukurën në natyrë e në jetën
shoqërore, ligjet e përgjithshme të krijimtarisë artistike e të
përvetësimit estetik të realitetit dhe përmbajtjen, rrugët e format e
edukimit estetik; shkenca që studion të bukurën si shprehje të
ideologjisë së një klase të caktuar. Estetika marksiste.
2. Tërësia e pikëpamjeve që ka një krijues i veprave artistike a një
dijetar për artin në përgjithësi ose për një lloj të veçantë arti.
ETIKË
1. Shkenca që studion moralin, karakterin klasor e historik të
tij, normat e sjelljes së njerëzve si një nga format e ndërgjegjes
shoqërore, detyrat e tyre kundrejt njëri-tjetrit, kundrejt shoqërisë,
atdheut, shtetit etj.
2. Tërësia e normave të sjelljes, morali i një shoqërie, i një klase të
caktuar a i një grupi shoqëror.
EVOLUCION
Një nga format e lëvizjes në natyrë dhe në shoqëri,
zhvillimi i një sendi a dukurie nga një gjendje me e ulët në një
gjendje me të lartë nëpërmjet kalimeve a ndryshimeve sasiore të
ngadalshme e shkallë-shkallë, të cilat bëjnë të mundshme edhe
ndryshimet cilësore.
GERMA F
FIDEIZËM
Rrymë idealiste e reaksionare e filozofisë borgjeze, që i
shtrembëron dijet e shkencave të veçanta e i përdor ato për të
mbështetur dogmat fetare dhe që e vë fenë, besimin në themel të
njohjes së botës, ndërsa shkencën ia nënshtron fesë.
FORMACION
Shkallë a etapë e caktuar në zhvillimin historik e shoqëror
të njerëzimit; rend.
FORMALIZËM
Drejtim idealist në filozofi, në logjikë, në teorinë e artit e në shkenca të tjera, që i
jep rëndësi vetëm formës, duke e parë këtë si diçka në vetvete, të shkëputur nga
përmbajtja e saj, ideore e nga realiteti objektiv ose e mohon fare përmbajtjen
dhe që zhvillimin historik të botës e të shoqërisë e sheh si diçka abstrakte,
sipas disa formulave e skemave të gatshme.
FORMALIST
Që mbështetet në formalizëm, që ndjek e përkrah
formalizmin.
FORMË
Mënyra e lidhjes së elementeve të përmbajtjes, mënyra e
organizimit, e ndërtimit të brendshëm dhe e shprehjes së
përmbajtjes.
Format e ndërgjegjes shoqërore, idetë e pikëpamjet politike, juridike,
filozofike, morale, fetare, artistike, etj. që pasqyrojnë realitetin
shoqëror në këtë ose atë mënyrë.
FUSHË
Një nga trajtat kryesore të qenies së materies në
hapësirë ose në një pjesë të saj, që nuk ka masë prehjeje dhe që
shfaqet në tipe të ndryshme.
GERMA G
GNOSEOLOGJI
Një nga pjesët me të rëndësishme të filozofisë që tregon burimet,
format dhe metodat e njohjes, rrugët e arritjes të së vërtetës;
teoria e njohjes. Gnoseologjia materialiste.
GNOSEOLOGJIK
Që lidhet me procesin e njohjes, që ka të bëjë me gnoseologjinë,
që i përket gnoseologjisë, i gnoseologjisë. Rrënjët gnoseologjike.
Burimet gnoseologjike. Kategori gnoseologjike.
GERMA H
HAPËSIRË
Një nga format kryesore, të përgjithshme e objektive të
qenies së materies në lëvizje, e cila shpreh karakteristikat e
objekteve materiale, si gjatësinë, gjerësinë, lartësinë, formën,
ndërtimin e tyre dhe largësinë ndërmjet tyre. Koha dhe hapësira.
HOP
Ndryshim rrënjësor i menjëhershëm i cilësisë së një sendi
a të një dukurie, si formë e përgjithshme e kalimit nga një gjendje
cilësore e vjetër në një gjendje cilësore të re.
GERMA I
IDE
1. Koncept që pasqyron në ndërgjegjen e njeriut
një send, një dukuri, një marrëdhënie a një tipar të përgjithshëm të
botës materiale, objektive dhe që përbën një shkallë të veçantë në
procesin e njohjes së realitetit. Ide e përpiktë (shkencore, e
gabuar). Ideja e së bukurës (e së mirës). Materia dhe ideja.
Shenja dhe ideja. Lidhje idesh.
2. Ide absolute, koncept themelor, antishkencor e teologjik i
filozofisë idealiste të Hegelit, sipas të cilit para natyrës, para njeriut
e pavarësisht prej tyre ka ekzistuar një «ide absolute», e
përjetshme, që gjoja krijon gjithçka.
IDEAL
Që ka të bëjë vetëm me idenë a me ndërgjegjen, që vetëm
përfytyrohet mendërisht; Përfytyrim ideal. Figurë ideale. Qenie ideale.
IDEALIST
Ai që ndjek dhe mbron pikëpamjet e filozofisë idealiste,
pasues i idealizmit;
IDEALIST
Që ka të bëjë me idealizmin si botëkuptim filozofik antishkencor; që
përputhet me parimet e idealizmit dhe mbështetet tek ato, që
përshkohet nga idealizmi; që përkrah dhe mbron parimet e
idealizmit, që mban qëndrim prej idealisti;
IDEALIZËM
1. Botëkuptim filozofik antishkencor që i kundërvihet materializmit, që
është i lidhur me fenë e me klasat shfrytëzuese dhe që, në kundërshtim
me materializmin, merr si parësore në natyrë idenë, ndërgjegjen, shpirtin,
kurse materien, qenien e quan dytësore, të varur nga ndërgjegjja, nga idetë;
Idealizmi objektiv idealizëm që merr si parësore një ndërgjegje mbinjerëzore,
të pavarur nga njeriu, të quajtur «ide absolute», «arsye botërore» etj. Idealizmi
subjektiv idealizëm që merr si parësore ndërgjegjen e njeriut ose elemente
të veçanta të saj (ndijimet, perceptimet, emocionet, vullnetin etj.). Përfaqësuesit
e idealizmit. Lufta e materializmit me idealizmin. Bie në idealizëm.
2. Idealet e larta, ndjenjat e synimet fisnike që e udhëheqin dikë në
jetë, qëllimet e larta për të cilat ai lufton deri në vetëmohim;
qëndrim e prirje prej idealisti
3. Prirje për t’i zbukuruar e për t’i idealizuar gjërat.
INDIVIDUALIZËM
Rrymë filozofike sipas së cilës individi nuk është i
detyruar të ketë ndonjë lidhje të domosdoshme me shoqërinë dhe
zhvillimi historik duhet të ketë si synim themelor zhvillimin e
gjithanshëm të individit.
IRRACIONAL
Që nuk mund të kapet e nuk mund të shpjegohet nga
arsyeja e nga logjika njerëzore, që nuk është racional.
GERMA J
JOLËNDOR
1. Që nuk është i përbërë nga ndonjë lëndë a substancë, që
s’është lëndor.
2. Që nuk ka të bëjë me lëndën, që nuk i përket ndonjë lënde.
3. Që është vetëm në ndërgjegje, që vetëm
përfytyrohet mendërisht, që s’është material a sendor, ideal.
GERMA K
KATEGORI
Nocion kryesor, shumë i përgjithshëm që pasqyron vetitë,
anët e lidhjet me thelbësore të dukurive të realitetit objektiv dhe që
është formuar gjatë procesit të ndërlikuar historik të njohjes në
bazë të praktikës shoqërore (p.sh. materia, lëvizja, koha etj.).
Kategori filozofike. Kategoria e kohës dhe e hapësirës (e cilësisë
dhe e sasisë, e shkakësisë, e domosdoshmërisë dhe e
rastësisë, e përmbajtjes dhe e formës, e thelbit dhe e shfaqjes).
KOHË
Formë objektive e ekzistencës së materies dhe
kusht themelor i lëvizjes së saj, që shpreh se sa zgjatin sendet,
dukuritë, ngjarjet ose proceset, se si vijnë këto njëra pas tjetrës.
Koha dhe hapësira. Nuk ka asgjë jashtë kohës dhe hapësirës.
KONTRADIKTË
Kategori e dialektikës, që shpreh lidhjen e luftën ndërmjet
anëve a prirjeve të kundërta në të gjitha sendet e dukuritë e
natyrës e të shoqërisë dhe që është burimi i brendshëm i lëvizjes e
i zhvillimit në natyrë, në shoqëri e në mendimin njerëzor.
Kontradikta të brendshme (të jashtme). Kontradikta kryesore
(jokryesore).
Kontradikta klasore. Kontradikta antagoniste kontradikta të
papajtueshme ndërmjet klasave a forcave shoqërore me interesa
themelore politike edhe ekonomike krejt të kundërta, që çojnë në
mënyrë të pashmangshme në revolucionin shoqëror. Kontradiktat
joantagoniste kontradikta ndërmjet klasave e forcave shoqërore
me interesa themelore politike e ekonomike të përbashkëta dhe
me interesa të pjesshme a të dorës së dytë të ndryshme që
zgjidhen brenda sistemit shoqëror socialist kryesisht me rrugën e
bindjes e të edukimit; kontradikta në gjirin e popullit. Ashpërsohen
(zgjidhen) kontradiktat.
KOZMOS
Tërësia e formave të materies që lëviz në kohë dhe në
hapësirë, gjithësia si një sistem i organizuar, bota.
KUNDËRT
Secila nga anët, vetitë a prirjet e kundërta të sendeve ose
të dukurive, që janë në kundërshtim ndërmjet tyre; kundërti. Lufta
e të kundërtave.
GERMA L
LËNDË
Një nga trajtat kryesore të qenies së materies në hapësirë, që ka masë
prehjeje dhe që është në gjendje të ngurtë, të lëngët, të gaztë etj.
LËNDOR
Që përbëhet nga lënda e që kapet me anë të shqisave, që
lidhet me lëndën. Bota lëndore. Ka përbërje lëndore.
LËVIZJE
Vetia e përgjithshme e më e rëndësishme e materies,
formë e qenies së saj që shprehet në çdo lloj ndryshimi. Lëvizja
është absolute, qetësia është relative. Nuk ka materie pa lëvizje,
nuk ka lëvizje pa materie.
LIGJ
Lidhje e brendshme, e qenësishme dhe e domosdoshme
ndërmjet sendeve e dukurive të natyrës e të shoqërisë, që
përcakton zhvillimin e tyre dhe e bën procesin botëror një të tërë
të vetme. Ligjet e përgjithshme (e veçanta). Ligjet e zhvillimit të
natyrës e të shoqërisë. Ligjet e luftës së klasave. Ligji i zhvillimit
objektiv. Ligjet e lëvizjes. Ligjet themelore të ndërtimit të
socializmit.
LIRI
Mundësia e njeriut për të njohur dhe për të
përdorur sipas vullnetit të tij ligjet objektive të zhvillimit të natyrës e
të shoqërisë. Liria dhe domosdoshmëria. Liria e vullnetit.
LOGJIK
Pasqyrimi i sendeve e i dukurive nga pikëpamja e ligjeve të tyre të
zhvillimit, e domosdoshmërisë së tyre historike.
GERMA M
MADHËRISHËM
Veti e cilësi e sendeve a e dukurive të natyrës e të shoqërisë, që u
përgjigjen në mënyrën më të plotë, në shkallën më të lartë ose me
përmasa e me forcë të jashtëzakonshme idealeve tona shoqërore e
estetike; të qenët i madhërishëm.
MASË
Kategori që shpreh njësinë e sasisë e të cilësisë në
sendet ose në dukuritë e botës reale. Masë e re. Kategoria e
masës. Prishet masa.
MATERIAL
Që i përket realitetit objektiv, që ekziston jashtë
ndërgjegjes sonë e pavarësisht prej saj. Bota materiale.
MATERIALIST
Që ka të bëjë me materializmin, që përputhet me parimet e
materializmit, që mbështetet në materializëm, që përshkohet nga
materializmi; që përkrah dhe mbron parimet e materializmit; që
mban qëndrim prej materialisti;
Botëkuptim
(koncept) materialist. Filozofia materialiste. Shkencë materialiste.
Metodë materialiste. Shpjegim (kuptim) materialist. Dialektika
materialiste. Dijetar materialist. Në mënyrë materialiste.
MATERIALIZËM
1. Botëkuptim filozofik shkencor që, në kundërshtim me idealizmin,
pranon se materia është parësore, kurse ndërgjegjja është
dytësore, se bota objektive ka karakter material dhe ekziston
jashtë ndërgjegjes së njeriut dhe pavarësisht prej saj;
2. Materializmi dialektik forma më e lartë e materializmit,
filozofia e marksizëm-leninizmit, që bazohet në kuptimin materialist
të botës objektive dhe në metodën dialektike të njohjes së saj.
3. Materializmi historik pjesë përbërëse e filozofisë
marksiste-leniniste, shkenca mbi ligjet e përgjithshme të zhvillimit të
shoqërisë njerëzore, zbatimi i materializmit dialektik në studimin e
historisë së shoqërisë e të dukurive të jetës së shoqërisë.
4. Materializmi vulgar rrymë filozofike e mesit të shek. XIX, e cila
njihte si realitet të vetëm materien, por i thjeshtëzonte parimet
themelore të materializmit, duke pohuar se gjoja truri e nxjerr
mendimin ashtu siç nxjerr mëlçia e zezë vrerin, nuk e njihte
dialektikën, mohonte rolin aktiv të ndërgjegjes dhe i zbatonte ligjet
e natyrës drejtpërdrejt e njësoj edhe në studimin e shoqërisë.
5. Materializmi mekanik një nga drejtimet e filozofisë materialiste
paramarksiste që mbiçmonte lëvizjen mekanike dhe përpiqej t’i
shpjegonte të gjitha dukuritë e natyrës e të shoqërisë me ligjet e
mekanikës.
MATERIE
1. Lënda.
2. Kategori filozofike që shërben për të treguar realitetin objektiv, i cili
ekziston jashtë ndërgjegjes së njeriut e pavarësisht prej saj dhe pasqyrohet në të.
MENDIM
Produkt i trurit, domethënë i materies së organizuar në shkallën më të lartë;
shkallë e veçantë, më e larta, në procesin e njohjes dhe të pasqyrimit të botës
objektive në ndërgjegjen e njeriut.
METAFIZIK
1. Që i merr sendet e dukuritë e realitetit të shkëputura e jashtë
lidhjeve të tyre të ndërsjella, jashtë procesit të zhvillimit e të
ndryshimit dhe pa kontradikta të brendshme;
Metodë metafizike. Pasqyrim (mendim) metafizik.
Në mënyrë metafizike.
2. Që kërkon të zbulojë thelbin më të thellë të çdo qenieje jashtë
përvojës e pavarësisht prej saj. Botëkuptim metafizik.
METAFIZIKË
1. Metodë joshkencore e njohjes, e kundërt me metodën
dialektike, që i merr sendet e dukuritë e realitetit të shkëputura e
jashtë lidhjeve të tyre të ndërsjella, jashtë procesit të zhvillimit e të
ndryshimit dhe pa kontradikta të brendshme;
2. Doktrinë filozofike idealiste, që kërkon të zbulojë thelbin më të
thellë të çdo qenieje jashtë përvojës e pavarësisht prej saj.
METODË
Tërësia e parimeve teorike themelore që shërbejnë si
mbështetje e si udhëheqje për të njohur natyrën e jetën shoqërore
dhe për t’i shndërruar ato. Metoda dialektike. Metoda metafizike.
METODOLOGJI
Teoria mbi metodën e përgjithshme të njohjes shkencore
dhe të shndërrimit të botës reale. Metodologjia marksiste.
MOHIM
Moment i zhvillimit dialektik të botës që nënkupton
zhdukjen e së vjetrës dhe lindjen e së resë. Mohimi dialektik.
Ligji i mohimit të mohimit një nga ligjet themelore të dialektikës, që
shpreh lidhjen ndërmjet së resë dhe së vjetrës gjatë ndryshimeve
cilësore, vijimësinë e procesit të zhvillimit dialektik të natyrës, të
shoqërisë e të mendimit nga më e thjeshta drejt së ndërlikuarës,
nga e ulëta drejt së lartës; ligji i lindjes të së resë dhe i zhdukjes të
së vjetrës në procesin e zhvillimit.
MOHOJ
Nuk pranoj të vjetrën a gjithçka të dëmshme nga e vjetra,
zhduk gjithçka që pengon zhvillimin;
Mohoj të vjetrën dhe pohoj të renë.
MONIZËM
Doktrinë filozofike, e cila pohon se bota dhe të gjitha dukuritë kanë
vetëm një fillesë a bazë, materien ose idenë; kuptimi i botës sipas
kësaj filozofie; kund. dualizëm. Monizmi materialist doktrinë
filozofike, e cila pohon se bota ka si fillesë, si bazë të vetme
materien. Monizmi idealist doktrinë filozofike, sipas së cilës gjoja
bota ka si fillesë, si bazë të vetme idenë, shpirtin.
MOSNJOHJE
Mungesë e njohjes së diçkaje ose të dikujt plotësisht a me
përpikëri, mungesa e njohurive të përpikta a të thella për diçka;
mungesë përvoje për diçka; mungesa e pasqyrimit dhe e
riprodhimit të botës reale në ndërgjegjen e njeriut.
MUNDËSI
Kategori që pasqyron zhvillimin dialektik të botës objektive,
shkaqet dhe etapat e ndryshme të lindjes e të zhvillimit të sendeve
e të dukurive; prirje e caktuar në procesin e zhvillimit të një sendi a
të një dukurie, që lind gjithnjë nga një shkak dhe që mund të
arrihet nëse janë kushtet e nevojshme. Mundësi reale mundësi që
i ka të gjitha kushtet e nevojshme të realizohet. Mundësi abstrakte
mundësi që nuk mund të shndërrohet në realitet, sepse mungojnë
parakushtet për realizimin e saj. Mundësi objektive. Mundësia u
kthye (u shndërrua) në realitet.
GERMA N
NDËRGJEGJE
1. Forma më e lartë e pasqyrimit të realitetit objektiv
si veçori e veprimtarisë së trurit të njeriut dhe si funksion i tij.
Materia është parësore, ndërgjegjja është dytësore. Materia
ekziston pavarësisht nga ndërgjegjja. Ndërgjegjja shoqërore
tërësia e pikëpamjeve politike, filozofike, fetare, juridike, morale,
2. Gjendja e njeriut që ka dijeni për botën e jashtme dhe për
ndijimet e veta, aftësia për të rrokur e për të kuptuar botën e
jashtme dhe të brendshme të njeriut, vetëdije. Me ndërgjegje të
plotë. Humbi ndërgjegjen humbi ndjenjat, iu err mendja. I errëson
ndërgjegjen. E bëri me ndërgjegje.
NOCION
Formë themelore e mendimit, në të cilën pasqyrohen
tiparet më të përgjithshme dhe më thelbësore të sendeve e të
dukurive të realitetit objektiv, koncept.
NJOHJE
Pasqyrimi e riprodhimi i botës objektive në ndërgjegjen e
njeriut dhe depërtimi në ligjësoritë e kësaj bote, si proces që
kushtëzohet nga ligjet e zhvillimit shoqëror e që lidhet ngushtë me
praktikën. Njohja njerëzore. Njohje racionale. Teoria e njohjes
pjesë përbërëse e filozofisë, që studion procesin e njohjes së
botës objektive, burimet e dijes njerëzore, format nëpërmjet të
cilave arrihen këto dije dhe saktësinë a vërtetësinë e tyre. Procesi
i njohjes. Format e njohjes. Shkalla e njohjes.
OBJEKT
Bota materiale me sendet e dukuritë e saj, që ekziston
jashtë nesh e pavarësisht nga ne, që nuk varet nga ndërgjegjja e
që është parësore kundrejt saj dhe që i nënshtrohet veprimtarisë
njohëse të njeriut. Objekti i njohjes. Objekti dhe ideja.
OBJEKTIV
1. Që ekziston jashtë ndërgjegjes dhe pavarësisht prej saj,
që nuk varet nga ndërgjegjja dhe që është parësore kundrejt saj.
Bota objektive. Realiteti objektiv. Dukuri objektive. E vërteta
objektive. Ligjet objektive të zhvillimit. Kushte (shkaqe) objektive
2. Bota e jashtme, që ekziston jashtë
ndërgjegjes dhe pavarësisht prej saj, ajo që nuk varet nga
ndërgjegjja dhe që është parësore kundrejt saj; ajo që është
objektive. Objektivja dhe subjektivja.
OBJEKTIVIST
Që mbështetet tek objektivizmi, që karakterizohet e përshkohet
nga objektivizmi; që mendon dhe vepron në frymën dhe me
parimin e objektivizmit; që e paraqit realitetin nga pozita e
objektivizmit borgjez. Shkencëtar objektivist. Pikëpamje (frymë)
objektiviste. Qëndrim objektivist. Vepër objektiviste.
OBJEKTIVISHT
Jashtë ndërgjegjes dhe pavarësisht prej saj, para
ndërgjegjes dhe pa u varur prej saj.
OBJEKTIVITET
Të qenët objektiv, karakteri objektiv. Objektiviteti i botës
(i materies, i hapësirës dhe i kohës).
GERMA P
PALËNDËT
Që përfytyrohet sikur nuk përbëhet nga asnjë lëndë e materie
(sipas botëkuptimit idealist e mistik); jolëndor. Një botë e palëndët.
PANTEIST
Që shpreh idetë e panteizmit ose që mbështetet në to; që ka të
bëjë me panteizmin; që ndjek dhe përkrah panteizmin. Botëkuptim
panteist. Ide (pikëpamje) panteiste. Filozof panteist. Me frymë
panteiste.
PANTEIZËM
Botëkuptim filozofik e fetar, që e sheh natyrën si mishërim të zotit
dhe që përdoret nga filozofia borgjeze për të pajtuar shkencën me
fenë, për të mbrojtur fenë.
PANJOHSHËM
Që nuk mund të njihet nga njeriu. Bota nuk është e panjohshme.
PASOJË
Dukuri a gjendje që lind e kushtëzohet nga një shkak ose
nga disa shkaqe. Shkaku dhe pasoja.
PASQYRIM
1. Veti e përgjithshme e materies për të pasqyruar çdo
veprim a ngacmim të jashtëm; vetia e psikikës dhe e ndërgjegjes
për të pasqyruar botën e jashtme.
2. Pasqyrimi fizik, pasqyrimi karakteristik për botën jo të gjallë.
3. Pasqyrimi biologjik, format e ulëta të pasqyrimit të botës së gjallë.
4. Pasqyrimi psikik, format e larta të pasqyrimit te kafshët e zhvilluara e te njeriu,
që lidhen me veprimtarinë e sistemit të lartë nervor.
Teoria e pasqyrimit. Ndijimi dhe pasqyrimi. Vetia e pasqyrimit.
PASQYROJ
Riprodhoj në psikikë e në ndërgjegje figurat e botës së jashtme.
PASQYRUES
Që riprodhon figurat e sendeve materiale, që pasqyron
botën e jashtme. Aftësia pasqyruese e ndërgjegjes.
PËRFYTYRIM
Figurë e një sendi, që riprodhohet në ndërgjegje
sipas perceptimeve të mëparshme; formë e pasqyrimit shqisor, që
përbën një hallkë kryesore në procesin e njohjes së botës.
Përfytyrime pamore. Përfytyrim i plotë (i qartë, i turbullt). Ndijimet,
perceptimet e përfytyrimet.
PËRGJITHËSIM
Veprim i mendimit abstrakt me të cilin zbulohen anët dhe lidhjet e
përbashkëta në një grup sendesh a dukurish, për të formuar nocionet
e kategoritë, ligjet e shkencës e teoritë shkencore.
PËRJETSHËM
Që nuk ka as fillim as mbarim në kohë; kund. i
përkohshëm. Lëvizja e përjetshme e materies. Natyra (bota)
është e përjetshme.
PËRMBAJTJE
Tërësia e përbërësve, e proceseve dhe e funksioneve të
një sendi a të një dukurie të botës që shprehet me një formë të
caktuar; brendi. Përmbajtja dhe forma. Përmbajtja ideologjike
(ideore) e veprës. Lidhja e pashkëputur ndërmjet formës dhe
përmbajtjes. Njësia e formës dhe e përmbajtjes. S`ka formë pa
përmbajtje dhe s`ka përmbajtje pa formë.
PËRVOJË
Tërësia e perceptimeve shqisore që fiton njeriu gjatë
ndërveprimit të vet me botën e jashtme dhe që bëhen burim i
dijeve për këtë.
PJESSHËM
Secili nga sendet ose elementet, secila nga anët ose dukuritë që përbëjnë
një të tërë të pandarë; pjesë; e veçantë. Nga e pjesshmja tek e përgjithshmja.
PLURALIZËM
Doktrinë filozofike idealiste, sipas së cilës qeniet, sendet e
dukuritë e botës kanë disa fillime dhe janë të pavarura e pa lidhje
të brendshme ndërmjet tyre.
POLITIKË
Pjesë e superstrukturës, që, si shprehje e koncentruar e ekonomisë, përgjithëson
marrëdhëniet ndërmjet klasave, partive politike, shteteve a grupeve shoqërore.
POZITIVIST
Ithtar, përkrahës a mbrojtës i pozitivizmit.
POZITIVIST
Që ka të bëjë me pozitivizmin, që i përket pozitivizmit, i pozitivizmit;
që karakterizohet nga pozitivizmi, që mbështetet në pozitivizëm; që
ndjek a përkrah pozitivizmin. Filozofi pozitiviste. Shkencëtar pozitivist.
POZITIVIZËM
Rrymë e idealizmit subjektiv, që i kundërvihet hapur filozofisë
materialiste e ndikimit të saj në shkencat e natyrës, e quan njohjen
njerëzore thjesht si tërësi ndijimesh, përshtypjesh e përfytyrimesh
subjektive, që fitohen nëpërmjet shkencave konkrete dhe, mbi këtë
bazë, mohon ligjet e përgjithshme objektive të natyrës e të
shoqërisë e, rrjedhimisht, edhe vlerën njohëse të filozofisë si
shkencë më vete. Pozitivizmi i sotëm (modern). Pozitivizmi logjik
filozofi idealiste që mohon ligjet e përgjithshme të zhvillimit të botës
objektive, të cilën e merr thjesht si një përshkrim të mbresave të
shkencëtarëve me anë të shkronjave e të shenjave gjuhësore.
PRAGMATIK
Që mohon të vërtetën objektive, që pranon si kriter të së vërtetës
vetëm atë që është e dobishme për borgjezët dhe u sjell këtyre
përfitim; që mbështetet në pragmatizëm; pragmatist. Pikëpamje
pragmatike. Qëndrim pragmatik. Shkollë pragmatike.
PRAGMATIZËM
Rrymë e idealizmit të sotëm subjektiv, që mohon realitetin
objektiv, ligjet e tij e të vërtetën objektive dhe pranon si kriter të së
vërtetës vetëm atë që është e dobishme e u sjell përfitime të çastit
kapitalistëve. Përfaqësuesit e pragmatizmit. Lufta kundër
pragmatizmit. Kanë rënë në pragmatizëm.
PRAKTIKË
Veprimtaria e gjithanshme e njerëzve për shndërrimin e
natyrës e të shoqërisë, që është burimi i lindjes, i zhvillimit e i
pasurimit të teorisë dhe kriteri themelor i së vërtetës; tërësia e
vëzhgimeve dhe e eksperimenteve shkencore, veprimtaria e njeriut
për të zbatuar në jetë njohuritë e fituara.
PROBABILITET
Shkalla e mundësisë objektive që të realizohet një ngjarje
e caktuar, e cila varet nga rrethanat e rastit; lidhja midis
rrethanave të rastit dhe ngjarjes, midis rastësisë dhe mundësisë.
PSIKANALIZË
Teori idealiste në psikologjinë borgjeze, që e shkëput psikikën nga
kushtet e shkaqet materiale dhe gjendjen psikike e veprimet e
njerëzve i sheh si shfaqje të pasioneve e të instinkteve të
pandërgjegjshme; metodë për mjekimin e sëmundjeve nervore e
psikike në bazë të kësaj teorie; një nga rrymat e filozofisë së sotme
borgjeze, që e shpjegon në mënyrë idealiste e irracionale
ndërgjegjen e njeriut, si edhe gjithë zhvillimin e shoqërisë njerëzore.
PSIKOLOGJIZËM
Një nga drejtimet e idealizmit subjektiv, që e quan botën objektive
si një tërësi ndijimesh dhe i shpjegon dukuritë shoqërore e
historike me psikologjinë e njeriut.
GERMA Q
QENIE
Tërësia e sendeve dhe e dukurive, që ekzistojnë pavarësisht nga
ndërgjegjja, bota objektive që ekziston pavarësisht nga ndërgjegjja;
materia. Qenia dhe ndërgjegjja. Qenia është parësore, ndërgjegjja
është dytësore. Qenia shoqërore jeta materiale e shoqërisë, që
përmbledh prodhimin e të mirave materiale dhe marrëdhëniet materiale
ndërmjet njerëzve në procesin e prodhimit e në jetën praktike të shoqërisë,
të pavarura nga ndërgjegjja shoqërore.
GERMA R
RACIONAL
Që mbështetet në arsyen e shëndoshë, që është në përputhje
me logjikën e ngjarjeve e të rrethanave të jetës; që është peshuar
e llogaritur mirë ose që është organizuar me baza shkencore; i
arsyeshëm. Që bëhet me anë të arsyes. Njohja racionale.
RACIONALIST
1. Ithtar i rrymës filozofike të racionalizmit. Racionalistët e
shekullit të shtatëmbëdhjetë.
2. Ai që punon e vepron duke u nisur kryesisht nga kërkesat e
arsyes.
RACIONALIZËM
Rrymë e filozofisë idealiste, që pranon si burim të njohjes
së vërtetë vetëm arsyen dhe që nuk merr parasysh rolin e
praktikës shoqërore e përgjithësimet që dalin prej kësaj.
Përfaqësuesit e racionalizmit.
RASTËSI
Zhvillim i dukurive e i sendeve, që nuk është i lidhur me
shkaqe të brendshme, thelbësore, që nuk buron nga vetë natyra e
brendshme e tyre; ajo që në kushte të caktuara mund të ndodhë,
por mund edhe të mos ndodhë. Domosdoshmëria dhe rastësia.
RASTIT
1. Që ndodh ose që kryhet pa e pritur ose pa e parashikuar, që
bëhet rastësisht; që ndodhet diku rastësisht. Takim i rastit. Shi i
rastit. Përputhje të rastit. Njeri (shok) i rastit. U nis me makinë të
rastit.
2. që mbështetet në rastësinë. Dukuri e rastit. Sukses
i rastit. Fitore e rastit. Ngjarje e rastit. Ndryshime të rastit. Nuk
është e rastit.
RELATIV
Që merret a që vështrohet i lidhur dhe i krahasuar me diçka
tjetër, që vlerësohet a përcaktohet në marrëdhënie me diçka tjetër;
që varet a kushtëzohet nga diçka tjetër; E vërtetë relative.
REVOLUCION
1. Përmbysje me dhunë e një rendi shoqëror, politik dhe ekonomik
që i ka kaluar koha dhe vendosja e një rendi të ri shoqëror, që sjell
në fuqi një klasë të re, përparimtare e që zgjidh kontradiktën
ndërmjet forcave prodhuese e marrëdhënieve në prodhim.
2. Kalimi nga cilësia e vjetër në cilësinë e re, i cili bëhet në
mënyrë dialektike me hop; formë e zhvillimit dialektik, kur
ndryshimet sasiore kalojnë me hop në ndryshime cilësore;
ndryshim rrënjësor në një proces zhvillimi, që dallohet nga
evolucioni.
GERMA S
SASI
Kategori që shpreh përcaktimin e sendeve e të dukurive të njëllojta të botës
së jashtme ose të pjesëve të tyre, e madhësisë, numrit, e vëllimit, e peshës
dhe e shkallës së zhvillimit tyre. Sasia dhe cilësia. Ndryshime në sasi.
Kalimi i sasisë në cilësi.
SEND
Diçka lëndore ose dukuri e realitetit objektiv, që ekziston
pavarësisht nga ndërgjegjja. Nuk ka sende në vetvete.
SENSUALIZËM
Drejtim filozofik sipas të cilit ndijimet janë burimi i vetëm
dhe i mjaftueshëm i njohjes. Sensualizëm materialist. Trajtimi
idealist i sensualizmit.
SKEPTICIZËM
1. Rrymë filozofike idealiste që e vë në dyshim mundësinë e
njohjes së saktë të botës dhe të së vërtetës objektive nga ana e
njeriut.
2. Mosbesim ndaj dikujt a diçkaje; qëndrim me dyshim e mosbesim
për mundësinë e kryerjes së diçkaje ose për vërtetësinë e diçkaje.
E sheh me skepticizëm. Shpreh (shfaq) skepticizëm. Flet me
skepticizëm.
SKEPTIK
Që ka të bëjë me rrymën filozofike të skepticizmit, i
skepticizmit; që ndjek e përkrah skepticizmin. Shkolla (filozofia)
skeptike. Idealizmi skeptik. Filozofët skeptikë.
SODITJE
Shkalla e parë e njohjes së botës së jashtme, që mbështetet në të
dhënat e drejtpërdrejta të organeve të shqisave.Soditja e gjallë
STOICIZËM
Doktrinë filozofike e periudhës së lashtë greko-romake, që
pranonte botën e jashtme materiale, por predikonte etikën
idealiste si nënshtrim ndaj fatit dhe e kërkonte lumturinë te jetesa
në përputhje me natyrën e duke mposhtur ndjenjat.
STOIK
1. Ithtar i stoicizmit. Stoikët grekë (romakë).
2. Ai që u bën ballë me durim e me gjakftohtësi
fatkeqësive, sprovave dhe vështirësive të jetës. Durim prej stoiku.
Qëndroi si stoik para dhembjeve.
3. Që ka të bëjë me doktrinën e stoicizmit, i stoicizmit.
Filozofia stoike e Zenonit (e Senekës).
SUBJEKT
Njeriu si qenie e ndërgjegjshme, që ka aftësi të mendojë,
të njohë sendet e dukuritë e botës dhe të veprojë me vullnetin e tij
për të arritur qëllimet e dëshirat e veta (në kundërvënie me botën
e jashtme si objekt i njohjes); Subjekti dhe objekti i njohjes.
Objekti ekziston pavarësisht nga subjekti
SUBJEKTIVIST
Që ka të bëjë me idealizmin subjektiv, që lidhet me
subjektivizmin. Teoritë subjektiviste.
SUBJEKTIVIZËM
1. Vlerësimi i gjërave duke u nisur nga mendimet e dëshirat
vetjake të një njeriu dhe jo nga kushtet reale; qëndrim subjektivist,
mungesë e objektivizmit. Idealizmi subjektiv.
2. Rrymë e sociologjisë borgjeze, që përpiqet ta shpjegojë
zhvillimin e historisë vetëm me zbatimin e vullnetit të njerëzve të
shquar dhe që mohon rolin vendimtar të ligjeve objektive, të
masave popullore dhe të faktorëve ekonomikë. Subjektivizmi borgjez.
SUBSTANCË
Thelbi i përhershëm e i pandryshueshëm i gjithçkaje sipas
disa rrymave filozofike jomarksiste, që nuk njohin materien si
kategori për të shënuar botën objektive. Substancë lëndore.
Substancë shpirtërore.
SUPERSTRUKTURË
Tërësia e pikëpamjeve politike, juridike, filozofike, morale,
estetike, fetare të shoqërisë dhe institucionet politike, juridike etj.,
që u përgjigjen këtyre pikëpamjeve dhe që lindin mbi bazën e
rendit ekonomik, të marrëdhënieve në prodhim të një shoqërie të
caktuar. Baza dhe superstruktura e shoqërisë. Revolucionarizimi i
superstrukturës socialiste. Roli veprues (aktiv) i superstrukturës.
SUPERSTRUKTUROR
Që ka të bëjë me superstrukturën, që i përket superstrukturës; i
superstrukturës. Dukuritë superstrukturore.
GERMA SH
SHËMTUAR
Veti objektive e sendeve dhe e dukurive që janë të zhvilluara në
mënyrë jo të harmonishme e të parregullt në llojin e tyre dhe që
nuk të japin kënaqësi; të qenët i shëmtuar;
SHFAQJE
Paraqitja e jashtme e anëve të ndryshme të thelbit të
sendeve a të proceseve. Thelbi dhe shfaqja (e tij).
SHKAK
Rrethanë, dukuri a faktor që vepron mbi një tjetër dhe e
ndryshon atë a sjell një gjë a dukuri të re. Shkaku i parë. Shkaku
dhe pasoja. Njoh (zbuloj) shkakun.
SHKAKËSI
Lidhje objektive, e domosdoshme ndërmjet shkakut e pasojës;
tërësia e lidhjeve shkakësore. Kategoria filozofike e shkakësisë.
Parimi (ligji) i shkakësisë.
SHKAKËSOR
Që shpreh lidhjen objektive, të domosdoshme ndërmjet shkakut
dhe pasojës. Lidhje (varësi) shkakësore. Kushtëzim shkakësor.
SHPIRT
1. Bota e brendshme e njeriut, tërësia e vetive të tij psikike, tërësia
e ndjenjave dhe e përjetimeve të tij; vetëdija a ndërgjegjja e
njeriut; bota mendore.
2. Ndërgjegjja si funksion i materies së organizuar në
shkallën më të lartë – i trurit, forma më e lartë e veprimtarisë
psikike të njeriut
GERMA T
TEKNOKRAT
1. Përkrahës i teknokratizmit.
2. Ai që vë mbi gjithçka shkencën e teknikën, fetishizon rolin e
inteligjencies teknike, të specialistëve dhe të anës teknike të
punëve në zhvillimin ekonomik e shoqëror dhe nuk përfill rolin e
veprimtarisë politike, nënvlerëson rolin e masave punonjëse etj.; ai
që vuan nga teknokratizmi. Mendim (veprim, sjellje, qëndrim)
teknokrati. E sheh diçka me syrin e teknokratit.
Vepron (mendon, drejton) si teknokrat.
TEKNOKRATIK
Që lidhet me teknokratizmin si rrymë sociologjike borgjeze
e revizioniste, që mbështetet në këtë rrymë a që e përkrah atë; që
i përket teknokratizmit si rrymë, i teknokratizmit.
TEKNOKRATIZËM
1. Rrymë sociologjike borgjeze e revizioniste e shekullit XX, e
cila e fsheh shtypjen e egër të punonjësve nga monopolet
kapitaliste dhe nga kapitalizmi shtetëror, duke vënë mbi gjithçka
shkencën e teknikën, duke fetishizuar revolucionin
tekniko-shkencor, duke mbivlerësuar rolin e inteligjencies teknike e
të specialistëve në zhvillimin ekonomik e shoqëror dhe duke
mohuar rolin e masave, domosdoshmërinë e revolucionit shoqëror,
të udhëhequr nga klasa punëtore e nga partia e saj, për zhvillimin
e shoqërisë, për zhdukjen e sistemit kapitalist e të plagëve të tij
dhe domosdoshmërinë e diktaturës së proletariatit. Teknokratizmi
borgjez (revizionist). Teoritë e teknokratizmit. Përkrahësit e
teknokratizmit.
2. Shfaqje e koncepteve të ideologjisë borgjeze, që e ka burimin
në fetishizimin e shkencës e të teknikës, në vënien e specialistëve
mbi gjithçka, në kujdesin e theksuar për anën teknike të punëve
dhe në mospërfilljen e rolit të masave, të politikës etj.; prirje,
veprim a sjellje që mbështetet në këto koncepte. Shfaqje (prirje) të
teknokratizmit. Lufta kundër teknokratizmit.
TËRË
1. Kategori filozofike që pranon bashkësinë e sendeve e të
dukurive, të cilat janë në lidhje të ngushtë e të qëndrueshme ose
që pranon njësinë e dukurive gjatë zhvillimit nga një shkallë në
tjetrën. Pjesa dhe e tëra. Nga e pjesshmja tek e tëra. Bota është
një e tërë organike.
2. Diçka e plotë, diçka e tërë dhe e pandarë, tërësi. E hoqi (e
shkëputi, e ndau) nga e tëra. E ndau të tërën në katër pjesë. Një e
tërë ka dy gjysma.
GERMA U
UNË
Uni. Tërësia e tipareve që përbëjnë thelbin e njeriut si individ i caktuar dhe
për të cilat ai është i vetëdijshëm, qenia e vet, vetvetja në botën që e rrethon
njeriun; subjekti;
UNITET
1. Bashkim i fortë dhe i pandashëm; gjendje në të cilën diçka
përbën një të tërë të vetme e të pandarë, që mbështetet në
tiparet, pikëpamjet, qëllimet e interesat e përbashkëta; njësi.
2. Lidhje e ngushtë në një të tërë të vetme; të qenët një i vetëm,
me pjesët të lidhura pa copëzim dhe pa kundërti me njëra tjetrën.
Uniteti i veprës. Uniteti i botës. Uniteti i formës me
përmbajtjen. Uniteti i teorisë me praktikën. Uniteti i gjuhës me
mendimin. Ligji i unitetit dhe i luftës së të kundërtave.
UTOPIZËM
Teori për krijimin e një rendi shoqëror ideal, e cila nuk bazohet
në ligjet objektive të zhvillimit të shoqërisë, në kushtet reale të një
vendi, në luftën e klasave dhe në vendosjen e diktaturës së
proletariatit; teori dhe pikëpamje utopike.
GERMA V
VETËLËVIZJE
Lëvizje a zhvillim në natyrë dhe në shoqëri, që e ka
burimin ose shkakun në luftën e të kundërtave; lëvizje e
brendshme që bëhet pa shtytës të jashtëm. Vetëlëvizja e materies.
Vetëlëvizja e yjeve. Shkaku (burimi) i vetëlëvizjes.
VETËZHVILLIM
1. Zhvillim në natyrë dhe në shoqëri që e ka burimin ose
shkakun në luftën e të kundërtave, zhvillim i brendshëm që bëhet
pa shtytës të jashtëm. Vetëzhvillimi i materies. Burimi i
vetëzhvillimit.
2. Zhvillim mendor a fizik i njeriut, që arrihet duke mësuar e duke u
ushtruar vetë në mënyrë të pavarur. Vetëzhvillimi i njeriut. Kushtet
e vetëzhvillimit.
VETI
Cilësia e një sendi a e një dukurie, që shfaqet kur
bashkëvepron me sende a me dukuri të tjera dhe që e dallon ose
e afron me to. Veti thelbësore (jo thelbësore).
Vetitë e sendit. Vetitë e qenieve të gjalla. Vetitë e rendit socialist.
2. Cilësi dalluese e dikujt a e diçkaje, tipar kryesor që karakterizon
një njeri, një kafshë, një bimë a një send; cilësi e natyrshme dhe e
përhershme e dikujt a e diçkaje. Veti të mira (të këqija). Veti e
veçantë. Vetitë kimike (fizike) të një metali. Vetitë e karakterit të
njeriut. psikol. Vetia plastike e trurit. psikol. Vetitë e komunistëve.
Lëndë me veti shëruese.
VËRTETË
1. Diçka që është e vërtetë, ajo që përputhet me realitetin; fakt a
diçka tjetër që nuk mund të hidhet poshtë, që nuk mund të
mohohet, që është vërtet i tillë; diçka që është e sigurt dhe e
saktë;
2. Dije që e pasqyron drejt realitetin objektiv në ndërgjegjen
e njerëzve, dije që përputhet me realitetin dhe është provuar në
praktikë.
3. E vërteta absolute dije e plotë, e gjithanshme dhe
përfundimtare për realitetin objektiv, që nuk ndryshon me zhvillimin
e mëtejshëm të dijeve dhe të praktikës.
4. E vërteta objektive dije që
përputhet me realitetin objektiv, që nuk varet nga subjekti dhe
është vërtetuar nga praktika.
5. E vërteta relative dije objektivisht e drejtë për realitetin, po jo e plotë,
që me kalimin e kohës saktësohet, bëhet më e thellë e më e plotë.
VOLUNTARIZËM
Rrymë reaksionare e filozofisë idealiste, që e quan vullnetin e
njeriut faktorin e parë e vendimtar për gjithçka dhe që mohon
karakterin objektiv të ligjeve e domosdoshmërinë në zhvillimin e
natyrës e të shoqërisë njerëzore.
VULGAR
Që sillet në mënyrë të pahijshme e të pakulturuar; që
është karakteristik për një njeri të trashë në të folur e në sjellje; që
ka përmbajtje të rëndë, që nuk duhet bërë a nuk duhet thënë, i ulët.
Teori vulgare.
GERMA ZH
ZHVILLIM
1. Procesi dialektik i kalimit të plotë nga një gjendje cilësore
në një gjendje tjetër cilësore, nga më e thjeshta te më e
ndërlikuara, nga më e ulëta te më e larta, nga më e vjetra te më e
reja, që kryhet nëpërmjet luftës së të kundërtave dhe që ka si
karakteristikë kryesore zhdukjen e së vjetrës dhe fitoren e së resë.
Lëvizja dhe zhvillimi. Lufta e të kundërtave dhe zhvillimi. Ligjet e
zhvillimit dialektik.
2. Shkalla e vetëdijes shoqërore dhe e aftësive mendore, e arsimit,
e kulturës, e përsosjes morale etj. që ka arritur dikush; shkalla e
përparimit që ka arritur njëra a tjetra nga fushat e ndryshme të
veprimtarisë shoqërore dhe shoqëria në tërësi. Zhvillim i lartë.
Zhvillimi politik (ideologjik, kulturor, shpirtëror). Zhvillimi fiziologjik
(psikik, mendor).
FJALOR FILOZOFIK